Rrethi i Komoranit përplas PDK-në dhe AAK-në

Aktuale

Rrethi i Komoranit përplas PDK-në dhe AAK-në

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 18:39
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar sot AAK-në e Ramush Haradinajt se po tenton që t’i manipuloj banorët e Komoranit, tri ditë para zgjedhjeve.

Sipas tyre, AAK-ja që në mënyrë antiligjore dhe të njëanshme pa procedura ka hapur pengesat në kryqin e Komoranit, duke rrezikuar jetën e qytetarëve në trafik.

Kryetari i PDK-së, në Drenas, Sejdi Hoxha ka shkruar në Facebook, se kohë më parë iu kishte dërguar disa kërkesa me shkrim Ministrisë së Infrastrukturës Pal Lekaj, duke kërkuar që të mundësohet hapja e kryqit të Komoranit.

“Kjo ministri asnjëherë nuk e ka trajtuar kërkesën e qytetarëve të Komoranit dhe nuk ka angazhuar ekspertë të komunikacionit, të cilët ofrojnë mundësinë më të mirë të hapjes së këtij udhëkryqi”, ka shkruar ai.

Më tej, Hoxha ka shkruar se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar para qytetarëve të Komoranit që ky problem do të zgjidhet shpejt përmes lidhjes së rrugës me katër korsi Komoran-Drenas-Skenderaj.

“Sot, Ministria e Infrastrukturës në formë joligjore, pa asnjë ekspertizë nga ekspertë vendorë e as ndërkombëtarë kanë ardhur për qëllime krejtësisht politike dhe po tentojnë që jashtëligjshëm të bëjnë hapjen e udhëkryqit në Komoran”, ka shkruar ai. Sipas tij, ky veprim, përveç që është joligjor, i pabazuar në asnjë studim, është edhe veprim që rrezikon jetën e qytetarëve të Kosovës.

“PDK-ja ka bërë shumë investime në Komoran, ka plan konkret edhe për çështjen e udhëkryqit në Komoran, prandaj ju bëjmë thirrje që të mos bini pre e provokimeve të tilla, të cilat kanë për qëllim të marrin vetëm një grusht votash dhe të rrezikojnë jetën tuaj dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat