Veseli: Sa më e fortë është PDK-ja, aq më e fortë është Kosova

Aktuale

Veseli: Sa më e fortë është PDK-ja, aq më e fortë është Kosova

Më: 26 shtator 2019 Në ora: 17:12
Kadri Veseli

( E plotësuar) - Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka mbajtur një tubim në Zhur të Prizrenit, ku edhe ka kërkuar votën e qytetarëve atje.

Në një tubim me elektoratin e tij, Veseli tha se Prizreni për partinë që ai e udhëheq, është një nga degët më të veçanta.

Aty Veseli premtoi qasje në tokat bujqësore, rregullimin e urës dhe të ujësjellësit.

Ai ka ftuar banorët e Zhurit dhe të Prizrenit që votojnë për PDK-në, pasi sipas tij, në këtë mënyrë këta të fundit votojnë për vetveten, për konceptin e ndërmarrësisë dhe për konceptin e Kosovës së integruar në Bashkimin Evropian.

Veseli: Kushdo që është për luftën kundër korrupsionit voton për PDK-në

“Kushdo që është për ekonominë e dijes, ndërmarrësisë, prodhimit të qëndrueshëm, kushdo që është për luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit është me Partinë Demokratike të Kosovës dhe kemi me qenë bashkë për 4 vitet e ardhshme. Përndryshe, nuk ka perspektivë Kosova me izolim, nuk ka perspektivë Kosova duke u ndarë me njëri-tjetrin, me ecë përpara... Po mundohemi t’i çojmë bashkë përpara ato ideale të cilat i kanë pasur ata që kanë rënë në altarin e lirisë shumë më herët. Dhe, kryetar, ju jeni bastion i PDK-së, nuk është ky premtim, është obligim, po ua jap fjalën, edhe ura, edhe ujësjellësi, na kanë mbet disa fshatra këtu, Bërnica, disa nuk po kanë qasje në tokat e tyre bujqësore, po u jap fjalën kam për t’i kryer një e nga një”, tha ai.

Pretendenti për kryeministër u shpreh se me PDK-në, forcohet Kosova e dobësohet Serbia.

Veseli: Sa më e fortë është PDK-ja, aq më e fortë është Kosova

“Me 6 tetor ju ftoj, ju dini me qenë bashkë, ju keni qenë bashkë gjithmonë, mos përkrahni opsione që ndajnë e që shajnë, që përçajnë. Përkrahni opsionet që çojnë përpara por edhe bashkojnë popullin e Kosovës. Sa më të bashkuar jemi, më shumë kemi me pas sukses, kështu që më 6 tetor votoni numrin 112, votone PDK-në sepse sa më e fortë është PDK, aq më e fortë është Kosova, e sa më e fortë është Kosova, aq më e dobët është Serbia”, u shpreh ai.

Kryetari i degës së PDK-së në Zhur, Bedri Hoxhaj, tha se Zhuri me rrethinë kanë qenë gjithmonë pro Partisë Demokratike.

Hoxhaj: Zhuri me rrethinë do t’i sjellë fitoren Partisë Demokratike

“Nëse në të kaluarën i kemi besuar PDK-së, e them me bindje të plotë, ne e kemi pak si lokalitet një veti, pak më ngadalë besojmë, por kur vërtet besojmë, atë besim nuk e humbim lehtë. Po e them me bindje se Zhuri me rrethinë prapë do t’i sjellë fitoren Partisë Demokratike”, tha Hoxhaj.

Në emër të banorëve të këtij fshati, Hoxhaj tha se një problem jetik që i ka përcjell tash e sa kohë është mungesa e kapacitetit të ujit të pijes, për çka u shpreh optimist se me PDK-në do të zgjidhet kjo çështje

***

Partia Demokratike e Kosovës do të shënojë fitore bindëse me 6 tetor, kjo pasi është e vetmja parti që nuk flet po vepron. Kështu ka deklaruar në Komunën e Dragashit kandidati për kryeministër nga kjo parti Kadri Veseli.

Ai tha se janë të vetmit që kanë vizion, program e platformë në rrugëtimin euroatlantik.

Veseli: Do të jetë një fitore bindëse e PDK-së

"Me 6 tetor do të jetë një fitore bindëse e PDK-së. Nuk kanë pse me u çuditë askush, nuk kanë pse për t'u çuditur për faktin se qytetarët po e dinë se jemi të vetmit që nuk flasim por veprojmë, jemi të vetmit të cilët kemi vizion, kemi program e platformë për rrugëtimin tonë euroatlantik. Ne nuk fyejmë, ne nuk shajmë, ne merremi me problemet të cilat i ka Kosova dhe do t'i zgjedhim ato një për një me vendimet të cilat do t'i marrim që nga data 7 tetor, ne do të jemi bashkë për të mos u ndarë, për t'i hapur një perspektivë Kosovës tonë. Kushdo që është për Kosovën euroatlntike, kushdo qe është për ekonominë e prodhimit, për Kosovën e fuqishme bashkë me ShBA-të dhe partnerët le ti bashkohet vizionit të PDK-së", tha Veseli.

Ai premtoj se në qeverisjen e tij do të përkrahen të rinjtë e vendit, inovatorët, fermerët. Veseli tha se i gjithë fokusi do të jetë në fuqizimin ekonomik të vendit.

Fokus sipas Veselit, do ta kenë Kosovën e bashkuar drejtë integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Veseli: 6 tetori është dita e kthesës historike për Kosovën

"6 tetori është dita e kthesës historike për Kosovën, 6 tetori është koncepti i ri i vizionit euroatlantik, e cila e zhvillon Kosovën nuk e izolon, e cila e bashkon Kosovën nuk e ndan, e cila e mban Kosovën më afër ShBA-ve dhe Bashkimit Evropian, e jo konfrontim me ta. Ky është vizioni ynë i cili është vizion i perspektivës, vizion i çdo qytetari", tha ai.

Pretendenti për kryeministër në Dragash u shpreh se kur fiton PDK, fiton Kosova, e sipas tij, kur është e fortë Kosova e dobët është Serbia.

Veseli i ka ftuar qytetarët e Dragashit që të përkrahin Ilir Kurtishin, që sipas tij është një kandidat që do t'i ndihmojë të gjithë qytetarët pas zgjedhjes së tij si deputet.

Përkrahje për vete dhe shefin e tij ka kërkuar kandidati për deputet nga PDK dega në Dragash, Ilir Kurtishi.

Ai tha se në Kosovë ka probleme të ndryshme, e sipas tij të gjitha këto probleme mund të zgjidhen në PDK dhe Kadri Veseli.

Kurteshi: Kosova ka nevojë për Kadri Veselin si kryeministër

"I vetmi njëri që ka guxim dhe mundësi për të pasur suksese është Kadri Veseli. Kryeministri Veseli është i vetmi lider i cili deri sot nuk la qenë në detyrën e kryeministrit, prandaj Kadri Veseli duhet, do të jetë dhe duhet të jetë kryeministri ynë i të gjithë qytetarëve të Kosovës pavarësisht bindjeve politike apo përkatësive etnike. Pra, Kadri Veseli do të jetë kryeministër jo pse Kadri Veseli ka dëshirë të luftoje për karrierë, por sepse Kosova ka nevojë për Kadri Veselin si kryeministër, ka nevojë për ndryshime, ka nevojë për zhvillim", tha ai.

Kandidati për kryeministër nga PDK përveç Dragashit, sot do të mbajë takime edhe me qytetarët e  Zhurit dhe të Hasit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat