Njëri nga organizatorët e protestës studentore të 1 tetorit 1997, zbulon detaje të pathëna

Aktuale

Njëri nga organizatorët e protestës studentore të 1 tetorit 1997, zbulon detaje të pathëna

Nga: N.Sh Më: 1 tetor 2019 Në ora: 08:59
Pamje nga protesta

Historiani Safet Hasani i cili ishte një ndër organizatorët e protesës së 1 tetorit të vitit 1997, ka kujtuar me nostalgji këtë ditë.

Hasani përmes një shkrimi në Facebook, me pak fjalë ka përshkruar se çfarë kishte ndodhur me 1 tetor, ditën e protestave studentore.

“Sot para njëzet e dy vitesh, pikërisht me 1 tetor 1997, si apsolvent që isha në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Univesitetit të Prishtinës, në demonstratat studentore të 1 tetorit u atakuam brutalisht nga forcat e policisë dhe sigurimit serb!”, shkruan Hasani, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ai thotë se, ishte dita kur organizuan demostrata studentore ku morën pjesë profesorë, studentë, inetelektualë, bujq, e qytetarë të thjesht që në mënyrë masive u bashkuan dhe i përkrahën në iniciativën studentore.

“Ishte pikërisht kjo ngjarje që theu barrierën e të menduarit se "me paqe dhe fjalime do çlirohet vendi", dhe aty u vërtetua se pa kryengritje, demostrata e më vonë edhe në luftë të armatosur nuk vije liria”, vazhdon ai.

Ai tregone dhe si i strehuan studentët e lënduar dhe të torturuar nga policia serbe.

“Përkundër burgosjeve, rrahjeve e lëndimeve që pësuam ne studentët atë ditë, unë akoma me nostalgji e kujtoj atë ngjarje dhe vendin ku u strehuam ne disa nga studentët e lënduar nga rrahjet dhe turturat nga policia serbe, ishte adrese "ish-rruga Kaqaniku nr.17" afër parkut të qytetit ku edhe mbanim ligjeratat ne studentët e Shkollës së Lartë Pedagogjike”, pohon ai.

“Në orët e pasditës të asaj dite, së bashku me shumë student tjerë u arrestuam nga pjesëtarët e policisë dhe sigutimit serb, që ishin në rroba civile”, përfundon historiani Safet Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat