Vjosa Osmani: Obiliqi nuk sheh dritë nga mashtruesit dhe blerësit e votave

Aktuale

Vjosa Osmani: Obiliqi nuk sheh dritë nga mashtruesit dhe blerësit e votave

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 17:13
Vjosa Osmani

“Fitorja në Obiliq e kthen vëmendjen tek potenciali që kjo komunë e posedon. Ju ftoj të gjithë t'i refuzoni mashtruesit, blerësit e votave, sepse Obiliqi nuk do të shohë dritë me ta. Kemi vendosur që Obiliqit dhe gjithë Kosovës t’ia heqim qafe keqpërdoruesit e këtij vendit”, tha të mërkurën kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani.

Ajo tha se Qeveria e Lidhjes Demokratike do të jetë qeveri me njerëz me duar të pastra, që lufton krimin dhe korrupsionin dhe sjell perspektivën për të rinjtë tanë.

Vjosa Osmani tha se banorët e Hades nuk duhet të trajtohen në mënyrë çnjerëzore, por duhet të kenë kujdesin maksimal që meritojnë.

Ajo ka premtuar lidhjen e Obiliqit me sistemin e ngrohjes qendrore të kogjenerimit dhe kujdes maksimal për mjedisin.

Ajo iu tha simpatizantëve në Obiliq, se LDK-ja është alternativa e vetme që garanton zhvillimin ekonomik të Kosovës, mundësi për secilin qytetar dhe kujdes social për shtresat në nevojë.

“Oponentët tanë të frikësuar nga vullneti qytetar për LDK-në, po tentojnë me e ble vullnetin qytetarë, e disa po prodhojnë mashtrime e lajme të rrejshme, po bëjnë  montazha e çka jo tjetër. Por nuk ka qytetarë të këtij vendi që mashtrohen. Le ta dinë që duke shpifur nuk munden me fituar besim qytetar”, shtoi Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat