KQZ vendos për rinumërimin e më shumë se 300 vendvotimeve

Aktuale

KQZ vendos për rinumërimin e më shumë se 300 vendvotimeve

Më: 9 tetor 2019 Në ora: 16:53
KQZ

(E plotësuar) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot që të rinumërohen 313 vendvotime, ku 10 vendvotime do të rinumërohen pasi sipas QNR këto vendvotime nuk kanë arritur të procesohen si të rregullta për shkak të parregullsive. Ndërsa 303 vendvotime, do të rinumërohen për shkak të gabimeve teknike në formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve.

Burim Ahmetaj nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, u shpreh se kanë rekomanduar që të rinumërohen 303 vendvotime për shkak se në formularët e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve shënimi i rezultateve ka filluar nga subjekti 112 dhe jo nga subjekti i parë 111.

Ahmetaj: Më shumë se 303 vendvotime duhet të rinumërohen

“Nga ky hetim rezulton se janë më shumë se 303 vendvotime të cilat duhet të rinumërohen para se me fillua me iu nënshtrua procedurave të futjes së të dhënave. Proceduralisht të njëjtën rrugë kanë me e ndjek, mirëpo nëse e ndjekim rrugën procedurale do të të na duhet edhe më shumë se një javë kohë derisa të gjejmë raportin final dhe të themi se kjo është situata sa i përket formularëve të rezultateve. Mirëpo, me këtë rrugën që ne e kemi ndjekur duke bërë auditimit para se me i procesuar formularët e të dhënëve në bazën e të dhënave, rezulton se pikënisja e rezultateve edhe pse subjekti 111 e ka rubrikën e vet, mirëpo për më shumë se 303 vendvotime pikënisja ka qenë nga numri 112”, tha ai.  

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, është shprehur se në këto vendvotime bëhet fjalë për gabim teknik dhe jo për manipulim.

Ajo tha se formularët janë shtypur gabimisht dhe se fajtori për këtë gabim ajo tha se do të zbulohet gjatë ditëve në vijim.

Daka: Për shkak të shtypjes së gabuar të formularëve

“Duhet me deklarua që nuk jemi duke folur për ndonjë manipulim të komisionerëve, për ndonjë manipulim çfarëdo qoftë, po për një gabim teknik i cili ka ndodhur, duhet ta pranojmë për shkak të shtypjes së gabuar të formularëve. Pra, duhet ta deklarojmë edhe një herë publikisht dhe të mos fshihemi, formularët janë shtypur gabimisht, i kujt është faji do të zbulohet gjatë ditëve të ardhshme dhe do të dihet pse ka ardhur deri tek shtypja e gabuar e këtyre formularëve. Sekretariati është bartës i shtypjes dhe dërgimit në shtypje të këtyre formularëve, të cilët janë shpërndarë në të gjithë Kosovën. Të njëjtit janë shpërndarë në të gjithë Kosovën dhe të gjithë e kanë pasur një gabim teknik dhe ajo meqë kurrkush nuk po e tregon saktësisht është se subjektet, të cilat kanë qenë të renditura në fletëvotim dhe janë renditur edhe në formularë, pra subjekti i parë i mungon vetëm rubrika. Subjekti ekziston, p or i mungon rubrika dhe për rrjedhojë të kësaj disa komisionerë, të cilëve ‘iu ka ndez llampa’ të them i kanë shkruar me saktësi, për të tjerët që nuk iu ka ndez llampa kanë vazhduar prej subjektit të dytë dhe kanë vazhduar ashtu dhe kanë krijuar një huti”, tha ajo.

Sa i përket rekomandimit të QNR-së që të rinumërohen edhe 10 vendvotime të tjera është për shkak se këto nuk kanë mundur të kalojnë si të rregullta për shkak se kanë pasur parregullsi.

Burim Ahmetaj, koordinator në QNR tha se në disa vendvotime nuk janë të plotësuara formularët e rezultateve të kandidatëve.

Ahmetaj: Disa vendvotime patjetër duhet të rinumërohen

“Në QNR gjatë pranimit të materialit të ndjeshëm një numër i materialit nuk ka mundur të procesohet si i rregullt për shkak të parregullsive gjatë pranimit, që kanë pasur të bëjnë kryesisht me numrin e shiritave të ndërruar apo mos përputhjen me numrit të zarfeve të fletëvotimeve me kusht me numrin e nënshkrimeve. Kjo ka qenë pak a shumë natyra e përgjithshme e arsyeve pse këto materiale nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta dhe për këtë arsye i kemi dërguar në karantinë, në mënyrë që të hetohen dhe pas hetimit i kemi bashkangjitur edhe raportin pas hetimeve. Raporti si i tillë rekomandon që janë disa vendvotime, të cilat patjetër duhet të rinumërohen, për shkak se në disa vendvotime nuk janë të plotësuara formularët e rezultateve të kandidatëve, në formularët për rezultate të kandidatëve nuk janë të nënshkruara të gjithë anëtarët e këshillit të vendvotimit dhe në raste të tjera është që mungojnë fletat e formularëve të kandidatëve”, tha ai.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, përfaqësuesi i PDK-së Ilir Gashi dhe ai i LDK-së Sami Hamiti, kanë kërkuar që të rinumërohen edhe 224 kuti të votimit, që sipas tyre ka pasur përmirësim të votave. Por, kjo nuk është pranuar nga anëtarët e tjera, pasi sipas tyre QNR duhet të vazhdojnë me punën e saj dhe kur të evidentohen ato të sillet rekomandimi në KQZ për rinumërim të tyre.

Në këtë mbledhje të KQZ-së është miratuar edhe rekomandimi i anëtarit të KQZ nga LVV Adnan Rrustemi, për shtimin e numrit të vëzhguesve në QNR, ku u vendos që secila parti të ketë një vëzhgues në çdo tavolinë të numërimit. 

KQZ ka miratuar edhe dy rekomandime të QNR-së, si ai për numrin e zarfeve dhe nënshkrimeve ku nuk përputhen dhe duhet të anulohen qoftë zarfi apo nënshkrimi, si dhe rekomandimi që vendvotimit të cilat pas hetimit kanë rezultuar se janë në rregull të procesohen si të rregullta./

KQZ vendos për rinumërimin e më shumë se 300 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për rinumërimin e 303 vendvotimeve, bazuar në rekomandimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.

“S’po flitet për manipulim, por për një gabim teknik që ka ndodhur, për shkak të shtypjes së gabueshme të formularëve. Duhet të deklarohet publikisht e të mos fshihemi. Formularët janë shtypur gabimisht. I kujt është faji do të zbulohet gjatë ditëve të ardhshme. Sekretariati është bartës i shtypjes të cilët janë shpërndarë në të gjithë Kosovën. Janë shpërndarë të njëjtit formularë dhe të njëjtit e kanë pasur gabimin teknik që subjektet të cilat ishin të renditura në fletëvotimin, dhe në formular, por subjektit të parë i mungon rubrika. Për rrjedhojë të kësaj, disa komisionarë të cilëve iu ka ndez llamba, i kanë shkruar me saktësi, por disa të tjerëve që s’iu ka ndez llamba kanë vazhduar nga subjekti i dytë dhe kanë krijuar një huti. Përfundimisht, QNR i ka zbuluar 303 vendvotime deri më tani, të cilat janë plotësuar në këtë mënyrë. Si përfundim, këto formularë, qoftë sot, pas një muaji, s’mund të procedohen si të tilla sepse janë plotësuar në mënyrë të gabueshme. Kemi rekomandim për rinumërim të 303 vendvotimeve në tërësi”, ka thënë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, duke sqaruar gabimet që kanë çuar në rekomandim për rinumërim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat