Limaj, kandidatëve për deputetë: Detyrat fillojnë pas 7 tetorit

Aktuale

Limaj, kandidatëve për deputetë: Detyrat fillojnë pas 7 tetorit

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 19:11
Fatmir Limaj

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma, AKR, PD, Fatmir Limaj, u ka bërë thirrje kandidatëve për deputetë që nëse arrijnë të hyjnë në Kuvend, të jenë të përgjegjshëm dhe mos ta harrojnë qytetarin.

Ai kështu ka thënë gjatë një tubimi në Prizren, duke shtuar se detyrat fillojnë pas 7 tetorit.

“Do të vazhdojmë të punojmë fort për të mirën e atdheut tonë, ne do të bisedojmë edhe me ata që mendojnë ndryshe, për të mirën e Kosovës dhe për të mirën e qytetarëve tanë. Do të vazhdojmë që interesin e Kosovës ta kemi mbi të gjitha. Ftesa ime është: dëgjojeni mesazhin e bashkimit, thoni jo përçarjes”.

“Ne tani jemi kthyer në zëdhënës të shumë shtresave sociale, ne jemi krenar që përfaqësojmë zërin e tyre – që zëri i tyre ka qenë i heshtur, si zëri i pensionistit, gruas dhe punëtorit . Jemi me zemër, jemi me fuqi, jemi me ide”.

“E kemi vizituar Kosovën cep më cep për të biseduar me qytetarët tanë anekënd Kosovës. Dua t’i falënderoj kandidatët që kanë prezantuar projektin tonë dhe po ashtu aktivistët që kanë qenë të kujdesshëm dhe të përmbajtur në çdo hap. Kemi pasur rast të takohemi me të rinjtë, pleqtë, punëtorët dhe me shumë tjerë që kanë pasur halle dhe telashe”.

“Të nderuar deputetë të ardhshëm të Parlamentit të Kosovës, mos harroni atë çka keni dëgjuar nga qytetarët për problemet e tyre, mos harroni bashkëbisedimin dhe besimin që ua kanë dhënë ata”.

“Ne atje po shkojmë jo pse jemi ma të mirët, por thjeshtë këtu janë qindra vajza, djem që na kanë besuar dhe që jemi vullneti i tyre në Parlamentin e Kosovës”.

“Mos habitni, kur shkoni në Parlamentin e Kosovës, mos harroni se pa qytetarët nuk jeni askush, pa votën dhe pa mbështetjen e tyre”.

“Mbani kontaktet me të gjithë ata që keni vizituar. Kjo nuk mbaron me 6 tetor – detyrat fillojnë pas 7 tetorit. Të punojmë duke qenë të përgjegjshëm, të vendosur në mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës”.

“Me Nismën dhe kandidatët tanë, ne nuk do të lejojmë të cenohet asnjëherë vullneti i qytetarëve. Për neve mbi të gjitha është Kosova. Ne sot ekzistojmë këtu për t’i shërbyer këtij vendi, për t’i ftuar qytetarët e Kosovës për bashkim – mjaft përçarjeve dhe mashtrimeve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat