Rreth një milion euro u lejohet partive politike të shpenzojnë gjatë fushatës

Aktuale

Rreth një milion euro u lejohet partive politike të shpenzojnë gjatë fushatës

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 16:47
Foto ilustrim

Rreth një milion euro është shuma që iu lejohet subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, që të shpenzojnë për fushatën zgjedhore, e cila ka nisur më 25 shtator

Por, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se kjo vlerë mund të jetë disa herë më e lartë, pasi që disa nga subjektet politike, sipas tyre, vazhdimisht e kanë mbajtur të fshehur shumën e shpenzimeve si edhe mënyrën e financimit të fushatës.

Sipas Ligjit për financimin e partive politike, burimet financiare dhe materiale të subjekteve politike përbëhen nga financimi publik përmes buxhetit të Republikës së Kosovës. Shuma e mjeteve buxhetore, dedikuar fondit për mbështetjen e subjekteve politike, nuk mund të kalojë 0,17 për qind të buxhetit të Kosovës dhe donacionet e tjera.

Kurse në bazë të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton maksimumin e shpenzimeve të fushatës, që bazohet në numrin e përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën e votuesve, në kohën e freskimit të fundit nga KQZ-ja.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se KQZ-ja duke u mbështetur në listën preliminare të votuesve, ka ardhur në përfundim që maksimumi i shpenzimeve për secilën parti të jetë 986 mijë euro.

“Për këto zgjedhje, KQZ-ja duke u mbështetur në listën preliminare të votuesve ka përcaktuar kufirin e sipërm të shpenzimeve të fushatës zgjedhore në shumën prej 986 mijë euro, pra 0.50 euro për votues të regjistruar, për secilin subjekt politik të certifikuar”, tha Elezi.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur. Bazuar në shifrat e lejuara të shpenzimeve deri në 986 mijë euro, del se të gjitha subjektet së bashku, gjatë 10 ditëve të fushatës do shpenzojnë rreth 25 milionë euro.

Në bazë të ligjit, subjektet politike që veprojnë në Kosovë, nuk mund shpenzojnë më shumë para se 0.50 cent për votues.

Numri i votuesve është 1,937.868, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime.

Por, që sipas shoqërisë civile, partitë politike vazhdimisht kanë tejkaluar shumën e parave për fushatë dhe shpenzojnë shuma të mëdha financiare, krahasuar me mjetet që atyre u ndahen çdo vit, nga buxheti i Kosovës.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, parasheh që partitë politike garuese në zgjedhje, do tejkalojnë shumën e paraparë me ligj. Njëherësh, sipas tij, shqetësues është edhe fakti se partitë politike nuk janë transparente rreth mjeteve që shpenzojnë, e as burimit të atyre mjeteve.

“Një pjesë të madhe të kostos financiare nëpër fushata, partitë politike e mbulojnë përmes donacioneve të jashtme, pagave, bizneseve dhe personave fizikë. Ligji paracakton një shumë se sa mund të japin bizneset për partitë politike, por gjithmonë ekzistojnë dyshimet se ato (bizneset) mund japin më shumë, por partitë politike nuk e deklarojnë pjesën tjetër, por vetëm pjesën ligjore”, tha Demhasaj.

Në bazë të Ligjit për financimin e partive politike, subjektet politike lejohen të marrin kontribute nga personat fizike, në vlerë jo më shume se 2 mijë euro për një vit kalendarik, kurse nga personat juridik deri në 10 mijë euro për një vit.

Subjekti politik, i cili pranon një kontribut të tillë dhe nuk mund ta dëshmojë prejardhjen e kontributit, vlera këtij kontributi mbetet në buxhetin e Kosovës.

Shpenzimet e partive politike, për shkak të mungesës së transparencës vazhdojnë të mbeten të mbyllura duke mos deklaruar saktë harxhimet. Përveç Lëvizjes Vetëvendosje që ka pranuar të tregojë vlerën e pretenduar të shpenzimeve para dhe gjatë fushatës, asnjë parti tjetër politike e kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, nuk ka qenë e gatshme të përgjigjet për shumën e ndarë.

Bekim Gashi, drejtues i sekretariatit për Financa në Lëvizjen e Vetëvendosjes, tha se “shuma maksimale që Vetëvendosje ka planifikuar të shpenzojë për zgjedhje, që përfshinë periudhën nga 22 gusht deri me 6 tetor, është 565 mijë euro”.

Sipas tij, Vetëvendosje nuk disponon me një shumë të tillë të parave për shpenzim, por pret mbështetjen e qytetarëve përmes donacioneve.

Një pjesë e mjeteve, thotë Gashi, është kursyer nga Fondi për Demokratizim të Subjekteve Politike, nga pagesa e kuotës së anëtarësisë, si dhe shuma tjetër nga donacionet prej qytetarëve.

Partitë tjera politike ndërkaq, nuk kanë ofruar asnjë përgjigje në lidhje me shpenzimet e tyre. Po ashtu, në faqet e tyre të internetit nuk ekziston mundësia që të merren shënime rreth hyrje-daljeve, kur është në pyetje aspekti financiar.

Në Kosovë, sipas shoqërisë civile, ekzistojnë disa kompani private, që financojnë gati secilën parti politike, e të cilat më pas shpërblehen me dhënien e tenderëve publikë nga partia apo partitë që vijnë në pushtet.

Financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër raportet e progresit që publikon Komisioni Evropian.

Aty thuhet se transparenca e financimit të partive politike paraqet një komponentë esenciale të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat