Dekorohet familja e Sabit Zogajt, vendi ku ishte vendosur Qeveria e Përkohshme

Aktuale

Dekorohet familja e Sabit Zogajt, vendi ku ishte vendosur Qeveria e Përkohshme

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 15:15
Foto nga dekorimi

I ndahet “Urdhri i Lirisë” familjes së Sabit Zogajt, aty ishte vendosur Qeveria e Përkohshme dhe Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së.

Në 20 vjetorin e themelimit të TMK-së, dy ish-shefet e Shtabit të UÇK-së, Agim Çeku dhe Bislim Zyrapi, sot e kanë vizituar shtëpinë ku ishte vendosur Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së.

Familjes së Sabit Zogajt, pronarë të shtëpisë, këshilltari i Presidentit të Republikës së Kosovës, Bislim Zyrapi, në emër të presidentit Thaçi i ndau edhe dekoratën “Urdhri i Lirisë”, për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës.

Sabit Zogaj, i cili pranoi këtë dekoratë, ka thënë se ato ishin ditët më të lavdishme për gjithë popullin.

Zogaj: Ishin ditët më të lavdishme për ne

“Janë emocione të veçanta, kur kujtojmë pas 20 viteve të gjitha ato që janë ditët më të lavdishme për ne dhe gjithë popullin e Kosovës”, ka thënë Zogaj.

Ndërsa, ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Agim Çeku, theksoi se ndjehet jashtëzakonisht mirë që sot është në mesin e atyre që kanë shkuar në këtë familje për të kujtuar 20 vite nga transformimi i UÇK-së.

Çeku: Kjo shtëpi ka qenë një bazë shumë e rëndësishme e UÇK-së

“Jemi ardh në vendin e duhur, te familja e duhur. Pikërisht në këtë shtëpi, e cila ka qenë një bazë shumë e rëndësishme e UÇK-së. Këtu janë marrë vendime të rëndësishme, këtu kanë qëndruar njerëz të rëndësishëm. Në këtë shtëpi kanë filluar bisedimet për demilitarizim dhe transformim, bisedime të cilat kanë zgjatur nga 13 deri më 20 qershor. Këtu, në këtë shtëpi, kanë qëndruar gjeneralët e famshëm të NATO-s”, ka theksuar ai.

Ata më pas vizituan edhe Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, ku sipas Çekut dhe Zyrapit, aty është shkruar historia, është bërë historia dhe janë marrë vendime të rëndësishme për luftën. 

Çeku: Këtu është bërë historia, është vend që kurrë çizmja e serbit nuk ka shkelur asnjëherë

“Këtu është shkruar historia, është bërë historia, këtu janë marrë vendime të rëndësishme për luftën tonë. Një vend shumë i bukur, një vend i zgjedhur në mënyrë shumë profesionale, në mënyrë strategjike, nëse shikoni në hartën e Kosovës është pikërisht në mes të Kosovës, është pikë e lartë nga ku kemi pas komunikim me radio me të gjitha njësitë, të gjitha zonat, kështu që është vend që kurrë çizmja e serbit, policit, ushtarit, paramilitarit serb nuk ka shkelur asnjëherë”, ka thënë Çeku.

Delegacioni i kryesuar nga dy ish-shefet e Shtabit të UÇK-së në fund vendosën kurorë lulesh tek kompleksi i dëshmorëve në Kleçkë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat