Zeka: Nuk më ka ftuar Prokuroria dhe s’do t’ia jap asnjë informacion për blerjen e votave

Aktuale

Zeka: Nuk më ka ftuar Prokuroria dhe s’do t’ia jap asnjë informacion për blerjen e votave

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 14:35
Milaim Zeka

Milaim Zeka thotë se nuk është ftuar nga Prokuroria e Shtetit, ndonëse nga ky institucion kanë thënë se do ta intervistojnë Zekën për një deklaratë rreth blerjes së votave.

Kreu i Partisë Euroatlantike, Milaim Zeka  thotë se nuk është ftuar nga Prokuroria ndërsa është shqetësuar kur ka parë që hetuesia është deklaruar për media, në vend që ta lajmërojë atë.  

“Jo nuk më kanë ftuar. Jam në Gjermani. Mirëpo kjo tregon se është joprofesionale dhe frikësuese që Prokuroria e Shtetit të shpërndajë në media para se të të ftojë”, është shprehur Zeka.

Prokuroria të mërkurën njoftoi se do ta intervistojë Zekën të enjtën (sot), pasi ai tha se ka informata se në rajonin e Drenicës janë dhënë qindra mijëra euro për vota.

“Milaim Zeka, do të ftohet nesër për dëgjim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ku deklaron se ka informata për blerje të votave në rajonin e Drenicës”, thuhen në një përgjigje të Prokurorisë së Shtetit.

Kryetari i PEK’ut thotë se do t’i përgjigjet pozitivisht Prokurorisë, nëse e fton, por shton se nuk ka asnjë informacion për t’ua dhënë atyre.

“I përgjigjem ftesës, pro nuk kam informacion për Prokurori. Nuk e kam përmend asnjë emër të partisë. Kam informacion timin që e posedoj nga ndërkombëtarët. Pra ndërkombëtarët më kanë thënë se një parti, pa e përmendur cila, ka dhënë 220 mijë euro gjatë natës për të blerë 6 mijë vota”, ka treguar ai.

Zeka refuzon që t’i ofrojë Prokurorisë “informatat e tij”, duke thënë se “mund t’i bëjnë vetë hotimet”.

Ish-deputeti i Nismës, ka deklaruar se partitë e mëdha po japin miliona euro për fushatë dhe se ka filluar blerja e votave. Madje ka treguar një rast, ku sipas tij, një qytetar është kërcënuar se nëse nuk e fotografon votën, atëherë do të detyrohet të paguajë dyfish për të.

“Partitë e mëdha janë duke i dhënë milionat në fushatë. Ka filluar edhe blerja e votave, kemi informacion. Sot për shembull e kam një informacion që i kanë thënë njërit i ke 50 euro për një votë. Në qoftë se nuk na e fotografon voton, ke me i pagu 100 euro pas datës 6”, ka thënë Zeka.

Një rast tjetër, sipas Zekës, përfshin rajonin e Drenicës, ku një parti ka dhënë qindra mijëra euro për të blerë gjashtë mijë vota.

“Kemi informacion nga ndërkombëtarët se një parti politike në zyrën e saj në orën 2 të natës i ka paguar 220 mijë euro me i ble gjashtë mijë vota në Drenicë”, ka thënë kryetari i PEK’ut.

Për këtë të fundit, Prokuroria e Shtetit tha se do ta marrë në pyetje sot gjatë ditës./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat