Haradinaj nuk i ndal kritikat ndaj Kurtit, Veselit e LDK-në

Aktuale

Haradinaj nuk i ndal kritikat ndaj Kurtit, Veselit e LDK-në

Më: 26 shtator 2019 Në ora: 20:23
Ramush Haradinaj

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, Ramush Haradinaj ka vazhduar kritikat ndaj kundër-kandidatëve dhe subjekteve tjera politike.

Derisa për Albin Kurtin tha se po mundohet të zbulojë diçka që u ka dështuar udhëheqësve komunistë, për LDK-në tha se është bashkëfajtore për kapjen e shtetit. Kurse, për Kadi Veselin e përsëriti se kur flet se do ta luftojnë korrupsionin, i bie sikur të flet për 1 prill.

Haradinaj këto komente i bëri në tubimin që e mbajti në Prishtinë, ku shtoi se kur në Prishtinë dhe jashtë saj, kanë nisur t’i fusin ‘gërshërët’ për ta ndarë  Kosovën, AAK dhe PSD janë bashkuar për ta ndalur këtë ndarje.

Ai shtoi se AAK-PSD mund ta përmirësojnë jetën e qytetarëve. Ndërkohë, foli për premtimet e subjekteve tjera, ndërsa kritikoi kundër kandidatët për kryeministër dhe subjektet tjera politike.

Haradinaj: Kurti dëshiron të zbuloj diçka që nuk kanë mundur udhëheqësit komunistë

“Për shembull Albini dhe politikat e tij ekonomike, iu sigurojë që nuk ekzistojmë më në krejt botën. Atij i ka mbet merak ndonjëherë që nuk ka pas sukses dikush dhe po mundohet mos ky rastësisht me zbulu atë që nuk kanë mundur ata udhëheqësit komunist, ky po ka qejf edhe një herë me u kthyer dhe ato politika me pas sukses....Nëse e marrim kush ka qenë më së gjati në pushtet ka qenë në pushtet është PDK dhe tanimë dihet merita e tyre për gjendjen në vend por edhe LDK ka qenë po aq gjatë në qeverisjen në vend dhe është bashkëpjesëmarrëse në plot procese që i kanë ndodhë vendit. Nëse ka të mira le ta marrin meritën por nuk mund t’i ikin fajësisë, pra edhe për kapjen e shtetit. PSD nuk ka qenë në pushtet në nivel nacional. AAK nuk ka qenë gjatë në qeverisje nacionale dhe nuk mund të ia atribuon dikush kapjen  e shtetit. Ndërsa, për Kadrin po e shoh që nuk po i ndërron fjalët, pra kur unë jam ankuar që më kanë lënë në lloq kur u deshtë me pengu ndarjen, me mbrojt taksën dhe mos me u dorëzuar Kosova para Serbisë, tash ai po thotë me ka lënë Ramushi në lloq. Me i thënë ku me marrë me të lënë në lloq kur shkon në rrugë të gabuar, kur dëshiron t’i ndihmosh Hashimit me nda Kosovën, pra a ka logjik mos me të lënë në lloq“, ka thënë Haradinaj.

Ai ka përmendur një konkurs që ka hapur KEK-u në kohë zgjedhjesh.

Haradinaj: Në KEK ka konkurs, fjala që do ta luftojmë korrupsionin, është sikur me fol për 1 prill

“Në kohë të zgjedhjeve e pashë një konkurs për 130 vende pune. Imagjinojeni pra, fjala që do ta luftojmë korrupsionin, besoni se është sikur me fol për 1 Prill. Pra, kur po flet Kadri Veseli dhe PDK-ja që kemi me e luftu korrupsionin e kemi me ndërru praktika, është si me fol për 1 prill”, ka thënë Haradinaj.

Kurse, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti tha lavdëroi qeverinë Haradinaj duke thënë se sjelli ligjin për kryeqytetin pa shikuar interesa personale e politike.

Ai foli për qeverisjen në komunën e Prishtinës, duke thënë se qendrat e mjekësisë familjare janë model se si duhet të kenë komunat tjera të Kosovës.

Ahmeti u zotua se brenda vitit të parë do ta kemi në fuqi dhe do ta zbatojmë Fondin e sigurimeve shëndetësore, si pjesë e sigurimeve shoqërore, që i përmirëson kushtet për mjekët por në të njëjtën kohë siguron që secili qytetar ta ketë kujdesin që e meriton nga institucionet tona shëndetësore.

Ndërsa, duke folur pas vizitës së Haradinajt, në ShBA, Ahmeti  tha është rreziku për një republikë brenda republikës së Kosovës.

Ahmeti: Nuk do të pranojmë që dikush të na merr copa të territorit

“Asnjëherë nuk do të pranojmë që dikush të na merr copa të territorit sepse edhe ashtu kemi pak  territor, asnjëherë nuk do të pranojmë që të na krijohet një republikë brenda Kosovës, sepse edhe këtë republikë që e kemi ende nuk e kemi forcuar. Më 6 tetor nuk jeni duke votuare as për Ramushin, as për Shpendin, as për asnjërin nga këta kandidatë për deputetë, jeni tu votu për Kosovën, jeni tu votu për ta mbrojtur këtë Kosovë, jeni tu votu për ta mbrojtur shtëpinë tonë, jeni tu votu për pragun tonë“, tha ai, duke shtuar se koha e luftës ka përfunduar por është koha në tavolina dhe politikë , prandaj AAK-PSD është e domosdoshme që Kosova të mbetet me kufijtë që ka, me Kushtetutën që ka.

Ish-deputetja Shqipe Pantina tha kanë mbetur edhe 10 ditë kur do të shënohet fitorja e koalicio0nit AAK-PSD, koalicion për të cilin janë 100 arsye pse duhet të votuar.

Pantina: Këto janë disa nga arsyet pse duhet votuar koalicioni AAK-PSD

“Shkollat tona nuk do të ofrojnë vetëm diploma por edhe dije, dije kjo e cila nuk do t’i ndihmojë të rinjëve jo vetëm të gjejnë vende pune por edhe të hapin vende të reja të punës, për një shëndetësi falas por edhe cilësore, ku mjeku ofron shërbime cilësore dhe ku secili pacient trajtohet me kujdesin maksimal, për punëtorë të cilët meritojnë paga të dinjitetshme por edhe të drejta që duhet t’u respektohen, për gratë dhe vajza të cilat meritojnë një trajtim të barabartë nga shteti, nga familja, nga shoqëria, për zhvillim ekonomik, për rritje ekonomike, për infrastrukturë më të mirë“, tha Pantina.

Përndryshe, në këtë tubim u tha se më 3 tetor, koalicioni AAK-PSD do ta mbaj tubimin përmbyllës në sheshin ‘Skënderbeu’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat