Osmani nga Gjilani: Edhe 16 ditë përfundon mentaliteti plaçkitës

Aktuale

Osmani nga Gjilani: Edhe 16 ditë përfundon mentaliteti plaçkitës

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 17:37
Vjosa Osmani në Gjilan

(E plotësuar) - Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të premten në një takim me rininë e Gjilanit, se edhe 16 ditë kanë mbetur nga dita e zgjedhjeve, kur me fitoren tonë do të përfundojë mentaliteti plaçkitës në Kosovë.

“Kanë mbetur edhe 16 ditë deri në momentin e fitores sonë. Vetëm edhe 16 ditë durim nga njerëzit që kanë vendosur në Kosovë një mentalitet plaçkitës. Ata vendosën në Kosovë kleptokracinë, vendosën në Kosovë mentalitet të të paditurve dhe të rrezikshmëve. Edhe 16 ditë atyre ju vjen fundi. Edhe 16 ditë fitorja e LDK-së do të jetë fitorja e qytetarëve të Kosovës, do të jetë në veçanti moment historik për rininë e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo pohoi se me votën e lirë të qytetarëve, më 6 tetor do t'i dërgojmë në opozitë njerëzit që vetëm krimin dhe korrupsionin e kanë ekspertizë. “Ata do të shkojnë në opozitë, jo vetëm për katër vite por në minimum 12 vjet”, ka shtuar Osmani.

Ajo i ka falënderuar të rinjtë e Gjilanit dhe gjithë Kosovës për përkrahjen që po i japin projektit të saj për qeverisjen e Kosovës me duar të pastra.

“Në 2013 unë dhe z. Haziri ishim bashkë në garën e Gjilanit dhe natyrisht fituam. Nuk ka ndodh asnjëherë që ne dy të bëhemi bashkë dhe të mos fitojmë, kështu që edhe tani është e pashmangshme fitorja e LDK-së në zgjedhje”, ka shtuar Osmani.

Haziri: Vjosa do të jetë kryeministre që qeverisë me ligj e kushtetutë e jo me klane

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë të premten gjatë një tubimi me të rinjtë e Gjilanit, se kandidatja e kësaj partie për kryeministre Vjosa Osmani do të shënojë fitore historike në zgjedhjet e 6 tetorit, për tu bërë zonja e shtetit të Kosovës që qeveriset me ligj e kushtetutë, e jo me klane.

“LDK kësaj radhe ka vendosur me unanimitet të madh me i dhanë mbështetjen e plotë Vjosës për kryeministre, sepse kjo mbështetje ka me e bë kryeministre dhe kundërshtarët kanë me na pa ëndërr. Mbajeni mend ata që po mendojnë dhe ata që po donë me e nxjerr Vjosën si kryeministre që nuk është zonjë e shtëpisë unë ju them nga Gjilani se ka ardhur koha që zonja e shtëpisë të bëhet zonja e shtetit”, ka thënë Haziri, në tubimin ku e pranishme ishte edhe kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se Osmani do të veprojë me pavarësi të plotë ndërsa ka dërguar mesazh për ata që deri tani ishin në qeveri.

Image

“Le të bahen burrat e fortë gati me e pastru deskun e qeverisë, tavolinat e tyre dhe t'i lëshojnë zyrat se Vjosa do bëhet zonje e shtetit dhe do të vendosë me autorizime kushtetuese e ligjore, e jo me sms, telefona, me ndikime e me klane, sepse kjo nuk është kulturë e Vjosës as e LDK-së. Vjosa do të vendosë plotësisht e pavarur, sepse LDK-ja ia ka dhanë mandatin më 3 gusht e pas saj Kushtetutën dhe ligjet në dorë. Nuk i ka dhanë shkop e mjetet tjera. I ka dhanë instrumentet e shtetit me i udhëheq në mënyrë të pavarur pa ju përzier askush, askund dhe për asgjë”, ka thënë Haziri.

Haziri: Vjosa është zonjë shtëpie në LDK, më 6 tetor do të bëhet zonjë e shtetit

Nënkryetari i LDK-së dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri sot së bashku me kandidaten e partisë për Kryeministre, Vjosa Osmani. kanë qëndruar në një tubim me të rinjtë në Gjilan.

Image

Haziri ka thënë se Vjosa Osmani nuk do të jetë vetëm por do të ketë mbështetje të madhe nga të gjithë.

“Vjosa nuk është vet kemi me i qëndru prapa deri në minutin e fundit”, ka thënë Haziri.

Ai u ka dërguar mesazh oponentëve politikë të cilët kanë thënë se Osmani nuk do të mund të udhëheqë e pavarur.

“Ata të cilët po dojnë me i thanë Vjosës si kryeministre e cila  nuk është zonjë e shpisë, unë po ju them nga Gjilani, le ta majnë në mend që zonja e shpisë do të bëhet  zonjë e shtetit”, ka thënë Haziri.

Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së ka thënë që burrat në qeveri të bëhen gati të lëshojnë zyret pasi Vjosa do të bëhet zonjë e shtetit pas zgjedhjeve.

“Le të bëhen gati burrat e fortë të qeverisë le t’a pastrojnë deskun, mi lshu zyret sepse ka me u bë zonjë e shteti dhe ka me vendosë me autorizime kushtetuese dhe ligjore dhe jo me sms, me ndikime dhe me klane”, ka shtuar Haziri.

Ai ka thënë se Osmani do të vendosë plotësisht e pavarur sepse mandatin ia ka dhënë LDK me 3 gusht. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat