Osmani: Vetëm LDK garanton shtetësinë dhe kufijtë e Kosovës

Aktuale

Osmani: Vetëm LDK garanton shtetësinë dhe kufijtë e Kosovës

Më: 30 shtator 2019 Në ora: 18:30
Vjosa Osmani

Me fitoren e LDK-së në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit vuloset shtetësia e Kosovës, pasi vetëm LDK garanton ruajtjen e kufijve.

Kështu deklaroi sot kandidatja e këtij subjekti politik për kryeministre, Vjosa Osmani, gjatë një tubimi me simpatizantët e LDK-së në Ferizaj.

E ferizajasve, Osmani u kërkoi që të mos u besojnë mashtruesve dhe atyre që keqqeverisën.

Osmani: Vetëm LDK garanton shtetësinë dhe kufijtë e Kosovës

“Presidenti Rugova e donte një Republikë të Kosovës,  të cilës, askush nuk ia cenon kufijtë, askush nuk ia cenon shtetësinë, dhe një Republikë të tillë e siguron dhe e garanton vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK nuk diskuton me askënd për asnjë çmim, shtetësinë e Kosovës, kufijtë e Kosovës. Dhe, vetëm ne mund ta mbrojmë atë, sepse vetëm ne nuk jemi të shantazhueshëm. Ata që diskutojnë për Kosovën përderisa shantazhohen, e ata që diskutojnë për Kosovën përderisa e diskutojnë edhe fatin e vet politik, më kurrë nuk do të kenë mundësi ta përfaqësojnë shtetin tonë”, tha ajo.

Sipas saj, LDK është e vetmja që garanton zhvillimin ekonomik të vendit, teksa shtoi se qeveria do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj dhe bizneseve.

Osmani: Qeveria do të jetë në shërbim të Ferizajt dhe bizneseve të këtij qyteti

“Qeveria e zhvatjes nuk e ka trajtuar kurrë Ferizajn si taksapagues të rëndësishëm e aktiv. Por, me ne, qyteti juaj do të fitojë përkrahje reciproke nga shteti. Qeveria do të jetë në shërbimin të juaj, në shërbim të bizneseve të ndershme dhe do të marrim shembullin e mirë të fshatrave si Gremja, e cila është shndërruar në punishte aktive, dhe e cila transporton prodhime në gjithë Evropën dhe ato prodhime janë krenaria jonë. Për lehtësimin e veprimtarive të tyre do të ketë platformë të veçantë të promovimit”, u shpreh Osmani.

Shefi i Shtabit zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, tha se ata që e kanë rrënuar shtetin e Kosovës, nuk e meritojnë dhe nuk e kanë besimin e Ferizajt.

Ai përmendi edhe njëherë reklamën e PDK-së, ku shihet kandidati i këtij subjekti politik së bashku me kandidatët për deputetë duke shtyrë autobusin, porse kësaj radhe shtoi se dikush ‘brenda e ka vjedhur baterinë’.

Duke thënë se LDK-ja është garantuese e paqes, Haziri u shpreh se do t’ua thyejnë krahët atyre që prekin votat e qytetarëve.

Haziri: LDK do t’ua presë krahët atyre që prekin votat

“Veç 5 ditë kanë mbetur, ditën e 6-të, ju sigurojmë se do të punojmë  shumë. Ata nuk kanë pare me na ble neve votat tona, votat tuaja, sepse nuk ka njerëz më. Kurrkush nuk iu shkon. A e keni parë punën e autobusit, e kanë zbuluar, baterinë e ka vjedhur dikush prej atyre që u kanë brenda. Ne e kemi gjet timonierin ma të mirë, Vjosa do ta drejtojë mirë këtë proces të ndryshimit në Kosovë. Ta dini se nuk kanë guxim me e prek votën tuaj, sepse është e shenjtë. Kush e prek atë votë, LDK-ja do t’ua thyejë krahun njëherë e përgjithmonë”, tha Haziri.

I kënaqur me manifestimin në Ferizaj, sipas Hazirit, ky qytet po dëshmon se është bërë ‘knap’.  

Ndërsa, kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Sfarqa, tha se LDK po i hyn ‘nënsqetulla’ shtetit të Kosovës, për ta ngritur nga e keqja në të cilën sipas tij, po ndodhet tash e dy vjet.

Ai tha se me kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanin, do të fitojë Ferizaj dhe e gjithë Kosova.

Sfaqra: Kosova asnjëherë nuk ka qenë më keq se sot, me Vjosën do ta rindërtojmë atë

“Ferizaj dhe krejt Kosova do ta kthejnë për së mbari këtë shtet, të cilin e shtriu përtokë keqqeverisja dhe padituria, zhvatja dhe kryeneçësia, korrupsioni dhe anarkia, rrahagjoksja dhe jo ligjshmëria... Kosova në këto 20 vite lirie asnjëherë nuk ka qenë më keq se sot. Kjo qeveri e koalicionit në ikje e vuri në pikëpyetje jo vetëm statusin e shtetit, por edhe ekzistencën e tij. Dhe, nga 6 tetori, duhet t’ia fillojmë prej zeros, nga zeroja ta ribëjmë Kosovën tonë të dashur... Ne mund që sot ta urojmë Vjosën, dhe LDK-në në veçanti, që përmes Vjosës dhe kandidimit të saj, i tregoi botës sesa i lashtë dhe i emancipuar është populli i Kosovës”, tha ai.

Në fund, Sfarqa tha se Vjosa Osmanin e kërkojnë miqtë e aleatët e Kosovës, e kërkon koha dhe shteti i Kosovës, për ta qeverisur në mënyrë të mbarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat