Osmani: Që kur është prishur koalicioni me PDK-në, në LDK ka filluar ndërtimi i unitetit

Aktuale

Osmani: Që kur është prishur koalicioni me PDK-në, në LDK ka filluar ndërtimi i unitetit

Më: 30 shtator 2019 Në ora: 23:44
Vjosa Osmani

Kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se rrugëtimi i saj me LDK-në është i gjatë.

Ajo thotë se që nga viti 2017 që kur është prishur koalicioni LDK-PDK, brenda partisë janë kaluar të gjitha mospajtimet politike që i kanë pasur, duke shtuar që atëherë kanë filluar të ndërtojnë një unitet brenda LDK-së.

“Unë kam kërkuar që vullneti i elektoratit të LDK-së dhe strukturave të partisë të respektohet. Ne kemi thënë se kemi vija të kuqe me PDK-në dhe mundësi për koalicion me Vetëvendosjen”, ka thënë ajo në Rubikon.

Osmani tutje ka shtuar se pengesa politike mes Mustafës dhe saj ka qenë koalicioni me PDK-në.

Ajo thotë se bashkë me Mustafën ka bashkëpunuar që në ditët e para të anëtarësimit të saj në parti.

“Tek ne në parti ka ndodhë diçka që të gjithë e kemi pranuar që ka qenë gabim, ka qenë moskomunikimi. Kjo nuk është dashur të ndodhë dhe Nuk duhet të ndodhë më tutje. Pas prishjes së koalicionit këto janë kaluar dhe të gjithë bashkë kemi menduar se si ta bëjmë LDK-në fituese”, ka thënë ajo.

Osmani në Interaktiv ka thënë se vullneti i elektoratit dhe i strukturave të partisë ka qenë i qartë dhe nuk ka qenë vendim i aty për atyshëm.

Sipas saj, të gjitha degët e LDK-së dhe të gjitha strukturat e kanë vullnetin për ta dhënë mbështetjen e tyre.

“Jo vetëm për shkak të kandidimit tim por edhe të gjithë janë në këmbë, edhe ai elektorat i fjetur që ka qenë që pas vdekjes së ish presidentit Ibrahim Rugova. Kemi tubime shumë të mëdha në qytete të ndryshme”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat