Osmani: Me paratë e korrupsionit po synohet të blihet përkrahja ndërkombëtare

Aktuale

Osmani: Me paratë e korrupsionit po synohet të blihet përkrahja ndërkombëtare

Më: 1 tetor 2019 Në ora: 17:15
Vjosa Osmani

“Me paratë e krimit dhe korrupsionit të vjedhura nga qytetarët e Kosovës po synohet të ‘blihet’ kinse përkrahja ndërkombëtare në zgjedhje dhe për të hedhur mjegull tek qytetarët e Kosovës kinse ai ka përkrahje ndërkombëtare”, tha të martën, para mijëra simpatizantëve, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani.

“Të izoluar nga miqtë e Kosovës për shkak të punëve të liga që i kanë bërë Kosovës dhe për thikat pas shpine që janë munduar t’ua ngulin shpëtimtarëve të Kosovës, të frikësuar nga humbja e sigurt më 6 tetor, oponentët e mi kanë aktivizuar kompani lobimi në Evropë e Amerikë për të siguruar ndonjë takim a ndonjë vizitë në fushatën e tyre, për t’i mashtruar qytetarët e Kosovës se gjoja ata e kanë mbështetjen e Evropës e të Amerikës”, tha Osmani.

Ajo tha se ne jemi të vetmit që Kosovës i garantojmë eliminimin e izolimit ndërkombëtar, sepse nuk eliminohet izolimi ndërkombëtar përmes kompanive të lobimit me taksat e qytetarëve, por nëpërmes qeverisjes së mirë dhe partneritetit të mirëfilltë.

Vjosa Osmani foli edhe për projektin e saj zhvillimor për Istogun dhe krejt Kosovën. “Me qeverisjen e LDK-së, me mua kryeministre, Istogu dhe qytetarët e saj do të kenë trajtim të barabartë dhe mbështetje të fuqishme. Do ta bëjmë Istogun një vend që garanton të ardhmen e denjë të qytetarëve të saj dhe një destinacion të admirueshëm për Kosovën, për shqiptarët dhe miqtë e tyre të shumtë”, tha nënkryetarja e LDK-së dhe kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani.

Ajo iu tha simpatizantëve në Istog, se LDK-ja është alternativa e vetme që garanton zhvillimin ekonomik të Kosovës, mundësi për secilin qytetar dhe kujdes social për shtresat në nevojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat