PEK hap fushatën, Milaim Zeka ‘vjell vrer’ ndaj klasës aktuale politike në vend

Aktuale

PEK hap fushatën, Milaim Zeka ‘vjell vrer’ ndaj klasës aktuale politike në vend

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 16:34
Partia Euroatlantike e Kosovës

Partia Euroatlantike e Kosovës ka hapur sot në Prishtinë zyrtarisht fushatën zgjedhore, me ç'rast është thënë se të gjitha premtimet e bëra nga kjo parti do të realizohen.

Kryetari i Partisë Euroatlantike Milaim Zeka ka kritikuar ashpër klasën aktuale politike, duke thënë se tash e dy dekada e ka vjedhur popullin e Kosovës, duke e sjellë në gjendje të rëndë sociale.

"Që 20 vjet se sa herë hyni në banjë e lutni Zotin që të mos ndalet uji, kur e shtroni darkën i luteni Zotit të mos ndalen dritat. Që 20 vjet kjo klasë politike e shiti tërë pasurinë e këtij vendi. Kjo klasë politike e ka sjellë qytetarin e Kosovës përpara dilemës a ta vrasë vetën apo të iki nga Kosova, kjo klasë ka bërë që një numër i ushtarëve të UÇK-së të vrasin veten pas luftës. Kjo klasë e ka poshtëruar Adem Demaçin, e shumë njerëz të tjerë duke sjellë ministra e zëvendës ministra, njerëz që kanë qenë pjesë e shërbimit sekret. Këta njerëz të tipit të Kadri Veselit, Hashim Thaçit, Fatmir Limajt, Jakup Krasniqit e Ramush Haradinajt që e dinë me emër e më mbiemër se kush e ka spiunuar Kosovën edhe para luftës, janë bërë bashkë me këtë kor të fëlliqur për ta fëlliqur Kosovën. Këta nuk kanë turp, këtyre nuk iu vjen marre. Janë këta politikanë që për një vit kanë shpenzuar 12 milionë euro dr eka darka, udhëtime zyrtare dhe prostituta, sepse këta e kanë kthyer Kosovën në vend të prostitucionit”, tha Zeka.

Sipas tij, me klasën aktuale politike në vend nuk do të bëhet ‘liberalizimi i vizave as deri në Komoran’.

Kryetari i Partisë Republikane të Kosovës dhe kandidat për deputet Faton Kurti tha se ideja e koalicionit PEK-REK është bërë për të fituar në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Koalicioni dhe ideja që të garojnë në një listë të përbashkët lindi me nevojën që Kosovës i duhet një politikë e re. Në thelb të programit tonë është luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik, forcimi i ushtrisë. Ne nuk bëjmë premtime, por ofrojmë koncepte si Kosova mund të marrë kthesën në autostradën drejt zhvillimit ekonomik", tha ai.

Ai ka treguar disa nga pikat programore që i kanë, si reformimi dhe ridemensionimi i sektorit të drejtësisë, prokurorisë, gjyqësisë, dekriminalizimi i politikës, konfiskimi i pasurisë, heqja e imunitetit të deputetëve në rast të përndjekjes penale, zvogëlimi i qeverisë në vetëm 11 ministri, integrimi i intelektualëve nga diaspora, ribashkimi me trojet shqiptare, heqja e vendeve të rezervuara për pakicat në Kosovë dhe që të jenë 6 vende të rezervuara në Kuvend për diasporën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat