Dushi: Më lehtë ndërrohet Këshilli i Përgjithshëm i partisë se sa qëndrimi për koalicion me PDK-në

Aktuale

Dushi: Më lehtë ndërrohet Këshilli i Përgjithshëm i partisë se sa qëndrimi për koalicion me PDK-në

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 00:01
Florian Dushi dhe Vjosa Osmani

Kandidati i LDK-së për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, Florian Dushi, ka thënë se brenda partisë ka pasur pritje për bashkëpunim me Vetëvendosjen.

Sipas tij, LDK pas nominimit të Vjosa Osmanit për kryeministre dhe pas asaj që kanë ofruar Vetëvendosje, kanë vendosur të shkojnë vetë në zgjedhje.

Ai thotë se Osmani ka thënë në vazhdimësi që LDK-ja nuk do të futet në asnjë lloj partneriteti me PDK-në, gjë që sipas tij është vendosur edhe në Këshillin e Përgjithshëm.

“Rrethanat kanë ndryshuar që nga viti 2014. Rrethanat tash dallojnë sepse LDK e ka të qartë dhe të provuar sa i përket partneritetit me PDK, unë mendoj që më lehtë mund të ndërrohet Këshilli i Përgjithshëm se sa të ndërrohet qëndrimi për koalicion me PDK-në”, ka thënë ai.

Duke folur për kandidaturën e tij, ai thotë se pas zgjedhjeve të brendshme të partisë ka vendosur t’i hyjë garës për deputetë.

Dushi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se LDK-ja po bënë takime mobilizuese dhe parapërgatitje për fushatën më 25 shtator.

Sipas tij, pas qeverisjes së PAN-it qytetarët kanë pasur rikthim te LDK-ja duke shtuar që edhe pas kandidimit të Vjosa Osmanit për kryeministre, ky rikthim ka qenë edhe më i madh.

“Beso, sepse qytetarët në të gjitha takimet kanë qenë mosbesues në të ardhmen në Kosovë. Ka pasur aq shumë veprime sa që njerëzit kanë humbur besimin, dhe ne duam t’ua rikthejmë atë dhe t’i ngjallim shpresat në këtë vend”, ka thënë ai.

Dushi tutje ka shtuar se në takimet e përditshme kanë parë mbështetje të madhe për Lidhjen Demokratike, derisa ka shtuar se synojnë numër të madh të ulëseve në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat