Ujkani: Të rinjve dhe grave u hapet perspektiva me Vetëvendosjen

Aktuale

Ujkani: Të rinjve dhe grave u hapet perspektiva me Vetëvendosjen

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 00:28
Fjolla Ujkani

Fjolla Ujkani, që synon me Vetëvendosjen të bëhet deputete në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se “si një e re e këtij vendi qëllimi kryesor është të fokusohet te të rinj e vendit, te gratë dhe vajzat në shoqëri”.

“Përgjatë këtyre viteve kemi hasur në barriera të shumta, që nuk e kanë një infrastrukturë të mirëfilltë për zhvillimin e tyre. Të rinjtë kanë potencial të madh, por që nuk kanë pasur hapësirë ta shfaqin atë. Pushtetarët kanë hapur vetëm rrugën e migrimit”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Me programin e Vetëvendosjes, sipas saj, këto barriera do të thyhen përfundimisht përmes përgatitjes profesionale të të rinjve dhe ndërmjet bizneseve në mënyrë që ata të jenë të gatshëm për tregun e punës.

“Në nivelin komunal subvencionet kanë shkuar më së shumti në sport. Fatmirësisht në koalicion me LDK-në në Vushtrri ka pasur një rritje të përfaqësimit të grave. Kjo është shkëndija e parë që bën me kuptu se një koalicion ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes do të bënte që të përmirësonte gjendjen e shoqërisë në këtë aspekt”, ka thënë ajo.

Ajo ka potencuar se lista e VV-së përbëhet nga një numër i madh i vajzave.

“Më 2017 i jam bashkuar Vetëvendosjes, dhe sot garoj për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ujakni, që nuk ka shprehur asnjë dyshim që, siç ka thënë, VV-ja do të dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit, pasi përkrahja është shumë e madhe.

“Lista jonë përbëhet nga profesionistë që mund të ngriten në të ardhmen.

Kurti është njeriu më i besueshëm dhe më konsistent në politikë, dhe përgjatë këtyre viteve ai e ka dëshmuar se gjithmonë ka qenë konsistent me parimet e veta”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se VV-ja pret që të ketë 250 mijë vota në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Me 7 tetor festojmë”, ka thënë Ujkani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat