Gjermania emëron një të dërguar special për Kosovën?

Aktuale

Gjermania emëron një të dërguar special për Kosovën?

Më: 17 shtator 2019 Në ora: 10:01
Merkel, Macron

Gjermania mund të shtojë angazhimin në zgjidhjen e çështjes së Kosovës duke emëruar një të dërguar special, njësoj siç ka bërë së fundmi SHBA-ja.

Kur do që Serbia dhe Kosova ta zhbllokojnë dialogun, në atë proces mund të përfshihet edhe Berlini, nëpërmjet përfaqësuesit të tij special.

Gjermania kështu do t’i bashkohej SHBA-së që tashmë ka caktuar Matheë Palmerin si të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, por edhe Francës e cila ka paralajmëruar se dëshiron “vend në këtë rajon që i takon”, me paralajmërimin se do ta ketë personin e saj që do të ngarkohet me atë mision, shkruan “Veçernje Novosti”.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq të mërkurën do të takohet në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe ka deklaruar se Serbia është e interesuar që në dialog me Prishtinën të përfshihen të gjithë ata që mund të ofrojnë ndihmë.

“Gjermania dhe Franca janë partner të rëndësishëm. Kemi komunikim të shkëlqyeshëm, në disa gjëra pajtohemi, në disa jo. Ata kanë bërë thirrje për heqje të taksës, Prishtina nuk i ka dëgjuar, njësoj si disa thirrje tjera. Gjermania ka qenë më e qarta deri më tani, duke e ftuar Prishtinën në takim në Berlin. Nëse mund të ndihmojnë, le të ndihmojnë, shpresoj që dialogu të vazhdojë sa më shpejtë”, u shpreh ajo

Ish ambasadori i Serbisë në Berlin dhe Vjenë, Milovan Bozinoviq ka thënë për “Novosti” se emërimi i një të dërguari special nga Gjermania do të jetë vazhdimësi e angazhimit të tyre kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës.

“BE në periudhën e fundit ka shfaqur se nuk i shkon për dorë të jenë arbitër i autoritetit, andaj gjithmonë është shikuar se çfarë do të thonë “të mëdhenjtë” brenda BE-së, mbi të gjitha Gjermania. Nëse Berlini tani ka caktuar të dërguarin e tij, atëherë mund të kemi një udhëheqës që ka fuqi të pajtimit dhe e di se si duhet të arrihet”, u shpreh ai.

Iniciativa e Gjermanisë është dëshmi shtesë e deklaratës së shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov i cili ditë më parë tha se Kosova është bërë temë globale në interesin e fuqive të mëdha. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat