Me sa vjet burg rrezikojnë të dënohen Molliqaj, Abazi dhe Sahiti?

Aktuale

Me sa vjet burg rrezikojnë të dënohen Molliqaj, Abazi dhe Sahiti?

Më: 30 shtator 2019 Në ora: 17:53
Molliqaj, Abazi dhe Sahiti

Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke e trajtuar incidentin ku u përfshinë deputetët e PSD-së dhe VV-së, Dardan Molliqaj dhe Haki Abazi si dhe shoqëruesi i Molliqajt, Fatos Sahiti.

Media ka marr vesh se deri më tash janë ndërmarr një varg veprimesh hetimore për ndriçimin e kësaj rrahjeje, përfshirë intervistimin e personave të përfshirë në këtë rast.

Ndonëse në videon e publikuar mbrëmë ekskluzivisht nga Sinjali shpërfaqet e tërë skena e përleshjes, janë organet e hetuesisë dhe të drejtësisë ato që do ta japin fjalën e fundit rreth fajësisë së njërit apo tjetrit akter të përfshirë në këtë incident.

Haki Abazi ka deklaruar sot se ka qenë i sulmuar duke dhënë detaje nga videoja e publikuar dje, ndërsa kontakti me Dardan Molliqajn gjatë ditës ka qenë i pamundur. E shoqëruesi i këtij të fundit, Fatos Sahiti nuk ka pranuar të deklarohet.

Burimet bëjnë të ditur se hetimet mund të përfundojnë me aktakuzë për veprën penale të sulmit të e cila sipas legjislacionit në fuqi parasheh dënim me burg ose me gjobë, si në vijim:

“Kushdo që me dashje përdor forcën ndaj personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit” thuhet në paragrafin e parë të nenit 184 që ka të bëjë me sulmin të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, NR. 06/L-074, që ka hyrë në fuqi në fund të vitit 2018.

Sanksionimi i veprës penale të sulmit është zbutur mjaftë shumë me Kodin e ri  pasi paraprakisht  kryesit e veprave të tilla penale mund të dënoheshin me gjobë dhe burgim deri në 3 vjet.

Kujtojmë se në Kosovë kanë ndodhur sulme dhe përleshje të shpeshta ku, përveç qytetarëve, janë përfshirë edhe një numër politikanësh dhe personash zyrtarë.

Vetëm gjatë dy viteve të fundit, kanë ndodhur të paktën pesë përleshje fizike mes politikanëve. Përveç përleshjes së fundit fizike mes Dardan Molliqaj e Haki Abazi, më herët një duel fizik kishte ndodhur në emision televiziv mes Milaim Zekës dhe Frashër Krasniqit. Procesi gjyqësor ndaj tyre është duke vazhduar ndërsa palët po i shmangen paraqitjes në seancë gjyqësore. Deputeti Frashër Krasniqi, ishte përfshirë edhe në një rrahje me Xhelal Sveçlen. Ndërkohë Xhavit Haliti nga PDK që  mbante postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës kishte goditur me bërryl, deputetin e LDK-së Arben Gashi në sallën e Kuvendit të Kosovës. Një rast tjetër i konfliktit që gati kishte eskaluar në dhunë ka ndodhur mes deputetëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes ku ishin të përfshirë Memli Krasniqi e Nezir Çoqaj si dhe Liburn Aliu e Salih Zyba.

Zbutja e sanksionimit të veprës penale të sulmit mund të ketë efekt negativ në parandalimin e akteve të tilla. Përveç kësaj, autoritetet gjyqësore kanë shqiptuar gjoba minimale për rastet e sulmeve, madje edhe kur bëhej fjalë për sulme ndaj gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës zyrtare kur kryesit e veprave të tilla janë dënuar me vetëm 200 euro.

Këto masa të buta sanksionuese, në opinionin publik janë parë si inkurajim për sulmuesit që t`i qërojnë hesapet fizikisht me viktimat duke marr ligjin në duart e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat