Ngritet niveli i bashkëpunimit institucional për ditën e zgjedhjeve

Aktuale

Ngritet niveli i bashkëpunimit institucional për ditën e zgjedhjeve

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 15:57
Foto nga konferenca

Është ngritur niveli i bashkëpunimit institucional të cilat janë nënshkruese të memorandumit të bashkëpunimit për procesin zgjedhor, për parandalimin e shkeljeve ligjore dhe hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që bien ndesh me ligjin.

Kështu u bë e ditur në konferencën e përbashkët me përfaqësues të institucioneve nënshkruese si Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Prokurorit të Shtetit, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, dhe përfaqësuesve nga Demokracia në Veprim.

Aty u tha se është certifikuar edhe lista përfundimtare e votuesve e cila përmban 1 milionë e 937 mijë e 869 votues, apo 111 mijë e 733 votues më pak se në zgjedhjet e 22 tetorit të vitit 2017.

Drejtori i Departamentit për çështje ligjore në KQZ, Xhemail Peçani tha se deri më tani kanë pasur sfida për shkak të afateve të jashtëzakonshme, porse shtoi se janë brenda afateve të parashikuara me planin operacional.

Ai tha se në zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë 895 qendra të votimit, apo katër qendra më pak se në zgjedhjet e vitit 2017.

Peçani: 111 mijë e 733 votues më pak se në zgjedhjet e vitit 2017

“Janë emëruar 258 komisione komunale në 38 komuna të Republikës të Kosovës. I gjithë materiali sensitiv është në depot e komisioneve komunale. Materiali sensitiv qysh nga dita e nesërme, me ndihmën e Policisë të Kosovës, do të distribuohet prej depos të KQZ-së në depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve, i cili besojmë se ditën e zgjedhjeve do të jetë në të gjitha qendrat e votimit. Qendra e numërimit të rezultateve gjendet në fazën e operimit të saj dhe është e gatshme me të gjitha kapacitet. Janë emëruar mbi 17 mijë e 921 anëtarë të këshillave të vendvotimeve në të gjitha komunat. Është certifikuar edhe lista përfundimtare e votuesve e cila përmban 1 milionë e 937 mijë e 869 votues me të drejtë vote, për dallim prej zgjedhjeve lokale të 2017-ës, janë 111 mijë e 733 votues më shumë në krahasim me këto zgjedhje”, tha ai.

Laura Pula, koordinatore nacionale për zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, tha se shpresojnë që dita e zgjedhjeve të jetë ditë feste për të gjithë.

Në zyrën e Prokurorit të Shtetit, Pula tha se tashmë kanë caktuar dhomën operative me staf të mjaftueshëm, i cili do të jetë ‘online’ me të gjitha qendrat, prokuroritë dhe koordinatorët.

Pula: Kemi caktuar dhomën operative me staf të mjaftueshëm 

“Tashmë e kemi caktuar dhomën operative me staf të mjaftueshëm, i cili do të jetë ‘online’ me të gjitha qendrat në nivel vendi, me të gjitha prokuroritë themelore, 7 sosh, dhe së bashku me koordinatorët rajonal të komunave, të cilët mbajnë përgjegjësinë dhe obligimet për të vepruar në regjionet e tyre dhe me obligim të posaçëm për të treguar të gjitha veprimet e kundërligjshme që mund të ndodhin ditën e zgjedhjeve”, u shpreh Pula.

Ajo bëri të ditur se kanë filluar edhe hetimet e publikimit të video-s jashtë shtetit, në të cilën shihet votimi në një familje, për çka tha se vet protagonisti i asaj video është lajmëruar dhe se ka deklaruar se në videon në fjalë janë fotografuar vetëm zarfet dhe jo fletët e votimit.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zëvendëskryesuesja Makifete Saliuka u shpreh se përkrahin zgjedhjet e parakohshme në vend me të gjitha kapacitetet që kanë.

Saliuka: Të gjitha rastet e pranuara nga Prokuroria zotohemi se do t’i trajtojmë me prioritet 

“Ne si Këshill zotohemi që të gjitha rastet e pranuara nga Prokuroria e Kosovës lidhur me keqpërdorimet në zgjedhje do të trajtohen nga gjykatat si lëndë me prioritet. Përveç kësaj zotohemi se ekzekutimi i vendimeve të lëshuara nga gjykatat do të bëhet me kohë dhe në mënyrë efikase”, theksoi ajo.

Gyltene Sylejmani, kryesuese e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa bëri të ditur se deri më tash janë parashtruar 210 ankesa dhe panele.

Ajo tha se deri në këtë fazë në PZAP janë parashtruar 86 apele dhe 124 ankesa, teksa bëri të ditur edhe për gjobat e shqiptuara ndaj subjekteve politike.

Sylejmani: Janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 154 mijë e 450 euro për subjektet politike 

“LDK-së i është shqiptuar 32 mijë e 700 euro, PDK-së 52 mijë e 500 euro, Listës Serbe 36 mijë e 100 euro, koalicionit AAK-PSD 28 mijë e 800 euro, koalicionit NISMA-AKR-PD 2 mijë e 500 euro... Gjithsej dënime janë shqiptuar 154 mijë e 450 euro. Në procedurë e sipër janë edhe shumë ankesa, mbi 40 ankesa që janë në zhvillim e sipër, kështu që ky numër nuk është përfundimtar”, deklaroi Sylejmani.

Ndërsa Florent Spahija nga Demokracia ne Veprim tha se kanë të angazhuar 72 vëzhgues në periudhë afatgjatë, ndërsa në ditën e zgjedhjeve do të jenë edhe 2 mijë e 600 vëzhgues, të cilët do të jenë në secilin vendvotim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat