Veseli: Do të punoj për të fuqizuar ndërmarrësit, Kosovën do ta bëjmë vend më të mirë

Aktuale

Veseli: Do të punoj për të fuqizuar ndërmarrësit, Kosovën do ta bëjmë vend më të mirë

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 15:08
Foto nga takimi

Kandidati për kryeministër nga PDK Kadri Veseli, ka deklaruar se do t'i shkojë deri në fund luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit, e këtë ai tha se do ta bëjë për t'i dhënë perspektivë të rinjve të vendit.

Veseli gjatë vizitës sot në fabrikën e mobileve "Te Naseri" në Shirokë të Suharekës, tha se do të krijojnë perspektivë për të gjithë ata djem e vajza që duan të qëndrojnë në Kosovë.

Veseli: Kosovën do ta bëjmë vend më të mirë

"Ndjehem i emocionuar dhe krenar kur shoh ndërmarrës të tillë, të cilët me punën e vet tregojnë nga duhet të shkojë Kosova. Kjo është rrugë e ardhshme e Kosovës, është zhvillimi ekonomik, është perspektiva për të rinjtë e të rejat tona me qëndrua këtu, është mundësia më e mirë për një Kosovë perëndimore. Ju e dini që unë i kam vënë vetes prioritet pikërisht këtë çështje, kam shpallur luftë të hapur dhe do t'i shkoj deri në fund luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit, për faktin se do t'i japim perspektivë këtyre vajzave e djemve që janë të vendosur për të qëndruar për të zhvilluar Kosovën e tyre. Ne nuk kemi tjetër vend, ne nuk kemi tjetër tokë, por si Zotin lart e kemi tokën tonë poshtë dhe duhet ta bëjmë këtë vend më të mirë dhe kemi për ta bërë", tha Veseli.

Pretendenti për kryeministër të vendit u shpreh se nuk do të merret me fjalë, por do të punojë për të fuqizuar ndërmarrësit në vend.

Veseli: Më së shumti i dua njerëzit që punojnë për zhvillimin e Kosovës

"Nuk do të merrem shumë me fjalë, nuk do të merrem me askënd, krejt i dua qytetarët e vendit tim, por më së shumti i dua ata njerëz, të cilët punojnë dhe do të mundohen të zhvillojnë Kosovën. Çdo fuqi financiare dhe institucionale që e ka Republika e Kosovës, do ta bart për t‘i fuqizuar këta ndërmarrës, për të krijuar perspektivë ndërmarrësve dhe të rinjve e të rejave për të qëndruar dhe për ta zhvilluar vendin tonë. Për faktin se duam t'i rrisim fëmijët këtu, të jetojnë këtu dhe të krijojnë të ardhme bashkërisht këtu. Ndërmarrësit sikurse ju në këtë kompani me një teknologji të jashtëzakonshme janë pikërisht udhë-rrëfim se kah duhet të shkojë Kosova dhe po ua jep fjalën se në këtë drejtim do të shkoj", tha ai.

Kandidati për kryeministër nga PDK Kadri Veseli gjatë ditës do të vizitojë edhe disa ndërmarrje të tjera në qytetin e Suharekës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat