Liridona Syla: Nëse dikush nuk beson në heronj, nuk e ka takuar ende babin tim!

Aktuale

Liridona Syla: Nëse dikush nuk beson në heronj, nuk e ka takuar ende babin tim!

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 17:56
Shemsi Syla me familje

Vajza e ish-deputetit dhe kandidatit për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje Shemsi Syla, Liridona përmes një shkrimi ka portretizuar babain e saj, i cili ishte njëri nga komandantët e UÇK-së dhe ish i burgosur politik.

Ajo shkrimin e saj e nis me fjalët “Nëse dikush nuk beson në heronj, nuk e ka takuar ende babin tim!”, për të vazhduar rrëfimin për familjen dhe përkushtimin e Shemsiut ndaj familjes dhe atdheut.

“Babi im është baba i 6 vajzave. Lufta e tij për vendin, burgosja politike e i gjithë aktiviteti ilegal, na ka përcjellur gjatë çdo hapi në jetë”, shkruan Liridona Syla.

Postimi i plotë i Liridonës:

Nëse dikush nuk beson në heronj, nuk e ka takuar ende babin tim!

Babi im është baba i 6 vajzave. Lufta e tij për vendin, burgosja politike e i gjithë aktiviteti ilegal, na ka përcjellur gjatë çdo hapi në jetë.  Dashuria e paspjegueshme për vendin e tij, na ka pajisur gjithnjë me atë frymë të të njohurit të botës. Përveç që ai e do shumë vendin e tij, mbi të gjitha, ai e do njeriun. Botëkuptimi i tij ndaj jetës ka një qasje aq pozitive, deri në mosbesim. Gjatë gjithë jetës tonë, ne e kemi parë se si ai vrapon në ndihmë të njerëzve në nevojë. Jemi rritur duke e parë admirimin e tij për jetën, natyrën, vendin, njeriun, dijen.

Të njohësh një person të tillë, mund të ndihesh me fat. Të jesh fëmijë i tij, është pak e vështirë. Kjo sepse, ai nuk të lë të dorëzohesh. Duke qenë baba i 6 vajzave, ai ka mbjellur te ne forcën dhe vetëdijen se ne mund të arrijmë çfarë të dëshirojmë, pa pasë nevoje të përulemi e as të durojmë.

Ka momente kur e ndiej veten në faj. Kjo sepse tek ai unë shoh një shpirt shumë artistik, i cili, i përballur me jetën e vështirë e të mundimshme, me brengën e shkollimit e edukimit tonë, nuk ka arritur asnjëherë t’i plotësojë dëshirat e veta.

Në një botë paralele, babi im do të ishte personazhi kryesor i një kryevepre letrare!

Ai ka një rol të jashtëzakonshëm në formimin e karaktereve tona luftarake e të forta. Ai është njeriu që lufton më së shumti në thyerjen e pabarazisë shoqërore e gjinore. Ne e shohim çdo ditë në sytë e tij krenarinë e pashprehur asnjëherë me fjalë për faktin se i ka rreth vetes 6 vajza për të cilat ai ka luftuar shumë që të bëhen të zonjat e vetës dhe të mos bien pre e paragjykimeve dhe frikës së pamposhtme ndaj përuljes e nënshtrimit gjinor.

Babi im është meritor i çdo qëllimi dhe arritjeje që kemi në jetë. Ai nuk ka pasur mjete materiale për të na plotësuar dëshirat, por ka pasur gjithmonë kohën, vullnetin, përkushtimin dhe dashurinë për të na mbushur zemrën plot e për të na ndriçuar mendjen.

Tek e shoh sot si kandidat për Deputet në Kuvendin e Kosovës, nuk kam si të ndihem më krenare! Jo për faktin se ai është babi im, por për faktin se ai e ka të lindur dashurinë për popullin e tij më shumë sesa interesin vetjak. Një jetë e tërë në shërbim të vendit, e dëshmon më së miri këtë!

#ShemsiSyla76 

#Vetëvendosje126

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat