Rritet numri i votuesve, deri në orën 15:00, 60 mijë më shumë votues se në zgjedhjet e fundit

Aktuale

Rritet numri i votuesve, deri në orën 15:00, 60 mijë më shumë votues se në zgjedhjet e fundit

Më: 6 tetor 2019 Në ora: 16:02
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 15:00 kanë votuar 29.28 përqind nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues me të drejtë vote.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka thënë se procesi i votimit deri tani ka shkuar mirë me disa parregullsi, për të cilat tha se me këto merren organet përgjegjëse siç janë Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.

Daka gjithashtu ka bërë edhe krahasimin e numrit të votuesve me zgjedhjet e vitit 2017. 

Daka: Deri në orën 15:00 kanë votuar 554 mijë e 750 votues

“Proces i votimit është duke vazhduar pa ndonjë problem që do të dëmtonte këtë proces zgjedhor. Po ashtu duke u mbështetur në të dhënat që janë dërguar nga 2491 vendvotime apo rreth 98 përqind të tyre, numri i qytetarëve më të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 554 mijë e 750 votues apo 29.28 përqind nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues me të drejtë vote. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e  Kosovës në vitin 2017 kishin votuar 497 mijë e 120 votues apo 27.75 përqinde votuesve”, tha Daka.

E pyetur për raportimet për blerje të votës e parregullsi të tilla, Daka tha se janë në dijeni por që për të njëjtat deklarohen organet kompetente.

Valdete Daka u përgjigj edhe për votat e diasporës për të cilat tha se presin nga ekipet e tyre që të u japin shifrat e sakta të votuesve,. Meqë siç tha ajo ende nuk i kanë.

Daka ka takuar sot edhe ambasadorin amerikan, në të cilin tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadori kanë treguar përkrahjen e tyre për procesin zgjedhor në Kosovë.

Konferenca e radhës e KQZ-së mbahet në 19:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat