Aliu për vendimin e Prokurorisë: E bënë vetëm sa për të thënë se VV ka në listë dikë me aktakuzë

Aktuale

Aliu për vendimin e Prokurorisë: E bënë vetëm sa për të thënë se VV ka në listë dikë me aktakuzë

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 15:52
Liburn Aliu

Pas më shumë se një viti prej kur në Kuvend të Kosovës deputetët votuan pro marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngriti aktakuzë për ish-deputetin e Vetëvendosjes Liburn Aliun për veprën penale ‘Pengim i personit zyrtar’. Atëkohë, Aliu kishte marrë kartelat e deputetëve si formë proteste për të pamundësuar votimin. Aktakuza e ngritur në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme po shihet si një formë që reflekton se dikush po ndihet i kërcënuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Kështu ka deklaruar kandidati për deputet, Liburn Aliu.

Derisa Kuvendi i Kosovës ishte mbuluar nga brenda nga gazi lotsjellës që disa herë u hodh në Kuvend të Kosovës, e nga jashtë protestuesit kishin thyer edhe xhamat e Kuvendit, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu kishte tentuar që të ndalonte votimin për këtë temë, duke ju marrë deputetëve kartelat e votimit.

Kamerat e kishin kapur Aliun derisa po merrte kartelat në kohën sa në sallë kishte pak deputetë të pranishëm, derisa, për këtë çështje i njëjti ishte ndaluar nga policia e Kosovës.

Mirëpo, Prokurorisë Themelore në Prishtinë iu kanë dashur më shumë se një vit që të vendosin për llojin e akuzës që do t’i bënin tash në kohë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme ish-deputetit Liburn Aliu.

Ai po akuzohet për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Prokuroria pretendon se më 21 mars të vitit të kaluar Aliu kishte marrë në sallë të kuvendit nga tavolinat e deputetëve 40 kartela zyrtare me qëllim që të pamundësohej votimi i marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas aktakuzës, thuhet se më 21 mars 2018, rreth orës 13:44, në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Liburn Aliu akuzohet se si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës i ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria pretendon se derisa deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë qenë në pauzë, i akuzuari Aliu është futur në sallën e legjislativit dhe nga tavolinat e deputetëve ka marrë rreth 40 kartela zyrtare për votim, duke pamundësuar zhvillimin e suksesshëm të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, Express ka kontaktuar një nga fytyrat kyçe në Vetëvendosje, që po synon pozitën e deputetit edhe për një mandat.

Liburn Aliu vlerëson se aktakuza që është ngritur ndaj tij është politike dhe se i njëjti për këtë ka marrë vesh nga mediat, pasi që nuk i kishte ardhur fillimisht asnjë lloj dokumentacioni. 

Veprimin e tij e sheh si veprim politik të bërë për të kundërshtuar një marrëveshje që subjekti në të cilin ai bënë pjesë e cilëson si të dëmshëm për Kosovën.

“Së pari për mu kjo është diçka politike dhe arsyeja pse është politike është se kjo është politizuar dhe është bërë lajm ende pa më marrë mu asnjë lloj dokumentacioni, pra mu nuk më ka ardhë asnjë lloj dokumentacioni deri më tash. Ata e bënë lajm para se me më sjellë mu një herë., pra ishin më shumë të interesum që të bëjnë një lajm për fushatë se sa që realisht të merren me këtë punë, sepse po ta kishin pas interesim që të merren realisht me këtë ish kry kjo punë moti, kjo e para, e dyta veprimi që unë e kam bë ka qenë plotësisht veprim politik dhe me vetëdije të plotë, është e tyne çka bëjnë as që merrem me atë. Detyra ime ka qenë me bë përpjekje që me bë sa më të dukshme kundërshtimin e demarkacionit, pra ne unë me veprimin tim politik kam bë përpjekje që me bë sa më të dukshëm kundërshtimin e demarkacionit”, ka thënë ai, derisa, shtoi se për këtë cështje ishte mbajtur në stacion të policisë në ndalim për 24 orë.

Aliu ka thënë se qysh para një viti kur ishte arrestuar prokuroria pa pasur asnjë prove nuk kishte ditur as çfarë akuze për atë veprim.

“Vetëm në fillim fare kur ka ndodhë që jam arrest jam majtë 24 orë në stacion, pastaj jam dërgu në Gjykatë, aty nuk ka pas prokuroria asnjë lloj prove kundër meje pra  nuk kishte nuk dike qysh me ja lidh punët akuzës ose kallëzimit ndaj meje për shkak të mungesës së motivit të përfitimit material, sepse bëhej fjalë për kartelat e kandidatëve ata nuk mundeshin me më akuzu mu për vjedhje qysh synonin e para, disa madje bënin akuza qesharake vjedhje me qëllim me synim të përfitimin politik, kjo nuk ekziston askund, pastaj përpiqeshin ta lidhnin me një  pengesë të personit zyrtarë, që unë vetë isha personi zyrtar sepse demarkacioni u votu në të njëjtën mënyrë me kartela kjo është çështje politike e që unë për këtë nuk befasohem fare. Gjithmonë ka pas jam akuzu e jam përndjekë nuk është ndonjë problem, nuk më bën përshtypje”, ka thënë ai.

Kjo sipas kandidatit për deputet nga Vetëvendosje është diçka që ndodh në një shtet të kapur në çdo sferë të shtetit. Partia në të cilën ai bënë pjesë sipas Aliut po shihet si rrezik për disa persona, që po qëndrojnë prapa këtyre aktakuzave.

“Gjithçka është e mundshme kemi të bëjmë më një shtet të kapur dhe nga shteti i kapur pritet gjithçka, edhe në prokurori edhe në çdo sferë të ekonomisë së shtetit, pastaj të administratës shteti është i kapur, është i kapur aq thellë sa që veç Lëvizja Vetëvendosje mundet me e shkëput me shkapë shtetin, kjo përbën një rrezik serioz, e këta janë tu e marrë shumë seriozisht Lëvizjen Vetëvendosjen, duke e pa se ju ka ardh fundi realisht”, ka thënë ai.

I pyetur nëse kjo aktakuzë mund të ketë diçka lidhje me kritikat që po ia bën sidomos së fundmi Vetëvendosje sistemit të drejtësisë, Aliu përgjigjet duke thënë se kjo është diçka që bëhet nga ata persona që janë të organizuar e të rrezikshëm, sidomos kur ndihen të kërcënuar, si tash në kohë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Kjo është pak çka unë pres çka munden me ba këta, këta kanë potencial, janë të organizuar, kanë pare shumë, janë të rrezikshëm, sidomos kur ndihen të kërcënuar, këta janë duke u ndierë realisht të kërcënuar prej Lëvizjes Vetëvendosje, sepse ju ka ardh fundi dhe tash para se me ju ardh fundi i bëjnë veprimet çka për ne janë të pritshme”, shtoi ai.

I njëjti, derisa pyetet nëse kjo mund të ketë pasur ndikim nga PDK që Vetëvendosje ka vite që e akuzon se qëndron prapa ndikimeve të mëdha në sistem të drejtësisë, e luftës që Kadri Veseli po thotë se do t’ia bëjë korrupsionit e njerëzve që kanë aktakuza, Aliu ka thënë se kjo aktakuzë e ngritur ndaj tij mund të ketë arsye kryesore këtë çështje.

“Kjo është realisht arsyeja mbase mund të jetë arsyeja kryesore se thonë ju keni një njeri me aktakuzë në listën e juaj po por unë aktakuzë kam pasur edhe në kohë të Serbisë, aktakuzë politike unë kam pas në kohë të Serbisë për terrorizëm kam qenë i akuzuar edhe i dënuar për terrorizëm ata munden me thanë që njeri të dënuar keni pas në listë, në vitin 97, për këtë arsye mund të konsiderohem si dikush që duhet të hiqet nga lista, njëjtë edhe sot për mu është aktakuzë politike që mu nuk mu kanë shkoq këto aktakuza politike në vazhdimësi prej se jam marrë me politikë, kështu që nuk e marrë seriozisht këtë far pune”, ka thënë ai.

Ish-deputeti megjithatë po thotë se do t’i dalë para drejtësisë duke u përgjigjur për këtë temë.

“Po natyrisht, qysh edhe kam qenë në mbajtje një ditë për të njëjtën çështje”, deklaroi Liburn Aliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat