Isufi: Kemi programin dhe njerëzit që garantojnë qeverisje të përgjegjshme

Aktuale

Isufi: Kemi programin dhe njerëzit që garantojnë qeverisje të përgjegjshme

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 17:07
Ahmet Isufi

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së në legjislaturën e fundit dhe nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi, ka thënë se lista e koalicionit AAK-PSD dhe kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj e kanë dëshmuar se janë oferta më e mirë për qytetarët në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Në intervistën “Kandidatët” për KosovaPress, Isufi tha se programi 100% Kosovë është përmbledhje e veprimeve dhe politikave thelbësore për ruajtjen dhe zhvillimin e Kosovës ku në qendër të tij është qytetari i Kosovës.

Duke u ndalur tek ekonomia dhe krijimi i vendeve të reja të punës, Isufi deklaroi se politikat buxhetore do të jenë të tilla që të mbështesin drejtpërdrejt krijimin e vendeve të reja të punës dhe punësimin e rinisë.

Në programin e koalicionit AAK-PSD parashihet edhe ngritja e një Fondi Zhvillimor që do t’iu dalë në ndihmë bizneseve kosovare për të rritur kapacitetet e tyre dhe njëkohësisht për të nxitur të hapin vende të reja të punës.

Isufi: Fondi Zhvillimor në përkrahje të ndërmarrjeve kosovare

“Fondi zhvillimor ka për synim që të ngritë kapacitetet sidomos ato prodhuese, të stimulohen sepse ju e keni parë që me taksën diku mbi 25% kemi ngritje të kapaciteteve të prodhimtarisë në Kosovë e që ka bërë pikërisht ndërmarrësit të jenë me satisfaksion që qeveria po i përkrahë dhe është në gjendje të vazhdojë më tutje dhe me këtë fond parashihet që gjithkund të ndërhyhet në mënyrë të përkrahjes së ndërmarrjeve të caktuara të cilat do të mund ta ringjallin ekonominë e Kosovës”, tha Isufi.

Mirëpo, Isufi thekson se në programin e tyre parashihen investime konkrete edhe në arsim, shëndetësi, mjedis e bujqësi që sipas tij garantojnë zhvillim të gjithmbarshëm.

Përpos programit, nënkryetari i AAK-së, thotë se lideri dhe kandidati i për kryeministër Ramush Haradinaj ka dhënë prova se di të udhëheqë me përgjegjshmëri të lartë.

Për 18 muaj si kryeministër, Isufi thotë se Haradinaj bëri që Kosova të dëshmojë se është vend sovran dhe të marrë vendime ne interes të shtetësisë së Kosovës.

Isufi: Haradinaj ka dhënë prova të qeverisjes së përgjegjshme

“Elektorati i Kosovës do ta votojë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partinë Socialdemokrate si koalicion, për shkak se janë dhënë prova se nuk ka qeverisur kush më mirë se zoti Haradinaj gjatë këtyre 18 muajve se është një vend sovran i cili merr vendime për vete që zoti Haradinaj e ka treguar këtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot i ka në qeverisje shtatë komuna në të cilat kryetarët e komunave janë të respektueshëm, kredibilë dhe madje kanë ngritur në të gjitha sferat atë që quhet cilësi e jetës dhe duke investuar, duke mos u korruptuar, kanë një gjendje shumë më stabile se sa që e kanë pasur përpara, po ashtu edhe PSD-ja e ka sot Prishtinën që e udhëheq me ligj sepse deri më tani nuk ka ekzistuar ligji, fondet janë shtuar dhe zoti Haradinaj për shkak se të gjitha komunat pa dallime politike ka bërë investime në bazë të kërkesave dhe nevojave të tyre dhe projekteve që i kanë sjellë komunat, mad je nga Agjencia e Privatizimit iu ka ofruar pronat të cilat deri dje i kanë pasur të kufizuara dhe të pashfrytëzuara d.m.th kemi një qeverisje që është e përgjegjshme dhe e cila ka sjellë dobi në Kosovë duke e bërë në njëfarë mënyrën Kosovën t’i vijë erë shtet siç po thonë qytetarët, dhe kjo është paraprijëse e një programi të mirë ekonomik e social i cili do të mundësojë një jetë më të mirë të qytetarëve të Kosovës, prandaj nëse duhet një lider të votohet për kryeministër zoti Haradinaj, nëse duhet një parti të votohet ose koalicion siç është koalicioni ynë duhet të votohet për shkak se gërshetohen, edhe pikëpamjet ekonomike, edhe ato sociale që në fund ato rezultojnë me një mirëqenie më të mirë të qytetarëve”, deklaroi Isufi.

Ndërkohë, vet Ahmet Isufi i cili kandidon me numrin 17 në listën për deputetë të koalicionit AAK-PSD, garanton se taksa e vendosur për produktet serbe nuk do të hiqet në Haradinaj vazhdon të udhëheqë me vendin.

Edhe pse njohës dhe analistë mendojnë se taksat mund të pezullohet ose hiqet për shkak të kërkesës dhe presionit ndërkombëtar, Isufi thotë se kjo nuk do të ndodhë në rast se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Isufi: Taksa nuk hiqet pa na njohur Serbia

“Ne do të jemi në qeveri dhe taksa nuk do të hiqet. Sepse Serbia duke shfrytëzuar tregun e Kosovës, duke marrë rreth 1 miliard euro nga Kosova në vit ka lobuar kundër Kosovës dhe po vazhdon edhe më tutje të lobojë, armatoset me paratë e tilla nga xhepi i qytetarëve të Kosovës, prandaj kjo nuk duhet t’i lejohet më sepse dëmton interesin e Kosovës dhe taksa është vënë si kusht që Serbia ta njohë Kosovën derisa të mos e njohë Serbia Kosovën taksat vazhdon të mbetet në fuqi”, vijoi Isufi.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat