Ndalohet përdorimi i veturave zyrtare gjatë fushatës zgjedhore për stafin politik

Aktuale

Ndalohet përdorimi i veturave zyrtare gjatë fushatës zgjedhore për stafin politik

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 16:08
Kujtim Gashi

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në bazë të kompetencave të tij të mbështetura në ligj, ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të automjeteve zyrtare gjatë 24 orëve për stafin politik.

Në vendim thuhet se obligohen zëvendësministrat, këshilltarët dhe stafi tjetër i kabinetit që automjetet zyrtare, të cilat i kanë pasur në shfrytëzim 24 orë t’i dorëzojnë dhe t’i kthejnë në parkingun e MKRS-së, duke shfuqizuar çdo vendim të mëhershëm. 

Ministri Gashi ka thënë se përmes këtij vendimi synohet të parandalohet keqpërdorimi i automjeteve në fushatën zgjedhore, të ruhet imazhi i institucionit dhe të ketë zbatueshmëri të plotë të legjislacionit, njëkohësisht dëshiron të krijojë një praktikë të re institucionale për të të gjithë pasardhësit e tij politikë. 

“Tashmë kur fillon fushata dhe rritet qarkullimi dhe kontaktimi e komunikimi me sa më shumë qytetarë, me qëllim të parandalimit të keqpërdorimit të veturave zyrtare në kohë fushate zgjedhjesh, kam marr këtë vendim, i cili përpos që do të reduktojë shpenzimet e ministrisë, do të ruajë imazhin jo vetëm të institucionit por edhe të personave që janë përgjegjës për veturat zyrtare”, tha ministri Gashi. 

Një veprim i këtillë është cilësuar nga ministri si hapi i parë që ka ndërmarrë ndonjë ministër në të mirë të institucioneve dhe ndalimit të keqpërdorimeve eventuale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat