“Shpërthen” Blerim Latifi, akuzon ashpër PDK-në, zbulon dallaveret e të fuqishmëve të kësaj partie - Bota Sot
“Shpërthen” Blerim Latifi, akuzon ashpër PDK-në, zbulon dallaveret e të fuqishmëve të kësaj partie

Aktuale

“Shpërthen” Blerim Latifi, akuzon ashpër PDK-në, zbulon dallaveret e të fuqishmëve të kësaj partie

Nga: N.Sh Më: 10 tetor 2019 Në ora: 13:31
Blerim Latifi

Profesori dhe filozofi Blerim Latifi, i cili ishte kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovë, ka “shpërthyer” me një deklaratë ku akuzon direkt njerëzit e fortë të PDK-së, sidomos ata në Drenicë për blerje të votës.

Latifi përmes një shkrimi në Facebook, thotë se PDK-në nuk e mundur Lëvizja Vetëvendosje, e as LDK-ja, por PDK-në e ka mundur vetë PDK-ja.

Ai shkruan për luftën e paskrupullt të kandidatëve të saj për grabitjen e votave brenda këtij subjekti politik, e këtë luftë sipas tij, e kanë fituar ata që kanë pasur pare dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë.

Latifi tutje ka treguar se PDK-ja ka blerë edhe vota në Drenicë.

“Ky është një shëmbull tipik që tregon se në PDK interesat klanore janë mbi ato të partisë. Kështu unë e mësova praktikisht se kundështarët më primitivë nuk i kam në partitë tjera, por brenda PDK-së. Dhe, më e dhimbshmja ka qenë kur kam parë mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera”, shkruan Latifi, transmeton gazeta “Bota sot”.

Postimi i plotë:

PDK- në nuk e ka mundur VETËVENDOSJA, e as LDK-ja! PDK- në e ka mundur PDK-ja: lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t'ia grabitur votat njëri tjetrit! Natyrisht, këtë luftë e kanë fituar ata që kanë pasur pare dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta. I vetmi njeri aty që ka menduar për fatin e partisë ka qenë kryetari i saj. Ai ka qenë i vetmuar në luftën e tij për ta shpëtuar PDK-në. Përpjekjen e tij, Kadare do ta quante “Fushata e vetmisë së madhe”.

Kam hyrë në garë, sepse i kam besuar platformës së tij për vendin dhe partinë, platformë në të cilën kam punuar edhe vetë dhe e kam mbrojtur publikisht në debatet e fundit; dhe gjatë kohës kur unë e mbroja PDK-në në studiot televizive, njerëz të saj, në terren, bënin fushatë kundër meje. Ky është një shëmbull tipik që tregon se në PDK interesat klanore janë mbi ato të partisë. Kështu unë e mësova praktikisht se kundështarët më primitivë nuk i kam në partitë tjera, por brenda PDK-së. Dhe, më e dhimbshmja ka qenë kur kam parë mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera. Aty ku njerëzit shesin të drejtat e tyre politike, aty është i pakuptimtë çdo debat dhe çdo ide politike. Aty është qesharake të mendosh dhe të sillesh sipas termave të politikës normale demokratike. Në ambiente të tilla politike, idetë e mira janë të destinuara ta humbin betejën me paratë e pista, të marra nga korrupsioni e zhvatja e shtetit dhe me premtimet e rreme për t’i punësuar njerëzit në institucionet publike, në mënyrë të paligjshme. Kjo është një betejë e humbur, por Kosova ka me fitu luftën kundër bijve të saj të ligj, të cilët për pushtet janë në gjëndje të shkelin mbi çdo normë, mbi çdo vlerë, e madje edhe të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi.

Në fund dua t’i falenderoj nga zemra votuesit e mi në Skënderaj, të cilët e mposhtën frikën, thirrjet kërcënuese, propagandën e ndyrë kundër meje, presionin e pareve të ndyta, dhe më mbështetën. Ata janë njerëz të shpresës dhe unë kurrë nuk do t’i harroj. Ndërkaq, njerëzve të mirë të PDK-së ua uroj gjithë të mirat në jetën dhe familjet e tyre. Ata janë shumica dhe meritojnë të respektohen dhe të mbështeten.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...