Daka: Prokuroria dhe Policia të verifikojnë videon ku shihet manipulimi me vota

Aktuale

Daka: Prokuroria dhe Policia të verifikojnë videon ku shihet manipulimi me vota

Më: 23 shtator 2019 Në ora: 11:28
Valdete Daka

Shqetësuese por jo lehtë të verifikueshme nëse është autentike e ka quajtur kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, videon e publikuar një ditë më parë ku një bashkatdhetar që jeton në vendet evropiane, me inicialet V.K., shihet në një video-incizim duke votuar së bashku me dy vajza të tjera.

Derisa procesi i votimit vazhdon të jetë i hapur për bashkatdhetarët që jetojnë në vende të ndryshme botërore, Daka thotë se Prokuroria dhe Policia duhet ta verifikojnë videon ku personi në fjalë shihej duke i plotësonte 50 fletëvotime të shpërndara mbi tavolinë, për t’i dërguar në zyret e KQZ-së në Prishtinë përmes Postës.

Procesi i votimit jashtë Kosovës, sipas saj, është një proces i cili ka një integritet të cenueshëm.

Daka: Shqetësuese, por vështirë e verifikueshme videoja për manipulimin e votave

“Këtë video e kam parë sot në mëngjes. Është shqetësuese, mirëpo çështja e parë është sa është kjo video autentike dhe sa është e vërtetë. Kjo është një çështje që ne si KQZ nuk mundemi me e vërtetu”, tha ajo.

Ajo ka bërë të ditur se KQZ mund të bëjë vetëm verifikimin e dokumenteve të cilat u bashkëngjiten votave, kurse pjesa tjetër, në rast se ka manipulime, i mbetet organeve kompetente.

Daka: Videoja për manipulimin me vota, objekt i shqyrtimit nga Prokuroria dhe Policisë

“Ne si KQZ i bëjmë të gjitha ato që na lejon ligji. Pra, bëjmë vërtetimin e dokumenteve të cilat i bashkëngjiten këtyre votave, ndërkaq çështja e manipulimit pastaj, mund të jetë objekt i shqyrtimit nga ana e Prokurorisë dhe Policisë. Ne si KQZ, krejt çka mund të bëjmë është që të verifikojmë sesa janë të vërteta ato dokumente të cilat na dërgohen, për identifikimin e votuesit dhe a është ai votues në listën votues në listë votuese si votues jashtë Kosovës”, u shpreh ajo.

Duke e pranuar se manipulime të tilla edhe mund të ndodhin, Daka kujtoi edhe rastin e vitit 2013-të, kur KQZ kishte anuluar mijëra vota nga Serbia. 

Daka: Kjo ka ndodhur edhe me votat nga Serbia më 2013

“Kjo ka ndodhur edhe me votat nga Serbia. Ju e dini në vitin 2013 ne i kemi anuluar mijëra vota që kanë qenë të fabrikuara, por megjithatë rreziku gjithmonë ekziston dhe integriteti i këtyre votave është gjithmonë diskutabil dhe lehtë i cenueshëm sepse nuk ka mekanizëm tjetër se si të mbrohet kjo votë”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat