Çfarë porosie po i dërgon Brukseli Albin Kurtit rreth Listës Serbe?

Aktuale

Çfarë porosie po i dërgon Brukseli Albin Kurtit rreth Listës Serbe?

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 16:35
Albin Kurti

Në prag të diskutimeve që po bëhen për formimin e Qeverisë së re që me shumë gjasë do të përbëhet nga VV e LDK, Albin Kurti që ka dalë më i votuari nga zgjedhjet, tha së në legjislaturën e tij nuk do të ketë ministra të Listës Serbe. Për këtë deklarim të tij sot gjatë ditës ka reaguar Bashkimi Evropian. Të njëjtët thonë se për të krijuar Qeverinë duhet të respektohet Kushtetuta.

Një ditë pasi që Vetëvendosje doli nga zgjedhjet si parti e parë, kreu i saj, Albin Kurti deklaroi se në qeverinë të cilën ai udhëheq nuk do të ketë ministra nga Lista Serbe. Kurti tha se bisedimet do t’i fillojë menjëherë me serbët e Kosovës, por, jo me fituesin kryesor të zgjedhjeve, që është Lista Srpska.

I pari i VV-së, tutje shtoi se Lista Serbe nuk është një parti politike por një shtet.

 “Kushtetuta jonë thotë se duhet të jetë së paku një ministër nga komuniteti serb në qeverinë tonë, por nuk thotë se duhet të jetë nga Lista Serbe. Kështu që ne do t’i përqendrojmë përparësitë tona në pakicat si komunitetet, jo si parti”, thotë Kurti.

Të njëjtën deklaratë, ai e ka përsëritur edhe sot, pas takimit të parë që pati me përfaqësues të LDK-së, ku u bisedua për një koalicion të mundshëm.

Albin Kurti tha para mediave do të përmbushin obligimin kushtetues për të pasur një ministër nga komuniteti serb, mirëpo, ai ka përsëritur se për të bërë këtë do të bisedojë me serbët jashtë Listës Srpska.

“Obligim kushtetues është që nga komuniteti serb të kemi një ministër nëse kemi maksimalisht 12 ministri, dhe ne do ta respektojmë Kushtetutën e Kosovës por nuk do të vrapojmë te Lista Serbe pa takuar dhe biseduar me serbët jashtë Listës Serbe që kanë garuar dhe të cilëve duket se edhe njëherë ju bë padrejtësi e madhe me shkeljet e shumta në procesin zgjedhor që i kanë konstatuar edhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Nuk do të bëjmë hapin e tretë apo të katërtin pa e bërë të parin me serbët që po e pranojnë Republikën po e pranojnë pavarësinë e shtetit tonë”, ka thënë sot Kurti.

Kjo deklaratë e të parit të Vetëvendosjes mori reagime në Beograd e në Prishtinë.

Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq tha se është i pamundur krijimi i Qeverisë së Kosovës, pa bisedime me ta. Ai në një intervistë për RTS shtoi se është shumë e rëndësishme që Lista Serbe fitoi të gjitha 10 vendet, pasi nuk i lë hapësirë askujt prej liderëve shqiptarë që të ‘tregtojnë’ me interesat e popullit serb në Kosovë.

Për këtë temë ndërkaq, kanë folur edhe nga BE. Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Koçijançiç në një përgjigje për Express po thotë se  BE mezi që po pret krijimin e qeverisë së re e përfundimin e procedurave përkatëse.

 “Bashkimi Evropian mezi pret formimin e një qeverie të re, sapo të përfundojnë procedurat përkatëse. Kjo është e rëndësishme në mënyrë që Kosova të mund të rifillojë me shpejtësi punën për reformat në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundimit të ligjit, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe mbi Dialogun e lehtësuar nga BE me Beogradin. Ne presim që të gjithë aktorët politikë të qëndrojnë të përkushtuar në këto procese, të cilat janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës, për përparimin në rrugën e saj evropiane, dhe më e rëndësishmja për të mirën e popullit të Kosovës dhe të të gjithë rajonit”, thuhet në këtë përgjigje.

Të njëjtit, të pyetur për deklaratat e Kurtit, kanë thënë se Qeveria e Kosovës do të krijohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Përveç kësaj, ne nuk do të komentojmë për procedurat e brendshme. Ne presim që puna për formimin e qeverisë së re të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së BE-së.

Lista Serbe nga zgjedhjet e gjashtë tetorit ka dalë me 6.61% të votave, apo, me 52.620 vota.

Të njëjtit kanë marrë dukshëm më shumë vota se koalicioni Sloboda me kandidat për kryeministër Nenad Rashiq që nga zgjedhjet doli me vetëm 719 vota apo 0.09%.

Neni 96 i Kushtetutës së Kosovës saktëson se në Qeveri do të jenë së paku një ministër nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera jo shumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se 12 ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.

Gjithashtu, specifikohet se do të jenë dy zëvendësministra nga  komuniteti serb i Kosovës dhe dy zëvendësministra nga komunitete tjera jo shumicë në Kosovë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat