Gjermania reagon pas emërimit të Richard Grenell - emisar në dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

Gjermania reagon pas emërimit të Richard Grenell - emisar në dialogun Kosovë-Serbi

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 18:49
Richard Grenell dhe Angela Merkel

Presidenti Donald Trump, ka emëruar ambasadorin Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani, Richard Grenell, edhe në postin e Përfaqësuesit Special Presidencial për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një vendim i tillë ka habitur shumë kë, pasi nuk kanë kaluar as dy muaj që prej emërimit të Matthew Palmer si Përfaqësues për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë çështje express ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë Federale të Gjermanisë, duke qenë se Richard Grenell ushtron edhe postin e ambasadorit të SHBA’së në Berlin.

Zëdhënësi i Qeverisë së kancelares gjermane, Angela Merkel, Stefan Siebert, thotë se është e rëndësishme që të kenë koordinim me partnerët amerikanë sa i përket politikës për Ballkanin Perëndimor, duke potencuar se zhvillimet në këtë rajon janë shumë të rëndësishme.

“Para se gjithash, është në përgjegjësinë e Qeverisë se SHBA’së për të emëruar Përfaqësues Special. Për ne mbetet, që në fushën e politikave për Ballkanin perëndimor, gjë që është shumë e rëndësishme për ne, të kemi një pjesë të rëndësishme të politikës sonë të jashtme, dhe sigurisht duhet të koordinohemi me partnerët amerikanë, dhe ne do ta bëjmë, edhe tash kur Mr. Grenell është Përfaqësues Special. Nuk mund t’iu japë një vlerësim personal nga perspektiva gjermane”, ka thënë Siebert.

Ndërkohë sot gjatë gjithë ditës ka pasur reagime lidhur me vendimin e fundit të Donlad Trump për emërimin e Richard Grenell në postin e Përfaqësuesit Special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, e ka cilësuar si një vendim bizar, Florian Bieber ekspert për Ballkanin e ka cilësuar si lajm jo të mirë, derisa gazetari britanik, Tim Judah, thotë se është çuditur nga një vendim i tillë

Ndërkohë “Zëri i Amerikës” në gjuhën serbe ka publikuar një profil të Grenell, në të cilin flitet për problemet dhe izolimin e tij si diplomat në Gjermani, pasi që ambasadori amerikan disa herë kishte bërë përpjekje që të ndërhynte në politikat e brendshme të Gjermanisë.

Aty tregohej edhe një takim sekret që Grenell e kishte mbajtur me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë muajit dhjetor në Berlin, takim ky në të cilin presidenti i Kosovës i kishte premtuar atij se Kosova do ta hiqte vendimin për taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ndërkohë Presidneti Thaçi menjëherë sot ka zhvilluar një telefonatë me ambasadorin gjerman, Richard Grenell, duke thënë se emërimi i tij tregon se SHBA’ja dëshiron që të arrihet një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ky është konfirmim i përkushtimit personal të Presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë mbetet ende e paqartë se cilat do të jenë lëvizjet e Bashkimit Evropian në vazhdim. Nëse do të emërohet ndonjë Përfaqësues Special siç ishte paralajmëruar, apo Josep Borell do të jetë ndërmjetësues në dialogun për normalizim të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, meqenëse shumë shpejtë do ta marrë pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE’së.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet që të rifillojë në fund të muajit dhjetor apo në fillim të janarit 2020, ndërkohë është raportuar se SHBA’ja dëshiron një marrëveshje finale Kosovë-Serbi deri në verën e vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat