Prokuroria konfirmon arrestimin e vëllait të kryetarit të Vushtrrisë

Aktuale

Prokuroria konfirmon arrestimin e vëllait të kryetarit të Vushtrrisë

Më: 8 tetor 2019 Në ora: 16:40
Gjykata Themelore

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar zyrtarisht se njëri nga dy personat e arrestuar mbrëmë në Vushtrri, është vëllai i kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Departamenti i Krimeve të Rënda, në një komunikatë për media ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për dy të ndaluarit, S.T  dhe Sh.K. nga Vushtrria, të dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KRPK).

Në këtë komunikatë shpjegohet edhe se si ka ardhur deri tek ndalimi i tyre.  

“Ndalimi i dy të dyshuarve ka ardhur pas një video-incizimi të publikuar nëpër media, e në të cilat incizime pretendohet se dëgjohet S.T, i cili është vëllai i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Xh.T”, thuhet aty.

Në këtë njoftim thuhet se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, ka urdhëruar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, që të nisë hetime përkitazi me publikimin e këtij video-incizimi.  

Seanca dëgjimore për  caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat