PZAP së shpejti me vendim për rinumërimin e votave

Aktuale

PZAP së shpejti me vendim për rinumërimin e votave

Më: 8 tetor 2019 Në ora: 16:26
Qendra e Numërimit të votave

Në kohën kur numërimi i votave ka tejkaluar shifrën prej 99%, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, po kërkojnë rinumërimin e të gjitha votave, në nivel vendi.

Në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa është thënë se në një afat lirgjor prej 72 orësh, do të dilet me një vendim në lidhje me kërkesat e disa subjekteve politike për rinumërimin e votave.

Në bazë të rezultatit aktual, pas numërimit të mbi 99% të të gjitha votave, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 25.51 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind, pastaj Partia Demokratike e Kosovës me 21,21 për qind, koalicioni AAK-PSD me 11.58 për qind dhe Lista Serbe me 6.62 për qind.

Por, duke pretenduar se ka disa probleme teknike, PDK dhe LDK po kërkojnë kthimin e procesit të numërimit në pikën zero.

Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se rinumërimi i votave duhet të ndodh për faktin se formularët dhe disa vota të partive nuk janë shkruar në formularët përkatës.

"Realisht ne kemi kërkuar të numërohen votat e PDK-së, sepse votat tona në të gjithë formularët e vendvotimeve janë bartur te një parti tjetër", tha Gashi.

Gashi tha se për shkak të këtij gabimi nuk mund të shkruhet saktë rezultati përfundimtar.

Edhe zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kanë kërkuar rinumërimin komplet të votave, pasi dyshohet në gabime të ndryshe.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë se për të qenë në rregull në aspektin juridik, rinumërimi i votave është i domosdoshëm.

"Kemi kërkuar rinumërim sepse ka qenë një problem teknik që i atribuohet KQZ-së lidhur me procesverbalet e numërimit të votave. Një parti e listuar dhe pjesëmarrëse në garë nuk ka figuruar fare në listë. Ky problem duhet të zbardhet deri në fund për të parë pastaj se si kanë dalur procesverbalet dhe a ka rregullshmëri në renditjen e partive dhe numrave", tha Haziri.

Haziri ka shprehur bindjen e tij se edhe nëse ndodh rinumërimi i votave nuk do të ketë ndryshim të rezultatit aktual.

"Nuk presim që do të ketë impakt [ndikim] në rezultat, por do të ketë vetëm legjitimitet të procesit", tha Haziti.

Kurse, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se mbështetësit e këtij subjekti politik duhet të jenë të qetë, pavarësisht kërkesave për rinumërim të votave.

"Qëndroni të qetë, mos u shqetësoni. Ne kemi personat përgjegjës që janë gardianët e vullnetit të qytetarëve. Padyshim subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumrimi", ka shkruar Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të dielën, më 6 tetor, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Bazuar në raportimet nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtar, procesi kaloi qetë dhe ishte në harmoni me standardet demokratike./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat