Haradinaj thotë se është më i mirë se Veseli, Limaj e Osmani

Aktuale

Haradinaj thotë se është më i mirë se Veseli, Limaj e Osmani

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 16:22
Ramush Haradinaj

I ftuari i radhës në kuadër të forumit FOL Hapur ishte Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se për dialogun me Serbinë duhet të ketë konsensus të brendshëm.

Ai foli rreth funksionimit të shtetit, duke thënë se është shumë me rëndësi raporti mes atyre që marrin përgjegjësitë dhe ligjit.

Sipas tij, personat të cilët udhëheqin duhet që veç tjerash, të kenë edhe guximin dhe siç u shpreh, në këtë aspekt ai është dëshmuar, duke zbatuar një kulturë të re qeverisëse në zbatimin e detyrave.

Haradinaj: Kam dëshmuar kulturë të re të qeverisjes

“Por se çka është suksesi i një shteti funksional, atëherë përpos marrëdhënies që është e bazuar në normë, është edhe fuqia, guximi dhe dija e tyre, që kanë vënë qëllimet e tyre në shtet, në përputhje me mandatin dhe me i zbatuar ato...  Kushdo që të udhëheqë në rastin konkret me ekzekutivin, duhet të ketë aftësi zbatuese... Mendoj se këtu kam dëshmuar një kulturë të re të qeverisjes si kryetar qeverie, një kulturë zbatuese”, ka thënë Haradinaj.

Rreth paralajmërimit të rrënimit të disa shtëpive nga Mali i Zi, të banorëve shqiptarë në zonën afër kufirit, përkatësisht në Stanishë të Dubovikut, Haradinaj tha se nuk ka arritur të ndërmarrë procedurat e nevojshme, sepse  është njoftuar para dy ditësh, por potencoi se duhet të arrihet marrëveshje ndërshtetërore për shfrytëzim të zonës nga ana e banorëve.

 Ai pranoi se ajo zonë i përket territorit të Malit të Zi.

Duke thënë se asnjë udhëheqës nuk ka qëndrime më të qarta se sa ai, kryeministri në detyrë, u shpreh se gjatë mandatit të tij ka arritur që dialogun ta bëj krejtësisht transparent nga takimet e fshehta, duke involvuar shtetet më të fuqishme evropiane, por edhe Uashingtonin zyrtar.

Haradinaj shtoi se për dialogun në të ardhmen duhet gjithsesi të arrihet konsensus i brendshëm.

Haradinaj: Dialogun nga takimet e fshehta e kemi kthyer në tavolinë serioze

“E kemi hequr dialogun prej dyerve të mbyllura, nga takimet e fshehta, të agjendave jotransparente, për popujt në fjalë, qoftë për Kosovën, Serbinë, qoftë për rajonin, për lëvizje të kufijve e ndarje të Kosovës, dhe e kemi kthyer në një tavolinë serioze  të dy udhëheqësve më të lartë evropian, po ashtu kemi rezultu me një involvim shumë më direkt të Uashingtonit zyrtar, pra kam mënjanu krejtësisht një dialog çfarë ka qenë duke ndodhur... Për dialogun e ardhshëm do të arrihet një konsensus në Kosovë, është e vërtetë se me vendim të gjykatës është fokusuar  përgjegjësia tek kryeministri, por është mirë që mos të mendojë askush se dialogu është çështje e një të mandatuari, për faktin se jemi Republikë parlamentare dhe duhen 2/3....Mendoj se prej udhëheqësve të Kosovës askush nuk ka qëndrime më të qarta, sepse s’kam lënë asnjë mjegull në atë që duhet me ndodhë një marrëveshje “, th eksoi Haradinaj.

Në lidhje me kolegët e deritashëm me të cilët ka qenë në pushtet, Haradinaj foli kryesisht fjalë të mira, përkundër  dallimeve në situata të caktuara, për të cilat siç u shpreh ai, kanë rezultuar me ndarjen e rrugëve mes tyre.

Haradinaj: Dallimet për temat shumë të rëndësishme,  rezultuan me ndarjen tonë

Kadriu e Fatmiri kanë qenë shumë kolegë të mirë, kam punu shumë mirë me ta. Kemi pasur disa dallime në momente të caktuara që s’i dini, në disa tema shumë të rëndësishme për vendin. Kjo ka rezultuar që secili ka shkuar rrugës së vet. Fati është se temat nuk kanë pësuar, pra jam bërë unë nervoz, është bërë dikush tjetër, por është fat i madh që temat e interesit nacional nuk kanë pësuar. P.sh ushtria e Kosovës sot është realitet,.. pastaj Trepça është zgjidhur, territori nuk ka pësuar,”, tha ai.

Haradinaj nuk përjashtoi mundësinë që liberalizimi i vizave të ndodhë para festave të Krishtlindjeve.

Haradinaj:  Liberalizimi para krishtlindjeve

“Është opsionale që Kosova me marrë lajmin e mirë për liberalizimin e vizave para krishtlindjeve. S’ka të bëj me zgjedhjet, por është opcional që para krishtlindjeve me qenë në rend dite, pra në Këshillin e ministrave të BE-së dhe me ndodhë vendimi”, u shpre Haradinaj.

Ai duke folur për oponentët e tij politikë veç e veç, tha se është më i mirë se ata.

Haradinaj: Të tretë bashkë s’mund ta bëjnë 30 përqindshin e punës time

“Jam prej politikanëve që më me zor zgjidhem dhe marrë detyrën, por në punë jam më i mirë se të tjerët.  Pra nëse vjen puna për zbatim, vetëm me marrë 11 muajshin e punëve të kësaj qeveri dhe se çka ka ndodhë, i bjen se nuk munden me u shty me mua. Zotëri Kurti s’ka pasur asnjëherë përvoja menaxheriale, ekzekutive, zbatuese, .. edhe zonja Osmani nuk ka rastisë ndonjëherë me pas përgjegjësi zbatuese, ekzekutive, menaxhuese,  me Veselin kam punuar shumë gjatë, nuk mendoj se është shumë i fokusuar dhe e ka paqëndrueshmërinë që i ka ndodhur në raste të caktuara dhe në momente kritike, ...Nuk kanë rast këta me u afru as tek 30 përqindshhi i punës time, ndoshta me i bë tretë bashkë, 30 përqind të punës time s’mund ta bëjnë”, potencoi Haradinaj

Ai foli edhe rreth dialogut që duhet të bëhet mes Prishtinës dhe serbëve të këtushëm, duke thënë se Beogradi në raste të caktuar është treguar i pamëshirshëm ndaj vetë serbëve.

Haradinaj: Taksa nuk është me serbët e Kosovës

“Taksa nuk është me serbët e Kosovës, ata e dinë që kontesti  është me Beogradin zyrtar , i cili në raste të caktuara është tepër i pamëshirshëm për serbët e Kosovës, P.sh unë sot marrë plot ankesa  prej serbëve të Kosovës për pengimin  me bë demokraci lirshëm prej serbëve, pra serbët i pengojnë serbët.  Ju siguroj se shumica e udhëheqësve serbë të Kosovës. Komunikojnë me mua shumë hapur.”, theksoi Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat