Fushata e partive politike, me programe të përafërta

Aktuale

Fushata e partive politike, me programe të përafërta

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 16:55
Panot reklamuese të disa subjekteve politike që garojnë për zgjedhjet e 6 tetorit.

Fushata e partive politike në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ashtu sikurse edhe në fushatat e mëhershme, e shpreh tranzicionin e vendit, me premtime që kryesisht nuk kanë mbulesë, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Politologu Ramush Tahiri thotë për Radion Evropa e Lirë që gjatë fushatës, e cila ka nisur më 25 shtator dhe që do të përmbyllet më 4 tetor, partitë politike kanë dhënë premtime afërsisht të njëjta.

Për shembull, sipas tij, të gjitha partitë politike kanë theksuar që rritja ekonomike vjetore do të jetë 6 deri në 8 për qind, që do të ketë shtesa për fëmijët, por me dallime te shuma e ndihmës apo ndihma momentale, që do të rregullojnë çështjen e pensioneve, që do të ndihmojnë ekonominë e vogël dhe të mesme, që do të ndihmojnë investimet në bujqësi, subvencionet, garantimin e çmimeve dhe grumbullimin e prodhimeve.

Në segmentin politik, siç thotë Tahiri, të gjitha partitë flasin për dialogun Kosovë-Serbi, si çështje mjaft e rëndësishme, për integrimet euroatlantike të Kosovës, si dhe për miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ajo që bie në sy këtë herë, premtimet janë më ‘për toke’, nuk janë shumë premtime të mëdha, por janë më të përafërta. Do të thotë, nuk shkojnë për shumë dekada apo vite, por shkojnë për periudhën dyvjeçare. Karakteristike është që të gjitha partitë politike i kanë programet e përafërta dhe nuk kuptohet se cila parti çfarë thotë, sepse e thonë ngjashëm. Partitë kanë kritikuar njëra-tjetrën, por më pak se herët e kaluara dhe me më pak afera se herëve të kaluara. Nuk ka eksese nëpër tubime, qoftë në hapësira të jashtme apo të mbyllura”, thotë Tahiri.

Ai shton se megjithatë partitë politike i kanë akuzuar mediat e caktuara se i favorizojnë subjektet politike të caktuara.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se fushata për zgjedhjet e 6 tetorit, ka treguar që dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, i ka zënë të papërgatitura plotësisht partitë politike për sfidat e zgjedhjeve dhe kërkesat e elektoratit. Premtimet e partive politike gjatë fushatës, sipas tij, janë klishe dhe të pabazuara në planifikime konkrete.

“Prandaj, gjatë kësaj periudhe kemi parë oferta të përgjithësuara, me premtime të pabazuara në projekte të detajuara. Prandaj edhe mund të thuhet se pas 6 tetorit, për fat të keq, nuk mund të pritet ndonjë ndryshim në raport me adresimin e problemeve të jetës së përditshme të qytetarëve, siç janë çështjet e shëndetësisë, arsimit, papunësisë. Mirëpo, duket se do të vazhdojë edhe më tej një inercion, siç ishte deri më tash”, thotë Muhaxhiri.

Ndërkaq, karakteristikë tjetër e kësaj fushate, sipas politologut Tahiri, janë panot reklamuese të disa liderëve të partive politike, përmbajtja e të cilave përpiqet të paraqesë mbështetjen që kanë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e BE-së, veçanërisht Gjermanisë.

“Këto parti, dëshirojnë ta shfrytëzojnë faktorin e jashtëm për qëllime të brendshme dhe të thonë se kanë përkrahjen ndërkombëtare, pasi që populli pret shumë nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, dy shtete që kanë ndikim në Kosovë. Atëherë, ato paraqesin, pak a shumë, lajme të rrejshme ose lajme që i përngjajnë që kinse e kanë përkrahjen ndërkombëtare, në mënyrë që të ndikojnë te ndërgjegjja e qytetarëve që t’i votojnë”, thekson Tahiri.

Partia Demokratike e Kosovës me sloganin “Ndërtojmë të ardhmen për ty dhe shtetin” ka premtuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin ekonomik të vendit, sundimin e ligjit, respektin e të huajve ndaj Kosovës, mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit, bashkëjetesën e të gjithë qytetarëve të vendit dhe fuqizimin e aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate me sloganin “100 për qind shtet”, ka premtuar se nuk do ta heqë taksën prej 100 për qind për mallrat e Serbisë derisa kjo e fundit të mos e njohë Kosovën në kufijtë ekzistues, zhvillimin ekonomik, të shëndetësisë dhe të arsimit, forcimin e shtetit ligjor dhe sistemit të gjyqësorit.

Koalicioni “Liria”, që përfaqëson komunitetin serb, ka premtuar angazhimin për përmirësimin e jetesës së të gjithë qytetarëve të vendit, sigurimin e mbijetesës së komunitetit serb në Kosovë, si dhe inicimin e dialogut nga vetë serbët e Kosovës me komunitetin shumicë shqiptar.

Lëvizja Vetëvendosje me sloganin “Erdhi dita”, ka premtuar fuqizimin e sektorit privat me paga, rritjen e vendeve të punës, shtet të fortë ligjor, efektivitet të shtuar të sistemit të drejtësisë, arsimim dhe shëndetësi cilësore, vendosje të masave reciproke me shtetin e Serbisë.

Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, me sloganin “Bashkë për shtetin”, ka thënë se prioritet i saj do të jetë politika e jashtme e Kosovës dhe dialogu me Serbinë, investimet në ekonomi dhe bujqësisë, sundim të ligjit, si dhe stimulim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Heqja e taksës ndaj produkteve të Serbisë, sipas këtij koalicioni, do të ndodhë kur të pushojnë arsyet për vendosjen e kësaj takse.

Lidhja Demokratike e Kosovës me sloganin “Beso”, ka premtuar se programi i saj do të fokusohet në interesat e vitale të qytetarëve, të zhvilluar ekonomikisht, shanse të barabarta për të gjithë, drejtësi për të gjithë, edukim dhe shëndetësi cilësore, hapje të dyerve, siç i kanë quajtur “të mbyllura” për Kosovën dhe kthim të shtetit në rrugën e demokracisë së njëmendtë, lirisë dhe përparimit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat