PDK: U konfirmua se Albin Kurti i ka shantazhuar bizneset dhe u ka marrë mijëra euro

Aktuale

PDK: U konfirmua se Albin Kurti i ka shantazhuar bizneset dhe u ka marrë mijëra euro

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 17:13
Arben Gecaj

Në emër të shtabit zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Gecaj, sot ka denoncuar shantazhet e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që ia ka bërë bizneseve kosovare.

Gecaj ka thënë se tashmë të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar edhe publikisht nga Florin Krasniqi, ish-deputet i Vetëvendosjes dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Albin Kurtit, se Kurti ka shantazhuar bizneset kosovare, duke u marrë dhjetëra mijëra euro kesh në mënyrë korruptive, përfshirë këtu edhe nga korporata Devolli.

 “Që nga 2010, Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë kërkuar para nga qytetarët e Republikës së Kosovës me arsyetimin se “donacionet e vogla nga qytetarët na shpëtojnë nga bizneset e mëdha private”. E vërteta është se Vetëvendosje që nga fillimi ka marrë para nga bizneset e mëdha, kurse “donacionet e vogla nga qytetarët” kanë qenë metoda më e mirë për të shpërlarë paratë e bizneseve të mëdha”, ka thënë Gecaj.

Ai ka theksuar se kjo mund të shihet edhe në listën e “donacioneve të vogla”, ku qindra aktivistë të Vetëvendosjes, shumica studentë dhe të papunë, kanë deponuar nga 1000 e më shumë euro.

“Në këtë listë mbi 90% e donacioneve janë bërë nga vetë Albin Kurti, Glauk Konjufca, Visar Ymeri, Shpend Ahmeti, Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Arben Vitia dhe nga militantët tjerë. Është e çuditshme se dhjetëra e mijëra euro janë dhuruar nga familjarët e Albin Kurtit, nga vëllezërit e tij, babai, nëna dhe familjarë të anëtarëve të tjerë të Vetëvendosjes”, ka shtuar Gecaj.

 Sipas tij, paratë që i kanë marrë nga bizneset e mëdha ua kanë shpërndarë militantëve partiakë dhe i kanë maskuar si kinse qytetarë vullnetmirë që duan të ndihmojnë Vetëvendosjes.

“Pse Vetëvendosje ka deklaruar vetëm 500 euro donacion nga Devollët? Pse i mban fshehtë? Pse nuk i ka deklaruar paratë e marra, rreth 20 mijë euro, që mbrëmë publikisht e konfirmoi në televizion ish anëtari i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, i cili kishte qenë prezent së bashku me Albin Kurtin kur i kanë marrë paratë në kesh”, ka thënë ai.

 Gecaj ka thënë se Albin Kurti pothuajse krejt kauzën e tij politike e kishte ndërtuar duke akuzuar Devollët. Madje, në një intervistë të mbrëmshme, ishte vetë Kurti ai që pohoi “po edhe ka mundësi që kemi marrë nga Devollët”.

 Sipas Gecajt, kjo shpërfaq dyfytyrësinë dhe sjelljen korruptive të Kurtit edhe për faktin që në Kuvendin e Kosovës para dy vjetësh kishte mbajtur një fjalim plot mllef kundër Devollëve.

“Po të kishte prokurori funksionale, organet e rendit do të duhej ta merrnin menjëherë në pyetje njeriun, që pa fije turpi publikisht para qytetarëve të Kosovës e pranon se ka marrë para ryshfet. Ashtu siç do të duhej të hetohej dhe gjykohej rasti korruptiv i publikuar muaj më herët për Kryeshefin Ekzekutiv të Ndërmarrjeve Banesore në Prishtinë, Nexhat Kryeziun, në aferën korruptive për dhënie të lokaleve me qira në rajonin e Prishtinës”, ka shtuar ai.

Gecaj ka thënë se kjo tregon se prapa fjalëve të mëdha dhe idealiste të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes qëndron një kriminalitet dhe korrupsion i thellë.

Albin Kurti, sipas Gecajt, është i gatshëm t’i harrojë të gjitha dhe të bashkëpunoj sot me të gjithë ata që i ka shpallur armiq dje.

“Tashmë edhe me dëshmi të qarta se ai ka shantazhuar dhe shantazhon biznese të mëdha për tu marrë para atyre”, ka theksuar ai.

Në një konferencë për media, Arben Gecaj, ka ritheksuar edhe një herë vizionin e PDK-së dhe kryeministrit të ardhshëm, Kadri Veseli, për ta luftuar korrupsionin.

“Ne jemi partia e vetme që mund ta luftojë korrupsionin, sepse kemi treguar që nisim këtë betejë nga vetvetja dhe nuk do të ndalemi asnjëherë”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat