Këshilltarja e Haradinajt: Mos notoni në ujëra të kontaminuara nga Hashim Thaçi për kufijtë

Aktuale

Këshilltarja e Haradinajt: Mos notoni në ujëra të kontaminuara nga Hashim Thaçi për kufijtë

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 15:21
Meliza Haradinaj dhe Ramush Haradinaj

Këshilltarja e Kryeministrit në dorëheqje, Meliza Haradinaj-Stublla u ka bërë thirrje pretendentëve për kryeministër që të mos notojnë në ujëra të kontaminuara nga Hashim Thaçi për kufijtë, por të ndjekin doktrinën e Haradinajt.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kadri Veseli duhet ta bind Hashim Thaçin, Vjosa Osmani ta bindë Lutfi Hazirin, e Albin Kurti vetëveten se ‘Doktrina e paprekshmërisë së 17 shkurtit” është rruga e vetme e dinjitetit shtetëror dhe e Kosovës së fortë, dhe që e duan aleatët ndërkombëtarë

Haradinaj ka shtuar se për 18 muaj në qeveri kanë marrë pjesë në më shumë se 500 takime e kanë shkruar mbi 500 letra të personalizuara liderëve botërorë për të iu sqaruar se populli nuk e përkrah asnjë ide që prek kufijtë e Kosovës.

“‘Doktrina e paprekshmërisë’ nuk i përket një partie politike, por i përket sovranit, pra popullit të Kosovës, dhe duhet të respektohet si e tillë. Kushdo që guxon të notojë në ujëra të kontaminuara, e të lundrojë në valë të sponzorizuara, do të fundoset në thellësi të cekët”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi

Për 18 muaj në qeveri kemi marrë pjesë në mbi 500 takime të instancave të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë dhe jashtë saj, dhe kemi shkruar mbi 500 letra të personalizuara liderëve botërorë e personaliteteve me influencë politike në botë, për t’iu sqaruar qartë e drejtë që populli i Kosovës NUK E PËRKRAHË asnjë ide që prek territorin ose kufijtë e Kosovës së 17 shkurtit.

Në këtë temë ju pretendentët për kryeministër e keni fare lehtë që të mos gaboni në fushatë: përcjellni doktrinën e Kryeministrit Haradinaj. Bindni bashkëpunëtorët tuaj (Veseli - Thaçin, Vjosa - Hazirin, e Albini vetëveten) se ‘Doktrina e paprekshmërisë së 17 shkurtit” është rruga e vetme e dinjitetit shtetëror dhe e Kosovës së fortë që e duam ne, dhe që e duan aleatët tanë ndërkombëtarë.

‘Doktrina e paprekshmërisë’ nuk i përket një partie politike, por i përket sovranit, pra popullit të Kosovës, dhe duhet të respektohet si e tillë.

Kushdo që guxon të notojë në ujëra të kontaminuara, e të lundrojë në valë të sponzorizuara, do të fundoset në thellësi të cekët.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat