Veseli paralajmëron fitoren e PDK-së nga tubimi madhështor në Vushtrri

Aktuale

Veseli paralajmëron fitoren e PDK-së nga tubimi madhështor në Vushtrri

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 21:27
Pamje nga tubimi

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli në tubimin e sotëm me qytetarët në Vushtrri, theksoi se PDK-ja ka vendosmëri për një Kosovë perëndimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa veçoi edhe platformën për një Kosovë pa korrupsion me një ekonomi të fuqishme.

Në një tubim ku salla ishte e mbush plotë më simpatizantë të PDK-së, Veseli tha se do të përkrahin të gjithë të rinjtë e Kosovës, fermerët dhe industrinë e përpunimit të drurit.

Veseli: 6 tetori, është referendum për të ardhmen tonë

“Sot ishim në Podujevën e Zahir Pajazitit, vazhduam në Skenderajn e Adem Jasharit, për të ardhur në Vushtrrinë e Hasan Prishtinës dhe për ta kurorëzuar në Prishtinë më 6 tetor fitoren e Kosovës, fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës. 6 tetori është referendum për të ardhmen tonë. 6 tetori është ditë vendimtare, sfidat para nesh pas 6 tetorit nuk do të jenë të lehta, por ne jemi të përgatitur, ne kemi vizion, e dimë rrugën, ne kemi vendosmëri, e ajo është Kosova perëndimore, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova pa korrupsion, me ekonomi të dijës, ndërmarrësisë, prodhimit. Kosova e fuqishme si shtet në të cilin jetojnë qytetarët me mirëqenie dhe krenari”, theksoi Veseli.

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Kadri Veseli, nga qytetarët e Vushtrrisë kërkoi që të mos bien pre e mashtrimeve për fyerje e akuza, të cilat janë të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Veseli: Ata të cilët e ndajnë Kosovën brenda, nuk mund të mbrojnë jashtë

“Do të fuqizojmë ekonominë e Kosovës. Më 6 tetor, Vushtrri e Kosovë mbajeni këtë entuziazëm, mos bini në ndikim të çdo fyerje e akuza. Ato e ndajnë e përçajnë popullin e Kosovës. Ata të cilët e ndajnë Kosovën brenda, nuk mund të mbrojnë Kosovën jashtë”, deklaroi ai.

Kryetari i degës së PDK-së në Vushtrri, Kurtan Kajtazi theksoi se pas fitores së PDK-së në 2007, u bë pavarësia, infrastruktura, shkollat dhe u ritën pagat për ta kthyer dinjitetin e qytetarëve të këtij vendi.

Ai kërkoi nga qytetarët e Vushtrrisë të votojnë PDK-në, që ka një program për zhvillim ekonomik, me liderin Kadri Veseli që është njeri më i fuqishëm që ka sot Kosova.

Kajtazi: Perspektiva dhe e ardhmja është me PDK-në dhe Kadri Veseli

“Më 6 tetor nuk votohet vetëm për një qeveri katër vjeçare, por votohet për shekullin e ri, për rrugën nga do të shkoj Kosova, për integrim në BE, NATO, zhvillim ekonomik apo do të ketë një stagnim dhe izolim të Kosovës. Ju lus edhe tri ditë rresht mos u ndalni, bisedoni me shokë, me miq, me bashkëmoshatarë të juaj. Kërkoni nga ta votën për ju, për prindërit tuaj, për të ardhmen e Kosovës, sepse perspektiva dhe e ardhmja është me Partinë Demokratike të Kosovës, me Kadri Veseli”, theksoi Kajtazi.

Kandidatë për deputet nga kjo komunë janë, Bajram Mulaku, Kurtan Kajtazi, Xhevahire Izmaku dhe Shpejtim Zhergova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat