Haradinaj premton Ligjin për Mitrovicën

Aktuale

Haradinaj premton Ligjin për Mitrovicën

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 17:58
Ramush Haradinaj

Koalicioni parazgjedhor AAK-PSD betejën për zgjedhjet e 6 tetorit e ka vazhduar sot nga qyteti i Mitrovicës.

Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, premtoi Ligj për Mitrovicën, nga i cili tha se do të përfitojnë qytetarët e saj grant qeveritar dhe benefite tjera.

Ai ka përmendur arsyet pse qytetari duhet të votojë koalicionin AAK-PSD dhe numrin 119, duke thënë mes tjerash se vetëm kështu do të ruhet Kosova e pavarur e 17 shkurtit, dhe e pa copëtuar.

Haradinaj: Do të ketë ligj për Mitrovicën

“Pse të votohet numri 119, e para për të qëndruar vendimet e marra deri tash, cilat janë ato, e drejta për ushtri me zënë vend, Kosova e pavarur e 17 shkurtit e pa copëtuar, pra as në tavolina, as pas shpine, dhe në asnjë mënyrë tjetër. Pastaj që Kosova të jetë pronare 100 për qind e Trepçës, ashtu siç është sot, edhe në Kosovë punohet, blenë e shet, kujt i jep leje Kosova e jo me zor me shit Serbia - pra taksa dhe mbrojtja e tregut mbeten në fuqi deri në njohje. Pse tjetër, numri 119 është i Mitrovicës më shumë se i çdokujt tjetër në Kosovë…Unë kam ra dakord, hera e parë po ua them, e kam lënë t’ua them sot, me i dal hakut Mitrovicës, Ligj për Mitrovicën”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, kryetari i PSD-së, njëherësh kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se Mitrovica prej një shembulli të jetës multi-etnike është kthyer në shembull të ndarjes në vija etnike.

Duke paralajmëruar se koalicioni AAK-PSD është për 100 për qind shtet, Ahmeti tha se rreziku për ndarjen e territorit është ndalur sot, por jo edhe nesër dhe pasnesër, andaj ka bërë thirrje për votë të mitrovicasve, në mënyrë që qyteti i Mitrovicës të mbetet brenda territorit të Kosovës.

Ahmeti: Nesër një javë për Kosovën 100 për qind shtet

“Nesër një javë dalim në kutitë e votimit, për ta shprehur vullnetin dhe qëndrimin tonë, për 100 për qind shtet dhe 100 për qind Kosovë”, theksoi Ahmeti.

Në fund u prezantuan kandidatët e këtij koalicioni për deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat