Shoqëria civile kërkon pezullimin e konkurseve para zgjedhjeve

Aktuale

Shoqëria civile kërkon pezullimin e konkurseve para zgjedhjeve

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 21:23
Ilustrim

Ka një kohë që Ligji për Zyrtarët Publikë ka hyrë në fuqi, por ky lajm duket të mos ketë mbërritur nëpër disa institucione.

E radhës ka qenë Ministria e Punëve të Brendshme, që i është referuar ligjit tashmë të shfuqizuar, atij për Shërbimin Civil, në konkursin e shpallur më 14 shtator.

Në këtë konkurs të jashtëm, janë gjithsej 13 pozita për zyrtarë në departamente të ndryshme.

Ligji për Zyrtarët Publikë është i aplikueshëm nga 11 shtatori, e po atë ditë, edhe Zyra e Kryeministrit ka shpallur konkurs të brendshëm, për pozitën drejtor të zyrës për Buxhet dhe Financa.

Gjithashtu edhe ky konkurs, sipas njoftimit, procesin e rekrutimit e rregullon me Ligjin për Shërbimin Civil.

As Zyra e kryeministrit e as Ministria e Punëve të Brendshme tash e disa ditë nuk kanë kthyer përgjigje në interesimin e televizionit lidhur me bazën ligjore të konkursit, e as nuk kanë treguar nëse do t’i anulojnë të njëjtit.

Visar Rushiti, nga organizata Demokraci Plus, megjithatë arsyeton shpalljen e konkurseve me ligjin e vjetër, në mungesë të akteve nënligjore për ligjin e ri.

Pavarësisht kësaj, sipas Rushitit, për këtë është dashur të pritet formimi i qeverisë së re.

Rushiti nuk e mohon tendencën që, siç ka ndodhur së fundmi, të shfrytëzohet periudha e zgjedhjeve për politizim të mëtejmë të administratës së institucioneve.

Ministritë e qeverisë në largim, tash e disa muaj, në vazhdimësi kanë hapur konkurse, ku shpesh nëpër to, siç edhe është raportuar në vazhdimësi, vende pune kanë gjetur familjarë të drejtuesve e aktivistë të partive politike në pushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat