Mimoza Kusari - Lila: Taksa ndaj Serbisë duhet të hiqet

Aktuale

Mimoza Kusari - Lila: Taksa ndaj Serbisë duhet të hiqet

Më: 9 tetor 2019 Në ora: 17:00
Mimoza Kusari

Ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në Interaktiv të KTV-së, ka folur edhe për taksën 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës.

Sipas saj, reciprociteti është shumë i favorshëm në raport me Serbinë.

“Çdo gjë që ish-kryeministri Haradinaj prezantonte në publik, nuk i shkonte në favor Kosovës në shtetësinë e saj, por as nuk ia bënte dëmin Serbisë. Serbia ka 16 miliardë euro eksport, e Kosova bën pjesë aty me rreth 400 milionë euro. Plus, nuk u ndal malli serb në Kosovë. Nuk ka pasur ulje të deficitit, përkundrazi, ka pasur rritje të deficitit e rritje të çmimeve. Në fund të 2018 dhe në fillim të 2019, shporta e konsumatorit në Kosovë ka qenë më e shtrenjta në Ballkan”, theksoi ajo.

“Reciprociteti duhet të përfshijë çdo aspekt. Është shumë më e fortë sesa taksa 100%. Është më e pranueshme për faktorin ndërkombëtar”, u shpreh ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Duke folur për dorëheqjen e Haradinajt, ajo tha se ai ka merita për shkuarjen e PDK-së në opozitë.

“Gjëja më kryesore është marrja e përgjegjësisë për postin që e pranon. Që në fillim e nisi me problem të vetin që e solli vendin ku e solli. Dorëheqja e tij erdhi nga vetëbesimi fals se kur të dorëhiqet do të fitojë. Është treguar me sjellje burrështetasi sa herë është ftuar në Hagë. Por, herën e fundit e bëri pak me hile. Shkoi me protokoll, u kthye me protokoll. Edhe sot, mos-kërkesa për rinumërim është sjellje e një personi politik që merr përgjegjësi për rolin politik që e ka. Është shans i mirë që të krijohet një vazhdimësi e procesit politik e të dalin në opozitë. Këto zgjedhje kanë sjellë ndryshime më shumë se që e kemi pritur. Opozita doli në pozitë, e pozita në opozitë”.

Për ushtrim të ndikimit në masë, Kusari-Lila akuzoi PDK-në se e ka hapur këtë rrugë, e që është pasuar nga AAK-ja e Nisma.

“Nëse ka filluar dikush të ushtrojë ndikimin e masës, ka qenë PDK-ja, e më pas edhe AAK-ja e Nisma nisën kështu, por kjo rrugë është hapur nga PDK-ja. Për të mirën e vendit dhe të tyren, është tepër mirë që shkuan në opozitë. Por, pozita e ardhshme s’mund të rrijë rehat. PDK-ja si opozitë ka performuar shumë mirë. PDK-ja ka me qenë opozitë shumë e fortë. Për tre vjet sa kanë qenë në opozitë, kanë qenë shumë aktivë, kanë kthyer shoqërinë civile e mediat kah vetja. E nëse s’e kanë harruar opozitarizmin, s’duhet të rrijë rehat pozita”, deklaroi ajo.

Për mos-kalimin e pragut nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Kusari-Lila tha se kjo ka treguar se me ushtrim ndikimi, nëpër 7 ministri që i kanë pasur së bashku, nuk fitohet më vota.

“Me gjithë atë ushtrim ndikimi, populli ia dha verdikin se me këtë parim të qeverisjes s’mund të kalosh. Është përgjegjësi e tyre të shohin e të reflektojnë e të kuptojnë se kanë gabuar. Kushdo që mendon se mund të rrijë në pushtet duke kryer favore, u ndodhë ky fat. Është rezultat që ka treguar se vendimmarrja e bazuar në favore të nxjerr nga sistemi. Elektorati është treguar më i vetëdijesuar sesa politikanët. Të qenit jashtë vendimmarrjes, natyrisht se s’mund t’ju sjell shumë benefite politike. Pacolli e ka paralajmëruar edhe më parë tërheqjen nga politika. Janë vendime të tyre, dhe duhet të pyeten ata. Por s’kanë lënë shumë bazë se mund t’i japin diçka më shumë Kosovës në një të ardhme”, theksoi ish-deputetja Kusari-Lila.

Për kërcënimin që ish-deputeti i VV-së, Sali Zyba, ia bëri kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, Kusari-Lila ka thënë se nuk e arsyeton Zybën.

“Mendoj se është dehje me pushtetin e fitore. S’e arsyetoj Sali Zybën për Shpend Ahmetin. Ai e ka marrë përgjigjen nga elektorati. Nuk e besoj se VV-ja do të vazhdojë, ose uroj të mos vazhdojë, me gjuhën e hakmarrjes e linçimit të oponentëve politikë. Se ky kërcënim është tentim për ushtrim të ndikimit në drejtësi”, u shpreh ajo.

Për ndarjen e ndonjë posti ministror në qeverisjen e ardhshme, Kusari-Lila tha të mos kenë diskutuar.

“Nuk e kemi diskutuar asnjëherë. Thash që pjesëmarrja ime në listë nuk ka qenë e kushtëzuar as për pozicionim në listë. Jam e gatshme të kontribuoj në koalicionin LVV-LDK. Kam informacione se kam vota të mjaftueshme për deputete, por për pjesë të ekzekutivit u mbetet atyre që merren me këtë çështje. Për mua është shumë e rëndësishme që të kemi institucione të suksesshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat