Rritja e numrit të gjyqtarëve pa rezultat në ngritjen e efikasitetit

Aktuale

Rritja e numrit të gjyqtarëve pa rezultat në ngritjen e efikasitetit

Më: 21 shtator 2019 Në ora: 12:40
Rritja e numrit të gjyqtarëve pa rezultat në ngritjen e efikasitetit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), sot gjatë një konferencë për media, ka publikuar raportin analitik “Krimet e Rënda në Kosovë, ligji VS praktika (Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve në rastet e trajtuara në Departamentet e Krimeve të Rënda të Gjykatave Themelore në Republikën e Kosovës, analizë e veçantë e trajtimit të rasteve të veprave penale të terrorizmit)”.

Raporti është analizë e detajuar e rasteve të Departamentin të Krimeve të Rënda (DKR) në shtatë prokuroritë themelore dhe shtatë gjykatat themelore, për periudhën kohore 1 janar 2018 – 30 qershor 2019. Për të njëjtën periudhë kohore, raporti i bënë një trajtim të veçantë rasteve të terrorizmit të cilat janë monitoruar nga IKD.

Gëzim Shala, hulumtues nga IKD, ka thënë se nga analiza që i ka bërë DKR-ve të shtatë gjykatave themelore, ka rezultuar se përkundër rritjes së numrit të gjyqtarëve në këto departamente, ka një ulje të numrit të lëndëve të zgjidhura.

“Të dhënat tregojnë se vit pas viti, pavarësisht rritjes së numrit të gjykatësve, uljes së numrit të lëndëve të pranuara, rezulton se DKR-të e gjykatave themelore kanë ulur efikasitetin e tyre në zgjidhjen e lëndëve. Që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, numri i gjyqtarëve në DKR të gjykatave është rritur për 19%, ndërsa efekti i kësaj rritje nuk ka rezultuar me rritje të numrit të lëndëve të zgjidhura, por përkundrazi ka pasur 334 lëndë më pak të zgjidhura. Efikasitet i ulët rezulton se ka qenë edhe në katër DKR të prokurorive themelore, ku sipas raporteve të Prokurorit të Shtetit del se ato nuk kanë arritur të përmbushin normën orientuese. Pavarësisht kësaj performance, në raporte zyrtare të këshillave nuk theksohet asnjë masë konkrete në drejtim të përmirësimit të situatës”, tha ai. 

Sipas Shalës, shqetësuese vazhdon të jetë edhe dukuria e parashkrimit apo vjetërsimit të lëndëve, ku të gjitha DKR-të, për 18 muaj janë 67 lëndë të parashkruara, 12 prej të cilave janë lëndë të korrupsionit.

Sabina Pergega, hulumtuese në IKD ka prezantuar gjetjet e raportit sa i përket rasteve të terrorizmit, ku sipas saj, rezulton se sistemi i drejtësisë këto raste i ka trajtuar në mënyrë më adekuate në krahasim me rastet e natyrave të tjera.

Ajo theksoi se në rastet e monitoruara të terrorizmit, IKD ka gjetur shkelje të afateve ligjore, duke përfshirë edhe raste të mbajtjes së kundërligjshme të të pandehurve në paraburgim.

“Në një rast tjetër, IKD ka gjetur se për një rast të vetëm i pandehuri ishte përballur me 8 procese gjyqësore, për shkak të kthimit të shpeshtë të lëndës në rigjykim”, tha Pergega. 

IKD në këtë konferencë ka rekomanduar që KGJK dhe KPK të bëjnë një analizë gjithëpërfshirëse të ngarkesës së DKR-ve me lëndë, në mënyrë që të kenë mundësi të ndërmarrin hapa për stabilizimin e këtyre departamenteve, veçanërisht sa i përket lëndëve të cilat barten vit pas viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat