Mediat e huaja “Gjenerata e re e politikanëve në Kosovë sfidoi gardën e vjetër”

Aktuale

Mediat e huaja “Gjenerata e re e politikanëve në Kosovë sfidoi gardën e vjetër”

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 09:09
Foto ilustrim

Zgjedhjet në Kosovë kanë marrë vëmendjen e mediave të huaja, ku shumica shkruajnë mbi premtimet e elitës politike që do të marrë në dorë të ardhmen e vendit, të fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe marrëveshjen e paqes e të njohjes me Serbinë.

“New York Times” shkruan se Kosova kërkon një të ardhme të re, por mbeten ende problemet e vjetra.

“Që kur Kosova përfundoi luftën e saj me Serbinë dy dekada më parë, figurat e saj politike mbizotëruese kanë qenë të gjithë burra që u ngritën si luftëtarë dhe e mbajtën pushtetin, pavarësisht se nuk arritën të siguronin një paqe të qëndrueshme dhe një ekonomi të mirë. Por në zgjedhjet kombëtare të dielën, një gjeneratë e re politikanësh po sfidon gardën e vjetër për herë të parë. Ndërsa mbetet ndarja e hidhur me Serbinë, me qeverinë në Beograd që refuzon ta njohë Kosovën si komb të pavarur, dhe shpresat për pajtim duken akoma larg, vëzhguesit shpresojnë se votimi mund të sigurojë një mundësi që vendi të shkëputet nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i viteve të pasluftës dhe përqendrohet në qeverisje më të mirë”, shkruan “NYT”.

I cituar nga gazeta prestigjioze amerikane, Lulzim Peci, drejtori i Institutit Kosovar për Kërkimin dhe Zhvillimin e Politikave në Prishtinë, tha se “Kjo është një mundësi që gjenerata e re e politikanëve të thyejë ciklin e përdorimit të Serbisë si një justifikim për gabimet e qeverive të Kosovës”.

Ndërkohë, “Euronews” ka shkruar se mes shqetësimeve më të mëdha të vendit janë korrupsioni i rrënjosur thellë dhe një marrëveshje paqe me Serbinë që mund të shtrojë rrugën për një anëtarësim të Kosovës në OKB.

“Sipas sondazheve, pakënaqësia publike me arritjet e Haradinajt në krye të koalicionit trepalësh ka rritur mbështetjen për partitë opozitare”, ka shkruar “Euronews”.

PAQJA ME SERBINË

Marrëveshja e paqes me Serbinë ka qenë në qendër të debatit elektoral. Njëzet vjet pasi forcat serbe u dëbuan nga Kosova me bombardime të NATO-s, Beogradi nuk pranon ta njohë Kosovën si të pavarur. Serbia dhe aleati i saj Rusia kanë bllokuar anëtarësimin e Prishtinës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara. Në 2013, Prishtina dhe Beogradi ranë dakord për një dialog të ndërmjetësuar nga BE për të normalizuar lidhjet, por është bërë pak përparim.

Vitin e kaluar, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç sinjalizuan se ata mund të pajtohen për një shkëmbim të tokës, por u përballën me kundërshtim të fortë të idesë brenda dhe jashtë vendit. Në Kosovë, të tria partitë: LDK, Vetëvendosje dhe PDK thanë që shkëmbimi i tokës nuk ishte i pranueshëm. ShBA dhe BE i shohin tensionet e vazhdueshme, të pazgjidhura midis Beogradit dhe Prishtinës, si një kërcënim i madh për stabilitetin rajonal dhe po bëjnë presion për një normalizim të lidhjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat