Kush e goditi Gëzim Kelmendin?

Aktuale

Kush e goditi Gëzim Kelmendin?

Nga: N.Sh Më: 9 tetor 2019 Në ora: 10:34
Gëzim Kelmendi

Politologu Bardhyl Mahmuti, e ka komentuar deklaratën e Gëzim Kelmendit, kryetarit të Partisë Fjala, i cili përmes një shkrimi të gjatë kishte shkruar për “goditjen” që e morri nga “vëllezërit e tij musliman”.

Mahmuti, përmes një shkrimi në Facebook, ka folur për këtë deklaratë të Kelmendit dhe për votuesit të cilët nuk e votuan Fjalën por partitë tjera.

“Qëndrimi i liderëve politik lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit është shembull i logjikës demokratike që respekton vullnetin politik të sovranit. Nga të gjitha qëndrimet e udhëheqësve të partive politike që ishin në garë për legjislaturën e shtatë të Republikës së Kosovës dallon qëndrimi i Gëzim Kelmendit, liderit të partisë “Fjala””, shkruan Mahmuti në shkrimin e tij.

“Në fillim të reagimit të tij të titulluar: “Si u godita nga vëllezërit e mi me 6 tetor?!” Gëzim Kelmendi pohon se angazhimin dhe karrierën e tij politike të filluar para 10 vitesh e ka bërë si rezultat i “frymëzimit nga mësimet që i ka dhënë KUR'ANI Madhështor dhe hadithet e të dashurit të myslimanëve, Pejgamberit Muhamedit alejhiselatu ve selam” dhe shprehë zhgënjimin e tij pse njerëzit me të cilët falet pesë herë në ditë “kanë zgjedhur një lëvizje nacionaliste dhe shkelën një parti politike që prej të parit deri te i fundit është me besimtarë praktikues musliman””, vazhdon ai.

Mahmuti tutje e komenton deklaratën e Kelmendit i cili e ka lidhur me Kuranin e Madhërishëm dhe hadithet e Pejgamberit.

“Sikur Gëzim Kelmendi vërtet të ishte mysliman i devotshëm dhe “të ishte frymëzuar nga Kur’ani i Madhërishëm dhe hadithet e Pejgamberit” as nuk do ta bënte një reagim të tillë. Çdo njeri që ka njohuri për besimin islam e di shumë mirë se sipas këtij besimi “çdo gjë që do të ndodh në tokë dhe në gjithësi, nga Dita e Krijimit deri në Ditën e Gjykimit, është shkruar në Librin e Librave, në Leuhi Mahfudhin që është tek Allahu, në të djathtë të Arshit të tij (Fronin e tij)””, shkruan ai.

“Sikur Gëzim Kelmendi të ishte mysliman i devotshëm dhe të ishte frymëzuar, ashtu siç pretendon, nuk do të ishte zhgënjyer nga vota e shqiptarëve të besimit islam, por do të kishte nxjerrë konkluzionet e drejta nga Surja EL-EN‘ÂM (Kafshët e nimetshme) në të cilën thuhet qartë: “Te Allahu janë çelësat e të gjitha fshehtësive dhe asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai...” (Surja 6:59). Sikur Gëzim Kelmendi të ishte frymëzuar, ashtu siç pretendon, dhe do ta kishte kuptuar se, qysh para krijimit të universit, Allahu e ka shkruar në Leuhi Mahfudhin që shqiptarët e besimit islam nuk do t’ia japin votat atij që instrumentalizon besimin fetar si mjet politik”, potencon tutje politologu.

“Por, nga një mysliman që kërkon shpëtim në gjoja “thëniet” e Bismarkut, nuk mund të pritet ta kuptojë rezultatin e kërkesës që ua paska drejtuar vëllezërve të tij myslimanë që “ta gjykojnë në bazë të veprave të tij”. Gjykimin që e ka kërkuar e ka marrë: Mos ngatërro besimin me politikë!

Nga cilido këndvështrim që të shihet, rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit duhet të bëjë çdonjërin që merret me politikë ta rishikojë pozitën e vet: Asnjë fletëvotim nuk bie në kutitë e votimeve pa vullnetin e Sovranit!”, përfundon Bardhyl Mahmuti shkrimin e tij të publikuar në rrjetet sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat