Albin Kurti përkujton albanologun gjerman

Aktuale

Albin Kurti përkujton albanologun gjerman

Nga: V.R Më: 17 shtator 2019 Në ora: 15:36

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nëpërmjet një statusi publik ka përkujtuar albanologun dhe ballkanologut gjerman, Ëilfried Fiedler. Me humbjen e tij, albanologjisë do t’i mungojë njëri nga studiuesit më të zellshëm të shqipes, ka thënë Kurti.

Postimi plotë:

Në javën që shkoi, më 11 shtator 2019, u nda nga jeta albanologu dhe ballkanologu gjerman, Wilfried Fiedler. Me humbjen e tij albanologjisë do t’i mungojë njëri nga studiuesit më të zellshëm të shqipes, duke qenë se me emrin e tij lidhet një punë shkencore prej më shumë se gjysmë shekulli në këtë fushë.

I lindur më 1933 në Oberfrohna të rrethit të Kemnicit (Saksoni), Fiedleri studio sllavistikën në Universitetin e Berlinit. Karrierën e nisi si kërkues shkencor në Institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Gjermanisë (Lindore) dhe, gjatë një ekspedite etnografike në terren, ishin këngët çame ato që ia hapën dyert e shqipes. Pas kësaj njohjeje të pazakontë, ai mësoi shqipen dhe së shpejti, më 1959, nisi punën si mësimdhënës i gjuhës shqipe në Universitetin Humbolt të Berlinit, ku punoi për tridhjetë vitet e ardhshme.

Fiedleri është autor i një vargu të gjatë prej rreth 200 punimesh shkencore, por tri vepra veçohen si të një rëndësie të veçantë për shqipen: “Gramatikë e shqipes” (Albanische Grammatik, Berlin, 1987, bashkautor me Oda Buchholzin), e cila konsiderohet si gramatika më e plotë e shqipes e shkruar ndonjëherë, “Sistemi foljor i shqipes në gjuhën e Gjon Buzukut”, (Das albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku, (1555), Prishtinë, 2004), një qasje e themeltë dhe e pangjashme në këtë fushë të shqipes dhe “Ndërtimi i shumësit në gjuhën shqipe”, (Die Pluralbildung im Albanische, Prishtinë, 2007), që paraqet një trajtim më gjithëpërfshirës deri sot për këtë veçori gramatikore të shqipes. Ai, po ashtu, është bashkautor i fjalorëve shqip-gjermanisht (me O. Buchholzin e G. Ulrichtin, 1977) dhe gjermanisht-shqip (me A. Klosin, 1997) dhe përkthyes i veprave të letërsisë shqipe në gjermanishte.

Vetë çështjet e caktuara në të cilat Fiedleri u përqendrua më shumë në studimet e tij tregojnë thellësinë e njohjes së problematikave të shqipes. Ai u mor gjerësisht me studimin dhe klasifikimin e sistemit foljor dhe emëror: dy nga çështjet më të ndërlikuara të morfologjisë së shqipes. Megjithëse edhe sot e kësaj dite këto dy çështje kanë mbetur pa një zgjidhje përfundimtare, duhet të thuhet që askush nuk ka shkuar më larg se Fiedleri në mbarështimin e gjerë e të sistematizuar të materialit emëror dhe foljor, duke e bërë kështu më të lehtë zgjidhjen e mundshme të këtyre problemeve në të ardhshmen.

Falë punës së palodhshme dhe përkushtimit shembullor, emri i Wilfried Fiedlerit do të mbetet si një nga emrat më të nderuar të albanologjisë, në vargun e paraardhësve të traditës gjermanishtfolëse të albanologëve: Johann Georg von Hahnit, Gustav Meyerit, Norbert Joklit, Maximilian Lambertzit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat