Osmani: Arsimi profesional do të shndërrohet në shtyllë të punësimit dhe të zhvillimit

Aktuale

Osmani: Arsimi profesional do të shndërrohet në shtyllë të punësimit dhe të zhvillimit

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 13:21
Osmani: Arsimi profesional do të shndërrohet në shtyllë të punësimit dhe të zhvillimit

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se arsimi do të jetë prioritet i lartë gjatë qeverisjes së saj, reformimi i të cilit do të arrihet nëpërmes ndryshimit të mentalitetit qeverisës.

Derisa ka prezantuar programin e saj në fushën e arsimit, Osmani tha se sot arsimi kosovar është katandisur si mos më keq, ku sipas saj, fëmijët dhe të rinjtë nuk fitojnë shkathtësi për jetë të suksesshme në shkolla. Ajo tha se diplomat e shkollës e të fakultetin nuk po sjellin punësim por vetëm dëshpërim.

Osmani tha se fëmijët dhe të rinjtë e vendit po vuajnë pasojat e keqqeverisjes dhe abuzimit të arsimit për qëllime politike. Sipas saj, kjo mënyrë e qeverisjes së arsimit duhet të ndërpritet një herë e përgjithmonë.

Pretendentja për kryeministre të vendit, tha se si LDK kanë hartuar një vizion dhe një program për zhvillimin e arsimit për dekadën që po vije. Ajo tha se gjatë qeverisjes së saj në arsim do të investohet 6 përqind e bruto produktit kombëtar.

Osmani: Qeveria ime do të shtojë kapacitetet e institucioneve parashkollore 10 fish

“Qeveria ime do të shtojë kapacitetet e institucioneve parashkollore 10 fish, sepse për ne cilësia në arsim duhet të fillojë duke investuar nga poshtë lartë dhe duke i dhënë rëndësinë që e meriton edukimit parashkollor. Fëmijët sipas planit tonë do të mund të socializohen e të mësojnë më mirë, ndërsa prindërit, e në veçanti nënat do të mund të kontribuojnë në mirëqenien e familjes duke rritur përqindjen e punësimit të tyre. Shkolla do të fuqizohet dhe do të kthehet prapë në qendër të jetës sociale dhe në mekanizëm transformues për fëmijët e të rinjtë tanë. Shkolla do të jetë aleati kryesor i familjeve tona në përballjen me anët jo të mira të teknologjive të reja, siç janë lojërat e dhunshme kompjuterike, krimi kibernetik, abuzimi i fëmijëve në internet dhe të tjera”, tha ajo.

Ajo tha se arsimi profesional gjatë qeverisjes së saj do të shndërrohet në shtyllë të punësimit dhe zhvillimit.

Osmani: Arsimi profesional do të shndërrohet në shtyllë të punësimit dhe të zhvillimit

“Arsimi profesional do të shndërrohet prej problemit kryesor të arsimit kosovar në shtyllë të punësimit dhe të zhvillimit. Arsimi i lartë ndërkaq do të ofrojë kompetenca dhe aftësi profesionale që sigurojnë punësim në treg dhe avancim në karrierën akademike. Do të investojmë në shkencë dhe do të ndërtojmë kapacitetet për kërkime shkencore, ashtu që shkenca kosovare do të gëzojë rikthimin e madh në familjen shkencore evropiane”, u shpreh ajo.

Osmani tha se të gjitha këto mund të arrihen me depolitizim të arsimit, rritje të investimeve në arsim, si dhe përmes angazhimit të ekspertëve arsimor në Kosovë.

Po ashtu, ajo tha se për ndryshimin e gjendjes së arsimit në vend duhet një bashkëpunim edhe me prindërit, mësuesit dhe nxënësit.

Osmani: Emëruesi i përbashkët i këtyre veprimeve do të jetë depolitizimi i arsimit

“Emëruesi i përbashkët i këtyre veprimeve do të jetë depolitizimi i arsimit, rritja e dukshme e investimeve në arsim dhe angazhimi i të gjithë ekspertëve arsimor në Kosovë pa dallim përkatësie politike, partiake, nacionale. Por, milionat dhe ekspertët nuk mund të bëjnë asgjë pa ndryshimin e të gjithë neve. Prandaj, të dashur prindër, mësimdhënës, nxënës dhe gjithë ju qytetarë të Kosovës ju ftoj edhe një herë për mobilizim sikurse në vitet e 90 në mbrojtje dhe zhvillim të arsimit kosovar dhe shndërrimin e tij në arsimin cilësor evropian për të gjithë fëmijët tanë pa dallim. Të mobilizohemi dhe të bashkohemi rreth arsimit, sepse sikur atëherë edhe sot është arsimi që do ta zhvillojë shtetin tonë”, tha Osmani.

Ky program për arsimin mori miratimin edhe të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se ky program është i shkëlqyeshëm dhe është i realizueshëm.

Mustafa tha se në partinë që e drejton ka njerëz që mund ta realizojnë këtë program, sepse sipas tij në LDK njerëzit i kanë diplomat e dijes dhe jo diploma në bazë të pozitave politike.

Mustafa: Programi për arsim është i shkëlqyer

“Unë mendoj që programi është i shkëlqyer dhe mendoj që është bërë një punë e mrekullueshme e ekipit të ekspertëve, në këtë rast në krye me Xhavitin që ta kemi një program të mirë dhe po ashtu ta dimë se çfarë ne aspirojmë. Ajo çfarë dëgjuam deri më tani edhe nga kandidatja jonë për kryeministre z.Vjosa Osmani dhe nga Xhavit Rexhaj, do të thotë është shumë e qartë se ne i dimë qëllimet tona dhe se objektivat tona mund të realizohen. Unë jam i bindur se LDK-ja mund t’i realizojë, sepse LDK ka njerëz, pa njerëz nuk bëhet programi dhe nuk implementohet programi. Do të thotë ne do ta kemi në krye një kryeministre e cila e njeh mirë arsimin, që është vet e arsimuar mirë sepse unë po shoh edhe nga subjektet e tjera që tentohet të japin pikëpamjet e tyre lidhur me reformat e arsimit, por nuk mund ta reformojnë arsimin ata që praktikisht kanë diploma politike, nuk kanë diploma të dijes. LDK mund ta bëjë atë, se pse në LDK cdo njëri që ka punuar në këtë program i keni diplomat e dijes, do të thotë nuk keni diplomuar në bazë të pozitave politike, por keni diplomuar në bazë të dijes”, tha ai.

Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka pranuar edhe pyetje nga pjesëmarrësit në prezantimin e programit të saj për arsimin.

E pyetur se çka do të ndodh me ato universitete publike qe nuk janë akredituar, Osmani tha se kanë përgatitur planin një vjeçar gjatë të cilit do t’iu ndihmojnë këtyre universiteteve që t’i plotësojnë kushtet e akreditimit, ndërsa tha se e kanë edhe planin tre vjeçar ku parashikojnë profilizimin e këtyre universiteteve

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat