DnV me 95% të votave: Vetëvendosje partia e parë

Aktuale

DnV me 95% të votave: Vetëvendosje partia e parë

Më: 6 tetor 2019 Në ora: 01:23
Ismet Kryeziu

(E plotësuar) - Demokracia në Veprim ka thënë se pas numërimit të 95 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje është në vend të parë.

Sipas DnV-së, VV-ja ka 25.37 për qind. LDK-ja ka 24.68 e PDK-ja 21.78.

Koalicioni AAK-PSD ka 11.6 për qind, ndërsa Nisma rrezikon pragun me vetëm 5.06 për qind.

Ndërkohë edhe numërimet e KQZ-së deri më tani e nxjerrin VV-në të parën.

DnV numëron 80 për qind të votave, prin LDK-ja

Demokracia në Veprim ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën sot, ku votuan mbi 800 mijë qytetarë.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, DnV ka bërë me dije se në bazë të rezultateve preliminare për fletëvotimet e numëruara për 2047 vendvotime ose 80% e vendvotimeve në gjithë Kosovën prin LDK’ja me 24.61 %.

Sipas DnV, pas LDK’së me përqindje më të madhe të votova renditet Lëvizja Vetëvendosje me 24.27 % dhe Partia Demokratike e Kosovës me 22.41 %.

***

Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, në një konferencë për media ka dhënë rezultatet preliminare të zgjedhjeve për subjektet politike.

Ndonëse është pritur që DnV të dalë me rezultatet finale preliminare, ajo ka dalë vetëm me 53 përqind të votave të numëruar.

Rezultatet e bazuara në 53 përqind të votave të numëruara sipas DnV-së
PDK 22,83
AAK-PSD 12,8
NISMA 5.29
LVV 23.63
LDK 24.83
Lista Serbe 6.33

DnV: Në orët e pasdites janë shënuar 23.500 asistime

Demokracia në Veprim në konferencën e radhës ka bërë të ditur se deri në ora 17.00 për zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale kanë votuar 38 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Ismet Kryeziu nga DnV, tha se kjo është një përqindje më e madhe krahasuar me zgjedhjet e kaluara parlamentare.

Kryeziu: 38% qytetarë votuan deri në ora 17:00

“Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim, deri në orën 17:00, 38% të qytetarëve kanë dalë në votim, një përqindje e cila është në ngritje krahasuar me vitet paraprake e sidomos vitit 2017” , tha Kryeziu.

Ai ka përmendur edhe numrin e madh të asistuesve që kanë përcjellë të moshuarit për të dalë të votuar.

Kryeziu: Në orët e pasdites janë shënuar 23.500 asistime

VIDEO

“Këtë vit ka pasur numër të madh të asistencës, ku gjatë orës së pasdites janë shënuar 23.500 asistime. Ka pasur 71 raste ku u ofrua asistence me shumë se 1 here, kjo është në kundërshtim me ligjin zgjedhor, pasi asnjë asistues nuk ka të drejtë të ofrojë më shumë se një herë asistence”, tha ai.

Kryeziu ka shtuar se ky numër në zgjedhjet e kaluara ishte mbi 31.000.

Ai ka folur edhe për parregullsitë e evidentuara gjatë procesit zgjedhor.

Kryeziu: 55 raste të fotografimit të votës në 32 vendvotime

“Fotografimi i votës ka ndodhur edhe në këto zgjedhje, 55 raste në 32 vendvotime fotografime të votës, bërja publike e votës , 17 raste në 14 vendvotime e po ashtu qëndrimi në kabinë më shumë se 1 person ka ndodhur në 80 raste në 41 vendvotime”, tha Kryeziu.

***

Demokracia në veprim po mban një konferencë për media, pak minuta para mbylljes së votimeve.

Sipas DnV deri në ora 17:00 kane dalur të votojnë 37% të qytetarëve.

“Derisa në or a17:00 kanë dalur 37%. Eshtë një përqindje më e lartë krahasuar me vitet paraprake”, u tha në konferencë. 

DnV mban konferencë për media për mbarëvajtjen e procesit të votimit (Drejtpërdrejt)

Procesi i votimit në të gjithë vendin po vazhdon të vëzhgohet nga Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”. Deri tash, kutive të votimit u janë drejtuar mbi 550 mijë qytetarë nga i gjithë vendi.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, DnV ka bërë të ditur se deri në ora 13:00 janë hasur 83 raste të fotografimit të votës në 53 vendvotime.

Poashtu, DnV ka bërë me dije se deri në këtë orë është raportuar për 31 raste që votuesit e kanë bërë publikimin e vendvotimeve.

Ndryshe, sipas statistikave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 550 mijë qytetarë nga i gjithë vendi. Këtë proces zgjedhor janë duke e vëzhguar rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare.

Në gjithë Kosovën janë hapur 895 qendra votimi me rreth 2000 vendvotime, derisa numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 937 mijë e 868.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të kujdesen  Policia dhe Prokuroria e Shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja bashkëpunon përherë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Mes tyre, 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur. E këto subjekte politike janë shqiptare, serbe, boshnjake, turke gorane, ashkalinje, rome dhe egjiptiane.

***

 Deri në orën 15:00 kanë votuar 29,26% e qytetarëve të Republikës së Kosovës, njofton Bota sot.

557.151 është numri i përgjithshëm i votuesve që kanë votuar në vendvotimet nga të cilat janë dërguar të dhënat.

***

Katër persona janë ndaluar në stacionin policor në Prizren, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë për keqpërdorimin e votës, saktësisht fotografimin e saj. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në Prizren, Vesel Gashi,

“Mund të ju konfirmojë se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me prokurorinë kemi ndaluar katër persona të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur votën”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Personat e arrestuar për keqpërdorim të votës në shkollën “Abdyl Frashëri” dhe një në “Mustafa Bakia” të Prizrenit.

Në këto momente hetuesit janë duke i intervistuar të dyshuarit dhe se me urdhër te prokurorit do të ndalohen për procedura të mëtutjeshme.

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, zgjedhin sot përfaqësuesit e tyre për përbërjen e re të Kuvendit, nga i cili do të zgjidhet më pas edhe qeveria e re e Kosovës me mandat katërvjeçar.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë.

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë njoftuar se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën e paraparë, me përjashtim të disa qendrave të vogla që ka pasur vonesa të vogla.

Në Gjilan deri në orën 11:00 kanë votuar 9 mijë e 88 votues

 Në komunën e Gjilanit deri në ora 11 kanë votuar 9 mijë e 88 votues. Këtë e ka bërë të ditur Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Gjilan, Ferid Shabani.

“Numri i votuesve është 103 mijë e 54 votues janë në komunën e Gjilanit. Kanë votuar 9 mijë e 88 votues që është 8.82 për qind kurse në zgjedhjet e kaluara parlamentare ka qenë 8.15 që është një përqindje më e madhe. Nuk është raportuar ndonjë problem” ka thënë ai.

Kurse zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjilan, Ismet Hashani ka deklaruar se procesi i zgjedhjeve në komunat e Anamoravës është i qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident. “Deri tani vazhdon të jetë gjithçka në rregull në tërë rajonin tonë” ka thënë ai.

Deri në ora 11:00 në Malishevë votojnë 6.29 përqind qytetarë

Në Malishevë deri në ora 11:00 tani kanë dalë të votojnë 5003 qytetarë, apo 9.29 përqind.

Në këtë komunë janë 35 qendra të votimit dhe 74 qendra të votimit, të drejtë vote kanë 53849 persona.

Monitoruesit nga Britania gjejnë një listë me emra të kandidatëve brenda kabinës së votimit

Një ekip i monitoruesve nga Britania e Madhe të cilët kanë vizituar shkollën Rasim Kiqina në Drenas kanë zbuluar brenda kabinës së votimit në një klasë të kësaj shkolle një listë me emra të kandidatëve për deputet.

Lajmi është konfirmuar nga kryesuesja e vendvotimit Marigona Bazaj.

Nuk dihet se kush është personi që e ka lënë letrën në kabinë e po ashtu pse nuk është kontrolluar kabina për ta eliminuar.

Në këtë komunë është përqindja më e madhe e daljes në zgjedhje

Sipas statistikave të KQZ-së të publikuara në faqen zyrtare, në komunën e Leposaviqit kanë dalur deri më tani 20.33 për qind e votuesve.

Nga 17 mijë e 993 persona të regjistruar si votues, saktësisht 3 mijë e 610 tashmë e kanë kryer obligimin qytetar.

Në Leposaviq janë të hapura 31 vendvotime, ndërsa të dhënat deri në ora 11 janë dërguar nga 30 vendvotime.

29 raste të publikimit të votës

Sipas DV-së, deri në orën 09:30 kanë votuar 6% e qytetarëve me të drejtë vote. Demokracia në Veprim (DV), në një konferencë për media ka deklaruar se në bazë të të dhënave nga terreni procesi i votimit po rrjedh i qetë.

Demokracia në Veprim nga të dhënat deri në orën 09:30 procesi i votimit ka qenë i qetë. Sipas DV-së, 102 mijë qytetarë e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë përkatësisht 6% e qytetarëve me të drejtë vote.

Sa u përket parregullsive në gjetjen e vendvotimit, sipas DV-së janë evidentuar 3 mijë e 695 raste të tilla.

Ndërsa, sa i përket asistencës për të votuar deri në orën 09:30 janë raportuar 5 mijë e 283 raste në 1 e 809 vendvotime. 46 raste janë shënuar kur një person ka ofruar asistencë më shumë se një herë, me këtë parregullsi prinë Prishtina me 12 raste, pastaj Mamusha 6 raste.

E sa i përket publikimit të votave janë shënuar 29 raste në 23 vendvotime. Këtu prin komuna e Prishtinë me 5 raste, Peja 4, Rahoveci 4 dhe Lipjani 3 raste. Në këtë periudhë kohore kishte edhe parregullsi si qëndrim i më shumë personave prapa kabinave.

Deri tani 9.64 përqind votues

Deri në orën 09:30 vetëm 6 për qind e qytetarëve të Kosovës e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar, ndërsa sipas Demokracisë në Veprim procesi zgjedhor po shkon i qetë, por ka edhe parregullsi të evidentuara.

Mexhide Demolli Nimani nga Demokracia në Veprim, tha se deri në orën 09:30 kanë votuar 102 mijë qytetarë, ndërsa votuesit kanë vështirësi në gjetjen e vendvotimeve.

Nimani: Vetëm 6 për qind e qytetarëve e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës

“Të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 102 mijë qytetarë, përkatësisht 6 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1 milion e 937 mijë e 369 qytetarë. Sa i përket parregullsive më evidente gjatë procesit të votimit në bazë të raportimeve të vëzhguesve në terren në përgjithësi procesi zgjedhor është duke shkuar i qetë, por nuk kanë munguar parregullsitë në procesin e votimit. Deri në orën 09:30 janë evidentuar3695 raste kur votuesit janë pasur vështirësi të gjejnë vendvotimin e tyre e duhur në afër 1 mijë vendvotime  ”, tha ajo.

Sipas vëzhguesve të Dnv-së, ofrimi i asistencës edhe gjatë këtij procesi zgjedhor është keqpërdorur dhe janë evidentuar 5283 raste në 1809 vendvotime,  ku me këtë parregullsi prin Prishtina.

Nimani: Anëtarët e KVV kanë asistuar votuesit në 47 raste, prin komuna e Prishtinës

“Deri në orën 09:30 janë raportuar 5283 raste në 1809 vendvotime, janë raportuar rreth 46 raste kur një person ka ofruar asistencë më shumë se një herë e regjistruar në 32 vendvotime. Vetëm në vendvotimin 1704C, shkolla e mesme teknike “Shaban Spahija” në Pejë, janë evidentuar 6 raste. Janë 47 raste kur anëtarët e KVV-ve kanë asistuar votuesit për të votuar në 37 vendvotime. Me këtë parregullsi prin Prishtina, 12 raste, Mamusha 6 raste” , u shpreh Nimani.

Image

Monitoruesja nga Demokracia në Veprim, Mexhide Demolli Nimani tha se nga vëzhguesit në terren është raportuar edhe për parregullsi të tjera, fotografim të votës në 29 raste, bërja publike e fletëvotimit në 21 raste dhe qëndrimi i më shumë se një personi prapa kabinës së votimit në 57 raste.

Nimani: Në 29 raste është fotografuar vota

“Deri në orën 09:30 nga vëzhguesit tanë kemi informata se fotografimi i votës është evidentuar në 29 raste në 23 vendvotime, prinë komuna e Prishtinës në 5 raste, Peja në 4 raste, Rahoveci  me 4 raste dhe komuna e Lipjanit me 3 raste. Bërja publike e fletëvotimit është raportuar në 21 raste në 20 vendvotime. Qëndrimi i më shumë se një person prapa kabinës së votimit është evidentuar në 57 raste në gjithsej 57 vendvotime dhe këtu nuk bëhet fjalë për votimin me asistencë“, u shpreh ajo.

Demokracia në Veprim ka paraqitur edhe parregullsi të tjera siç janë futja e më shumë se një fletëvotimi në kuti që është evidentuar në 5 raste, dhe dy persona kanë votuar më shumë se dy herë në komunën e Prishtinës.

Demokracia në Veprim ka ftuar qytetarët të dalin që të votojnë, derisa nga subjektet politike ka kërkuar të përmbahen nga çdo veprim që mund të cenojë integritetin e procesin zgjedhor.

KQZ: 25 mijë votues më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara deri në orën 11:00

Valdete Daka, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se deri në ora 11:00 në Kosovë kanë votuar rreth 9.64 përqind nga 1 milionë e 937 milë e 868 votues.

“Ju njoftojë  se duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit është duke vijuar.

Po ashtu duke u mbështetur në të dhënat që kemi marrë nga rreth 94 përqind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë votë që kanë votuar deri në orën 11:00 është 174 mijë e 669 votues, nga 9.64 përqind, nga 1 milionë e 937 milë e 868 votues”.

“Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e  Kosovës të vitit 2017, kishin votuar 150 mijë e 244 votues, apo 8.45 përqind e votuesve. Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe në çdo qendër votimi i gjeni në ueb faqen e KQZ-së të cilës mund t’i referoheni”, ka thënë Daka në një konferencë për media.

***

Zeka: Nëse votojmë nuk kemi të drejtë as të kritikojmë

Kandidati për deputet Partisë Euroatlantike të Kosovës, Milaim Zeka, pasi që ka votuar u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë, në mënyrë që të kenë të drejtë të kritikojnë ata që do të jenë në ekzekutiv pas 6 tetorit.

Ai ka ftuar për mbarëvajtje të procesit zgjedhor, për të parandaluar keqpërdorimin e votave.

Zeka: Nëse nuk votojmë nuk kemi të drejtë as me kritiku

“Dëshiroj me iu bë thirrje të gjithë qytetarëve me dal me dhanë votën e vet, pavarësisht se për kë votojnë. Unë mendoj që vota është e shenjtë për mos me u keqpërdorë votat, për mos me votu njerëzit në emrin e dikujt tjetër... Qytetarët duhet të votojnë në mënyrë që të kenë të drejtë me i kritiku ata që e marrin në dorë pushtetin. Nëse nuk votojmë nuk kemi të drejtë as me kritiku”, tha ai. 

Vëzhguesja e BE-së: Procesi i votimit po shkon pa probleme

Kryesuesja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, ka vizituar paraditen e sotme disa qendra të votimit në Prishtinë, prej ku ka thënë se procedurat e hapjes së vendvotimeve kanë shkuar pa problem.

Ajo ka theksuar disa incidente të vogla, por sipas saj, në përgjithësi, procedurat në orët e para të votimit kanë rrjedhur pa problem.

Nga Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës, ku janë të vendosura disa qendra të votimit, kryesuesja e misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve nga BE, ka thënë se gjatë ditës do të ketë më shumë vëzhgim dhe se procesin e votimit do ta mbrojnë gjatë tërë ditës së zgjedhjeve.

Image

Cramon-Taubadel: Procesi i votimit po shkon pa problem përveç disa incidenteve të vogla

“I kemi disa incidente të vogla, por në përgjithësi të gjitha procedurat,  prej asaj se çfarë kemi vëzhguar kanë shkuar mirë,  nuk ka pasur ndonjë problem.... Unë mendoj  se një ose dy votues nuk  ishin në vendvotimet e duhura, ose ndonjë gjë e tillë, mirëpo nga ajo se çfarë kemi vëzhguar rreth 98 përqind është duke shkuar mirë dhe pa probleme . I kishim 30 ekipe për hapjen  e vendvotimeve  dhe do t’i kemi 58 ekipe në teren  për tërë ditën”, ka thënë  Cramon-Taubadel.

Ajo ka thënë se procesi duket i qetë, por që sipas saj është herët të flitet meqë kanë kaluar vetëm pak orë që kur janë hapur qendrat e votimit.

Megjithatë, vëzhguesja e Bashkimit Evropian theksoi se nuk ka ndonjë indikacion që mund t’i shqetësojë.

Ahmeti u bënë thirrje qytetarëve të votojnë

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Ahmeti, partia e të cilit është në koalicion me AAK-në, pasi përfundoi votimin e tij në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, theksoi se Kosova ka përparuar në organizimin e zgjedhjeve.

Image

Ahmeti: I ftoj gjithë qytetarët të votojnë

“Unë i ftoj të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre pa marrë parasysh preferencat partiake. E kemi thënë edhe më herët pesë minuta kohë për katër vitet e ardhshme janë të domosdoshme. Deri më tani nuk kemi asnjë raportimi për parregullsi. Shpresoj që kjo të shkoj ashtu siç i ka hije, një ditë demokratike e qetë. Mund të them që kemi përparuar shumë në organizimin e zgjedhjeve, nuk presim incidente, por thjesht presim vullnetin e qytetarëve”, tha Ahmeti. 

Qytetari nga Rahoveci dërgohet në polici, dyshohet për fotografim të votës

Në një qendër të votimit në Rahovec ka pasur dyshime se një votues e ka fotografuar votën.

Menjëherë pas këtyre informacioneve në vendin e ngjarjes ka dalë hetuesi rajonal së bashku me prokurorin e shtetit.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimaj.

Ajo ka thënë se personi në fjalë është duke u intervistuar në stacionin policor në Rahovec.

 “Ju njoftoj se policia ka marr informacion se dyshohej se në një nga qendrat e votimit në Rahovec një votues ka fotografuar votën e tij. Hetuesit Rajonal së bashku me prokurorin e shtetit kanë shkuar menjëherë në atë lokacion. Personi në fjalë është duke u intervistuar në stacionin policor në Rahovec”, ka thënë zëdhënësja e Policisë.

Parregullsi në Prizren: Policia arreston një person

Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Qytetarët sot do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës dhe udhëheqësin e Qeverisë. Në një qendër të votimit në Prizren ka pasur parregullsi, ku një qytetar është shoqëruar në policii.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

“Është raportuar rasti, janë duke u ndërmarrë të gjitha vendimet konform zbatimit të ligjit edhe në bashkëpunim me Prokurorin”, ka thënë Gashi.

Gashi ka bërë të ditur se i dyshuari është dërguar në sektorin e Hetimeve Rajonale.

Mustafa: Kam besim tek qytetarët, kam besim që Kosova do të ec përpara

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka votuar sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Mustafa para medieve tha se kjo ditë është e rëndësishme për qytetarët e vendit.

“Kam besim te qytetarët. Unë do t’i ftoja qytetarët të marrin pjesë masovikisht, në mënyrë që të shprehet vullneti i tyre me numër më të madh”, ka thënë ai, derisa, ka shtuar se edhe në fushatë ka pasur më shumë njerëz, e për këtë shpreson se do të ketë më shumë votues.

“Gjatë fushatës ka pas njerëz më shumë prezent, dhe konsideroj që do të kemi më shumë votues, që për herë të parë do të votojnë. Shpresoj dhe besoj që të dalin më shumë se herat tjera. Nuk kam vrejtë ndonjë parregullsi të madhe, e kam përjcellë prej mëngjesit, nëse ka dicka ne do të dalim, është me rëndësi që të ketë një proces rregull”, ka thënë ai.

Ndryshe, Gjendja shëndetësore e Mustafë nuk dukej aq e mire, gjatë tërë ohës ishte i shoqëruar nga djali i tij.

Image

Vjosa Osmani thërret qytetarët që të votojnë dhe të bëhen pjesë e vendimit historik

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, e ka kryer obligimin e saj qytetar.

Ajo e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Prindon Sadriu e ka hedhur votën e saj në Qendrën e Votimit që është e vendosur në Fakultetin Teknik.

Osmani pas votimit është deklaruar për media ku ka kërkuar nga qytetarët që të dalin dhe të votojnë.

“Thirrja ime është për të gjithaq qytetarët që të bëhen pjesë e këtij vendimi historik sepse vërtetë është ditë historike dhe vendimtare për të ardhmen e Kosovës”.

Image

Voton Pacolli: Të mos abuzohet me votën

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën.

Ai sapo ka votuar në shkollën “Shkëndija” në Hajvali, ka thënë se shpreson që Qeveria e re do të punojë për Kosovën dhe popullin e saj, veçanërisht për të rinjtë.

Image

“Përkushtimi im, është, ka qenë dhe mbetet për të rinjtë. Do të doja që zgjedhjet të shkojnë sa më mirë dhe të mos abuzohet me votën e qytetarit”, ka thënë Pacolli.

“Shpresoj se vetëdija është në nivel shumë më të lartë dhe ne këtu do ta kryjmë këtë sfidë me përkushtim, nder dhe sinqeritet”.

***

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arrritur në qendren e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Osmani ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik, teksa është shoqruar nga bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu. Ai vetëm e ka shoqëruar Osmanin, pasi që siç ka bërë të ditur në Facebook, ai ka votuar para një ore.

Ndryshe, procesin e votimit e kanë përfunduar edhe Presidenti Hashim Thaçi, Albin Kurti, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj.

Ndalohen dy persona zyrtar për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve

Prokurori i Shtetit njofton opinionin se në Mitrovicë, me urdhër të prokurorit, janë ndaluar dy persona të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” nga neni 211 të KPRK-së.

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje, Laura Pula, në koordinim me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla, pas marrjes së informacioneve se është lejuar votimi në kundërshtim me rregullat e KQZ-së, nga ana e dy komisionerëve, (kryesuesi i vendvotimit dhe zyrtari për identifikim në qendrën e votimit 3805B/12D, në shkollën “Sveti Sava”, në Mitrovicën e veriut), janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme duke ndaluar të dyshuarit dhe duke kryer verifikimet procedurale.

Mimoza Kusari-Lila voton bashkë me djalin e saj

Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Alternativës, njëheri edhe kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, ka votuar sot.

Këtë e bëri të ditur vet Kusari-Lila me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.

“Ditë e bukur për Kosovën.Pas një fushate të mbarë, uroj në rezultat të mbarë të ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Sot votova me djalin Edonin, për të sotmen, të ardhmen dhe përparimin në Kosovë”.

“Uroj të gjithë qytetarët e Republikës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe për të dhënë verdiktin e tyre për qeverisjen që duan”, ka thënë Kusari-Lila.

Limaj: Vota e qytetarëve sot, do t’i jap siguri vendit

Kandidati i koalicionit Nisma-AKR-PD për kryeministër, Fatmir Limaj është shprehur se vota sot e qytetarëve të Kosovës do t’i jap siguri dhe perspektivë atyre.

Limaj pasi përfundoi votimin në shkollën "Faik Konica" në Prishtinë, apeloi gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

Limaj: Vota sot e qytetarit të Kosovës do t’i jep siguri vendit

“Kjo mundësi të shfrytëzohet nga gjithë qytetarët e Kosovës. Unë pres që gjithë qytetarët e Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar sipas bindjes së tyre dhe siç e thash sot në mbrëmje të ketë një rezultat që i jep siguri vendit tonë”, tha Limaj. 

Image

Haradinaj: Zgjedhjet, proces i rëndësishëm për vendin

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj ka thënë se qytetarët e Kosovës sot e kanë mundësinë të vendosin për fatin e vendit me votën e tyre.

Pasi kreu obligimin e tij si qytetar, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Haradinaj theksoi rëndësinë e kësaj dite qe sipas tij ata që nuk votojnë sot, për ta vendosin të tjerët.

Haradinaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës që sot të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Thaçi voton dhe fton qytetarët ta bëjnë të njëjtën gjë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka votuar për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Ai së bashku me bashkëshorten e tij, Lumnije Thaçin, është parë duke hyrë në qendrën e votimit “Faik Konica” në Prishtinë.

Image

Pas votimit ai ka mbajtur një fjalim të shkurtër për media, me ç’rast i ka ftuar qytetarët që të dalin dhe të votojnë.

“Dëshiroj t’i uroj qytetarët e Kosovës për këtë ditë të rëndësishme. I ftoj që të dalin të votojnë për të mirën e tyre. Do të jetë një votim për të ardhmen e tyre euroatlantike dhe zhvillim ekonomik të Kosovës”.

Gjenden emrat e tre personave të vdekur në listat e votuesve në Viti

Në shkollën e mesme profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Komunën e Vitisë, janë evidentuar tre emra të personave të vdekur në listat e votuesve.

Kjo është vënë re nga votues familjarë të të ndjerëve. Hasan Saqipi thotë se kjo nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë.

“Që të tre familjarët kanë vdekur në spital dhe përkundër se kemi bërë ankesë, emrat e tyre nuk janë larguar”, ka thënë Saqipi për RTV Dukagjini.

Një gjë e tillë u vërtetua edhe nga menaxheri i qendrës Nijazi Lutfiu.

“Procesi i votimit ka shkuar me rregull, e edhe pajisja me materialet e nevojshme. Është një rast ku është raportuar se janë parë emra të familjarëve të vdekur”, ka deklaruar Lutfiu.

Në Komunën e Vitisë, Qendrat e Votimit janë hapur me kohë dhe deri më tani nuk është raportuar për ndonjë incident tjetër.

Kurti fton qytetarët që të dalin në votim

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje para pak çastesh ka votuar në objektet e Fakultetit Juridik.

Më pas iu është drejtuar gazetarëve, duke thënë se sot është një ditë e veçantë, pasi sipas tij sovrani do t’ua japë përgjigjet të gjithë politikanëve e partive politike

“Sot është një ditë fort e veçant. Të gjitha partive e politikanëve ju përgjigjet populli si burim i sovranitet”, ka thënë Kurti.

Kurti thotë se sot të gjithë janë të barabartë, dhe ka bërë thirrje që të gjithë ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.

***

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosja, Albin Kurti sapo ka votuar.

Ndryshe, Rita Knudsen Augestad, bashkëshortja e Albin Kurtit sot e ka përcjellë atë deri në vendvotim.

Mirëpo, e njejta, pasi që nuk ka të drejtë vote në Kosovë, ka qëndruar jashtë vendvotimit, së bashku me vajzën e saj.

Image

Albin Kurti ka votuar  në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Para tij, votimin e ka kryer edhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Image

***

Albin Kurti shkon për të votuar me gruan dhe vajzën

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka arritur në vendvotim së bashku me bashkëshorten e tij.

I njejti po voton në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Së bashku Kurti e ka marrë edhe vajzën e tij.

Para tij, votimin e ka kryer edhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Image

Voton Kadri Veseli

Kandidati për kryeministër, njëherësh edhe Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli sapo ka votuar për zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Veseli pas votimit ka folur para mediave i cili ka thënë se është një ditën e madhe për Kosovën.

“Sot është një ditë e mirë për Kosovën tonë të shenjte, i uroj gjithë qytetarët e vendit të japin  perspektiven Kosovës tonë perëndimore, të ardhmes dhe fëmijëve tanë.”, u shpreh Veseli.

Veseli i shoqëruar nga bashkëshortja e tij kanë votuar ne qendrën e votimit në shkollën fillore” Faik Konica” në Prishtineë.

Pas tij, pritet që të votojë edhe kreu  i VV-së, Albin Kurti.

Image

Qytetari nga Prishtina: Dyshoj që më kanë ndërruar me një të vdekur

 Një qytetar është ankuar se nuk e ka gjetur emrin e tij në listë të votimeve, derisa, shton se dyshon se e kanë ndërruar emrin e tij  me një person të vdekur.

Në një lidhje direkte për T7, ky qytetar që kishte për të votuar në Fakultetin e Filologjisë ka thënë se nuk e gjeti emrin e tij, e për këtë sot nuk do të mund të votojë sot.

“Për këtë duhet ta pytni KQZ nuk e gjetëm emrin në listë, na kanë ndrru vendvotimet se nuk e di ku votoj, duhet me shku drejtpërdrejtë në punë, se e hupi në punë, mu më kanë hjekë prej liste e kanë shti një të vdekur”, ka thënë ai.

I njëjti, shton ndërkaq, se nënën e tij e ka gjetur në listë.

“Nënën e gjetëm në listë, por, mu më kanë ndrru me një të vdekur, mu më kanë hjek e kanë shti dikë të vdekur, qysh e kanë zakon me e bo gjithë”, ka thënë ai.

Image

Vështirësia nëpër të cilën kaloi sot Avdyl Ibishi për të votuar, e ka karrocën poshtë e me paterica u ngjit në qendrën e votimit

Në qendrën e votimit “Abaz Ajeti” që është qendra e dytë më e madhe në qytetin e Gjilanit ka votuar edhe qytetari me aftësi të kufizuar Abdyl Ibishi.

Ai ka pasur vështirësi për t’u ngjitur në vendvotimin e tij pasi që i është dashur që karrocën e tij ta lërë poshtë dhe me anë të patericave është dashur që të ngjes 60 apo 70 shkallë që të shkojë të votojë

Ai ka thënë se ka pasur vështirësi që futet deri tek klasa ku duhet të votojë, por që përkundër vështirësive ka vendosur të votojë për një jetë më të mirë.

“Unë si person me aftësi të kufizuara, punoj tek Eko Higjiena, edhe kësaj here kam dalur për të votuar për një jetë më të mirë”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se nuk është bërë asgjë nga institucionet për këtë kategori të njerëzve

“Hiç nuk është bërë për kategorinë e njerëzve, është dashur me lënë karrocën poshtë për të vazhduar”, është shprehur qytetari me aftësi të kufizuara.

Image

 

Thaçi: Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira, le të fitoj Kosova

Kosova sot mban zgjedhjet nacionale, në të cilat do të zgjedhet edhe Qeveria e Re.

Presidenti i Republikë ssë Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në votime për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe fer.

Ai ka thënë se Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira.

Postimi i plotë:

Sot Kosova zgjedh legjislaturën e re, që do të nxjerrë edhe qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe të përballet me sfidat që i kemi përpara. Prandaj, ftoj për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe fer. Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Sot le të fitojë Kosova. HTH

Zgjedhjet po monitorohen nga Bashkimi Europian

Misioni për mbikëqyrje të zgjedhjeve në Bashkimin Europian është duke monitoruar Zgjedhjet në Kosovë.

Një vëzhgues i BE-së, është parë në një qendër të votimit në Ferizaj.

Në qytetet kryesorë të Kosovës, ka të pranishëm vëzhgues të BE-së. 

Image

DnV: Kemi vërejtur material propagandues afër disa qendrave, në Graçanicë e Shtërpcë nuk ka vula

Zyrtarë të Demokracisë në Veprim pak pas nisjes së procesit të zgjedhjeve në Kosovë kanë deklaruar se janë vërejtur disa parregullsi afër disa qendrave të votimit në Prishtinë, Gjilan e Prizren.

Sipas DnV’së, vonesa ka pasur në 2.6 për qind të vendvotimeve. Kjo për shkak të vonesave të komisionarëve.

“Votimi ka filluar në gjithë territorin. Ka pasur vonesa në 2.6% të vendvotimeve. Vonesat kanë qenë për shkak te vonesave të komisionarëve, shpërndarjen e materialit.

Image

Në Shterpcë e Gracanicë mungese te vulave. Qytetaret s mund te votojnë momentalisht ne qendrën Ukshin Hoti për shkak të mungesës së komisionarit. Materiali propagandues, në 7% të qendrave ka material të tillë nuk i kanë larguar nga qendrat e votimeve. Komunat ku me së shumti ka pasur këso materiale: Gjilan, Prizren, Prishtinë”, janë deklaruar nga DnV.

Momenti kur babai i mërzitur rrëfen se si e gjeti emrin e djalit të ndjerë në listat e votuesve në Prishtinë

Një plak nga Prishtina i frustruar dhe i mërzitur ka raportuar një parregullsi para mediave.

Derisa ka dalur nga qendra e votimit në Sallën 1 tetori, ka rrëfyer i prekur se ka gjetur emrin e djalit të ndjerë në listën e votuesve.

Djali ka vdekur me 22 tetor 2007.

“Kjo nuk është në rregull, jam prekur shumë. Sa herë i kam lajmëruar të gjithë se djali im nuk jeton më”, ka rrëfyer plaku për T7.

Ai ka apeluar që të mos luhet me ndjenjat e të gjallëve.

“Sa herë po vij të votojë po vi me idenë se emri i djalit të ndjerë do të largohet, por jo”, deklaron qytetari i shqetësuar.

Image

 

Raportohet shkelja e parë në Prishtinë, një person fotografon votën

Sot rreth orës 08:00, një person pasi ka votuar në shkollën “Ahmet Gashi” në Prishtinë, e ka fotografuar votën e tij.

Lajmin ka konfirmuar menaxheri i kësaj qendre, Ilmi Reçica.

I dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes, mirëpo vëzhguesit e procesit zgjedhor ua kanë dërguar Policisë të dhënat e personit në fjalë.

***

 Në të gjithat e Kosovës janë hapur me kohë vendvotimet për të gjithë qytetarët.

Vendvotimet janë hapur me kohë dhe nuk është raportuar asnjë parregullsi, përveçse në Mitrovicë.

Në Zveqan dhe Leposaviq procesi i votimit ka filluar me vonesë pasi disa komisionerë serbë janë përplasur mes vete për mënyrën e votimit.

Disa prej tyre kanë kërkuar që votimi të bëhet me letërnjoftim serb, ndërsa disa të tjerë kanë insistuar të respektohet vendimi i KQZ-së, që në veri të Mitrovicës të votohet me letërnjoftim të Kosovës.

Në Komunën e Mitrovicës janë hapur 28 qendra votimi me 104 vendvotime. Të drejt vote në këtë komunë kanë mbi 80 mijë votues.

Qendra më e madhe votimit në Pejë është hapur me kohë.

Sipas menaxherit të qendrës, Arben Gjikolli, 93 mijë qytetarë me të drejtë vote kanë mundësi të votojnë në 23 qendra të votimit.

Në këtë qytet të madh mbyllen dy klasë të votimit

Në qendrën e votimit “Yll Morina” në Gjakovë, procesi i votimit ka filluar me kohë.

Berat Bejtullahu, Kryesuesi i qendrës së votimit ka thënë se në këto zgjedhje janë 1000 votues më pak në këtë qendër votimi.

“Numri i votuesve në këtë qendër votimi është 16 mijë e 657 persona, dhe ky numër është më i vogël se zgjedhjet e vitit 2017 për 1000 persona e kjo është shkak i pastrimit të listave”, ka thënë ai për T7.

Flet zëdhënësi i KQZ-së: Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, në përjashtim të disave që janë vonuar për pak minuta.

Komisioni i Zgjedheve për 41 ditë ka përfunduar të gjitha përgatitjet e duhura për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

“Lista përfundimtare e Votuesve për Zgjedhjet e 11 qershorit përmban 1 milion e 872 mijë e 941 votues. Komision Qendror i Zgjedhjeve fton votuesit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, ka thënë Elezi.

Image

 76 vjeçari, votuesi i parë i Gjilanit

76 vjeçari Ilmi Ibrahimi është votuesi i parë në qendrën më të madhe të votimit 401 në Gjilan.

Në këtë qytet janë gjithsej 34 qendra të votimit dhe 129 vendvotime.

Image

***

Policia e Kosovës është tejet e përgatitur për zgjedhjet e sotme.

Për të eliminuar gati çdo parregullsi, Policia ka vendosur që të vë policë civil nëpër qendrat e votimit.

Me përgatitjet e policisë, siguria pritet të jetë në nivelin e duhur.

Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha planifikimet e nevojshme operacionale, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.

Ky plan operacional parasheh krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

***

Në veri të Mitrovicës janë hapur qendrat e votimit në ora 7:00 të mëngjesit, dhe vërehet numër i vogël i qytetarëve të cilët kanë dalë për të votuar në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Ata deri tani po votojnë me letërnjoftime të Republikës së Kosovës.

Kp mëson se edhe në tre komunat veriore të vendit, Zveqan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë hapur qendrat e votimit me kohë, ndërsa gjithçka është duke shkuar sipas parashikimeve dhe nuk ka pasur ndonjë parregullsi.

Ndryshe, në shtatë qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, 22 mijë e 457 votues do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre legjitime për të votuar.

Ndërsa, në komunën e Leposaviqit, të drejtë vote kanë 17 mijë e 993 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 18 qendra të votimit me gjithsej 31 vendvotime.

Në Zveqan të drejtë vote kanë 9 mijë e 209 persona, qendra të votimit janë 7, ndërsa vendvotime 13,  si dhe në  Zubin Potok, të drejtë vote kanë 8 mijë e 528 qytetarë, ndërsa numri qendrave të votimit është 12 dhe i vendvotime 16.

Numri total i votuesve në katër komunat veriore është 58 mijë e 187, i qendrave të votimit 44, ndërsa i vendvotimeve 87.

Në anën tjetër, edhe në jug të Mitrovicës 28 qendrat e votimit me gjithsej 104 vendvotime janë hapur me kohë dhe gjithçka është duke shkuar sipas parashikimeve, ndërsa 80 mijë e 606 votues do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Prishtina voton, hapen me kohë vendvotimet

Xhylie Balaj nga shkolla ‘Faik Konica’ në Prishtinë, ka thënë se deri më tani ka shkuar gjithçka mbarë.

“Ka filluar votimi, kemi votuesit e parë, gjithcka është mbarë deri më tani. Kanë të drejtë gati 9 mijë qytetarë dhe ka gjithsej 9 vendvotime”, ka shtuar ajo.

E njejta tha se ka një numër të votuesve të rinjë.

“Ka një numër të madh të votuesit e rinjë.  Që dje ka arritur materiali jo i ndjeshëm edhe sot materiali i ndjeshëm, është sistemuar nëpër klasë. Gjithçka është në rregull”, ka thënë ajo.

Për 15 minuta rekord i votuesve në Mitrovicë

Procesi i votimit ka filluar edhe në shkollën teknike në Mitrovicë.

Përgjegjësit e kësaj qendre kanë bërë të ditur se deri tani është shënuar rekord i votimeve për shkak se nga ora 7:00 deri në 7:15 kanë votuar 33 persona.

 “Këtu votojnë më së shumti njerëz nga pakica serbe. Përgjegjësit e qendrës na kanë thënë se po shënohet rekord për shkak se deri tash kanë votuar 33 persona”.

Fillon pa asnjë parregullësi votimi në Prizren

Drejtori i shkollës Aledin Fugaj “Abdyl Frashëri” në Prizren ka dhënë detaje lidhur me hapjen e vendvotimeve.

 Fugaj ka thënë se vecse ka filluar votimi.

“Klasat veçse kanë filluar t’i presdin votuesit, momentalisht gjithçka është e qetë. Ne jemi qendra më e madhe ndoshta jo vetëm në Prizrne, në këtë qendër votues janë rreth 10 mijë e 500.  Përderisa temperatuarat nuk janë shumë të ulëta, shpresoj që njerëzit do t’i përgjigjen”, ka thënë ai.

“Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, gjithcka ka qenë gati në ora 07:00 u bë hapja e votimeve. Sipas informacioneve kanë votuar vetëm votuesit e parë kanë kaluar”, shtoi Fugaj.

Hapen më kohë të gjitha qendrat e votimit në Pejë

Qendra më madhe “ Shaban Spahiu” në Pejë është hapur me kohë për votim.

Këtë e bëri të ditur Armend Gjikolli, menaxher i kësaj qendre, duke shtuar se i gjithë materiali ka arritur me kohë në këtë qendër të votimit.

“Qendra e votimit “Shaban Spahiu” ka filluar në ora 7 në kohën e caktuar. Gjithçka ka qenë në rregull”, tha ai.

Xhevat Ibra nga Policia në Pejë po ashtu ka thënë se deri tani në këtë komunë nuk ka pasë asnjë incident.

Vonesa në dy vendvotime në Gjakovë

Në shkollën fillore “Mustafa Bakija” në Gjakovë e cila i ka gjithsej 12 vendvotime të drejtë vote kanë 10535 qytetarë.

Dy vendvotime nuk kanë filluar me kohe, njëra ne 07:15 tjetra në 07:05.

Arsyeja sipas kryesuesit të njërës nga vendovotimi është transporti, pra materiali ka arritur me vonesë.

Voton kryetarja e KQZ-së, kërkon kujdes nga subjektet dhe komisionerët

Image

Sot në ora 7:00 ka nisur votimi për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Kryetarja e KQZ-zë, Valdete Daka pasi ka votuar, në një konferencë për media ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe subjekteve politike që të kenë kujdes në procesin zgjedhor.

“E përfundova obligimin tim qytetar. I ftoj gjithë qytetarët dhe subjektet politike si dhe komisionarët  që të kenë kujdes, pra  ta kemi parasysh që çdo gjë që ndodh në fund të kësaj dite do ti faturohet Kosovës”, u shpreh Daka.

“T’i tregojmë të gjithëvë që kemi kulturë demokratike dhe dijmë të votojmë”, tha ajo.

Nis votimi në Kosovë

Në këto momente ka nisur votimi për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Janë 1,937,869 persona që sot kanë të drejt vote, të cilat do të kenë mundësi t’i votojnë  për 20 parti politike, katër koalicione dhe 1 kandidat të pavarur, me 1 067 kandidatë për deputetë.

Numri i Qendrave të Votimit është 895 me 2 mijë e 547 vendvotimeve. Kurse, numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje është 111 mijë e 733 votues.

***

Sot në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se këto janë zgjedhjet e shtata më radhë për Kuvendin e Kosovës.

“KQZ-ja ka certifikuar 25 subjekte politike (20 parti politike; 4 koalicione; dhe 1 kandidat të pavarur) për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1 067 kandidatë për deputetë (F 343; M 724)”.

“Në këto zgjedhje numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 937 mijë e 868 votues, ndërkaq numri i qendrave të votimit është 895 me gjithsej 2 547 vendvotime”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar të mbajë disa konferenca gjatë ditës së sotme për të informuar lidhur me pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje dhe ecurinë e procesit zgjedhor, në orën 08:00; 11:30; 15:30; 19:30 dhe për konferencën ku do të publikohen rezultatet preliminare KQZ-ja do të informojë më vonë”.

***

Qytetarët e Kosovës, me të drejtë vote, sot, nga ora 07:00 deri në orën 19:00, do të kenë mundësi për të votuar për të zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Këtë proces zgjedhor, që udhëhiqet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do ta vëzhgojnë rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare.

Në gjithë Kosovën do të hapen 895 qendra votimi me rreth 2000 vendvotime, derisa numri i votuesve është 1 milion e 937 mijë e 868.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të kujdesen e Policia dhe Prokuroria e Shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja bashkëpunon përherë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Mes tyre, 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur. E këto subjekte politike janë shqiptare, serbe, boshnjake, turke gorane, ashkalinje, rome dhe egjiptiane.

Ndërsa në këto zgjedhje, postin e kryeministrit po e synojnë 7 kandidatë nga subjekte të ndryshme politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat