Ndodh edhe kjo, Dukagjin Gorani, pa diplomë fakulteti

Aktuale

Ndodh edhe kjo, Dukagjin Gorani, pa diplomë fakulteti

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 23:04
Dukagjin Gorani

Sinjali ka mësuar përmes burimeve se kandidati për deputet i koalicionit AAK-PSD, Dukagjin Gorani nuk ka diplomë fakulteti.

Politikani nga Partia Socialdemokrate, gjatë rrugëtimit të tij, nuk kishte arritur asnjëherë t`i kryente studimet në degën e Gjuhës Angleze në Universitetin e Prishtinës.

Analisti i dikurshëm politik, i cili kishte kritikuar ashpër politikanët për paaftësinë e tyre për ta qeverisur vendin, është zbuluar së fundi, se kishte ngecur vetë në shkollim.

Përkundër se ka të kryer vetëm shkollën e mesme në Kosovë, Gorani pretendon se është doktorant.

Ndalesat ligjore në Kosovë që një kandidat nuk mund të njihet si doktor shkence pa i kryer studimet themelore, i quan procedura të parëndësishme ndonëse vetë kishte aplikuar për njohjen e këtij statusi.

Ai thekson se me rëndësi për të është prezantimi i njëfarë afiniteti diturie, vlerë kjo që sipas tij çmohet jashtë por jo edhe në Kosovë ku, siç thekson, këqyren dhe u kushtohet rëndësi letrave.

Gjurmëve të sinjalizuesit, media ka kontaktuar Dukagjin Goranin për këtë çështje.  Ai ka pranuar se nuk i ka kryer studimet themelore.  

“Ka qenë pas mbyll universiteti këtu në vitin `90 mandej nuk e kam vazhdu. Kam qenë në vitin e katërt në gjuhë angleze. Me sa e di kam pasur edhe dy provime me i përfundu dhe s`e kam kry kurrë fakultetin”, ka theksuar Gorani.

Përkundër mungesës së diplomës së fakultetit, Gorani thotë se në periudhën 2006/2011 ka kryer një program pesëvjeçar të formatit të studimeve Mphil/PhD (Master and Doctor of Philosophy) në Britani të Madhe. Ai thotë se në pranverën e vitit 2012 ka mbrojtur temën e doktoratës në Cradiff University, School of Journalism, Media and Cultural Studies në Wales.

“Atje në Britani s`ka qenë shumë më rëndësi Bachelor prej një universiteti kosovar, sidomos në vitet e 90-a, sa ka qenë më rëndësi përvoja e punës dhe afiniteti për me prezantu njëfarë ditunie. Kështu që atyre, krejt çka ju ka interesu është nëse unë muj me ndërtu një koncept të shkruar të studimeve që e kam ndërmend me bo dhe se për ta ka qenë mëse e pranueshme. Kur ju kam pas kallzu atje që unë nuk e kam të përfundume deri në fund fakultetin, më kanë pas thonë nuk është ndonjë problem.”, ka thënë Gorani.

Media posedon dëshmi që Dukagjin Gorani në vitin 2013 kishte kërkuar nga ministria e Arsimit, pranimin e doktoratës.

Por, më 9 mars të vitit 2018, përmes një emaili nga MASHT-i, Goranit i ishte kërkuar që ta sillte kopjen e noterizuar të diplomave të studimeve paraprake Bachelor dhe Master duke e paralajmëruar se në mungesë të këtyre dokumenteve deri më 20.03.2018 dosja do të konsiderohej e pakompletuar dhe do të dorëzohej në arkiv.

Image

Por, sot e asaj dite, Dukagjin Gorani më s`kishte kthyer përgjigje me shkrim. Përkundër kërkesës që kishte bërë për njohje të statusit të doktorantit, ai tash thekson se kjo nuk është me rëndësi për të.

“Këtu për shkak të rregulloreve të caktuara nuk kam mujt me u nostrifiku, që unë nuk e kam parë atë problem edhe se kam vazhdu meqenëse nuk ka qenë tepër me rëndësi për mu nostrifikimi. Këto aspekte procedurale që shikohen në Kosovë, në universitetet atje nuk janë shumë  të rëndësishme e lërë më kritike. Mirëpo, atje është sistem britanik e këtu sistem tjetër fare. Këtu këqyren letrat e dokumetet e këto….”

Media përmes një kërkimi në listën e deputetëve në faqen e Kuvendit të Kosovës ka vërejtur se në CV-në e ish deputetit, Dukagjin Gorani nuk figuron fare shkollimi i tij. Ndonëse me shkollë të mesme,  Gorani pretendon të bëhet përfaqësues i popullit edhe për mandatin e dytë.   

“Nuk kam mendu që si deputet janë me rëndësi gradat, shkollimi e këto….” ka thënë Gorani kur është pyetur për këtë çështje.  

Para se t`i hynte politikës, Gorani kishte qenë analist i rregullt politik në një emision televiziv.  Duke kritikuar ashpër politikën ditore në vend, ai kishte fituar simpatinë e publikut duke u katapultuar në politikë nën ombrellën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ishte ndër figurat e këtij subjekti që kishin dalë nga Vetëvendosje dhe kishin themeluar subjektin e ri, Partinë Socialdemokrate.

Së fundi, Gorani po e synon karrigen e deputetit për mandatin e dytë duke konkuruar në listën e koalicionit AAK-PSD.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat