Si kërcënohen qytetarët për të votuar partinë dhe deputetë të caktuar në zgjedhjet e 6 tetorit

Aktuale

Si kërcënohen qytetarët për të votuar partinë dhe deputetë të caktuar në zgjedhjet e 6 tetorit

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 10:44
Ilustrim

Serbët e veriut, të punësuar nëpër institucione shtetërore, po urdhërohen, madje edhe kërcënohen me vende pune nga drejtuesit e këtyre institucioneve, që të votojnë pesë kandidatët e parë të Listës serbe për deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, ndërsa serbët e jugut, urdhërohen të votojnë pesë kandidatët e dytë, përkatësisht nga numri 6-10, bëjnë të ditur burime të medias.

Një qytetare serbe  (emri i njohur për redaksinë) që punon në njërën prej shkollave në veri të Mitrovicës, ka folur në kushte anonimiteti për KosovaPress, duke thënë se të mërkurën drejtori i saj e ka urdhëruar që më 6 tetor, në ditën e zgjedhjeve, të votojë Listën serbe dhe kandidatët për deputetë prej numrit 1 deri në 5.

“Sot njëra prej kolegeve më tha se duhet të lajmërohem tek drejtori sepse paska diçka të rëndësishme me më thënë. Pasi u lajmërova në zyrën e tij, ku ishim veç ne të dy, më urdhëroi që në zgjedhjet e së dielës, së bashku me familjarët e mi të votojë Listën serbe dhe pesë kandidatët e parë në listë, për deputetë. Ndryshe, rrezikoj vendin e punës”, ka thënë kjo qytetare.

Ajo shtoi se më vonë ka kuptuar që pothuajse të njëjtën gjë drejtori u kishte thënë edhe kolegëve të tjerë, secilit veç e veç.

Sipas kësaj qytetare, e njëjta gjë po ndodhë edhe me qytetarët serbë të jugut të Kosovës, të cilët detyrohen të votojnë për Listën serbe dhe kandidatët për deputetë prej numrit 6 deri në 10.

Këtë e ka mësuar, siç u shpreh ajo, nga një kolege e cila punon në Graçanicë, ndërsa një vendim i tillë është marrë pas konsultimeve të fundit të  disa anëtarëve të Listës serbe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

KosovaPress-i ka arritur të sigurojë letrën e cila në formë të udhëzuesit po ju shpërndahet qytetarëve të katër komunave veriore dhe që konfirmon se kë duhet votuar ata.

Ndryshe, pesë emrat e para për deputetë në listën e kësaj partie janë, Igor Simiq, Zoran Mojsiloviq, Miljana Nikoliq, Sllavko Simiq, dhe Ivan Todosijeviq.  Ky i fundit ishte shkarkuar nga kryeministri Haradinaj, për shkak se masakrën e Reçakut e cilësoi si një “trillim të shqiptarëve”, dhe shqiptarët që luftuan për çlirimin e Kosovës i quajti “terroristë”.

Ndërsa, në grupin e dytë, për të cilët qytetarët serbë jo të veriut, por të pjesëve tjera të Kosovës duhet të votojnë, janë  Jasmina Dediq, Milosh Peroviq, Ljubinko Karaxhiq, Verica Çeraniq dhe Branisllav Nikoliq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat