Baraliu: Qeveria VV-LDK më e fuqishme që në start

Aktuale

Baraliu: Qeveria VV-LDK më e fuqishme që në start

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 16:55
Mazllum Baraliu

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kanë zhvilluar sot takimin e parë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kanë arritur një marrëveshje në parim, ku janë pajtuar që të presin certifikimin final të rezultateve të zgjedhjeve, e pastaj të arrijnë një marrëveshje finale.

Profesori universitar dhe njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu e quan lajm të mirë arritjen e një marrëveshjeje të tillë në mes të këtyre dy subjekteve politike, teksa tregon se konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë duhet të bëhet brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve përfundimtare.

Në një intervistë për KosovaPress ai thekson se këto dy subjekte, të cilat gjatë fushatës proklamuan ndryshimin, duhet të tregojnë shumë përgjegjshmëri para qytetarëve të vendit.

Baraliu: Lajm i mirë marrëveshja në parim mes LVV dhe LDK-së

“Kjo marrëveshje është një lajm i mirë, parimore. Për më tepër dy eksponentët thanë që do të vazhdojnë me punën e tyre të ekipeve profesionale që nesër. Nëse vazhdon kështu, unë mendoj se është një lajm i mirë dhe një shpresë që këto dy subjekte politike, të cilat zgjedhjet i fituan pikërisht duke pretenduar ndryshimin dhe duke proklamuar para votuesve të tyre ndryshimin nga një qeverisje të gjertanishme, të cilën e dërguan në opozitë, do të duhej të ishin shumë të përgjegjshëm, seriozë dhe do të thosha unë, këtë do të duhej ta tregonin praktikisht, që të merren vesh, të bëjnë një program të përbashkët, një qeveri të përbashkët dhe të vazhdojnë punën e tyre pa vonesa”, thotë ai.

E në rast se Lidhja Demokratike e Kosovës do të refuzonte të bashkëqeveriste me Lëvizjen Vetëvendosje, sipas Baraliut mandati do t’i takonte sërish subjektit më të madh, në këtë rast Vetëvendosjes.

Ai thotë se qeveria e re, e që bazuar në marrëveshjen e sotme pritet të përbëhet pikërisht nga Vetëvendosje dhe LDK, është më e sigurt dhe më e fuqishme se qeveria paraprake.

Si e tillë, Baraliu thotë se nuk e ka të nevojshme të hyjë në koalicion me ndonjë subjekt tjetër, porse do të ishte mirë që megjithatë të kishte 80 vota të deputetëve.

Baraliu: Kjo qeveri është më e fuqishme që në start, por do të ishte më mirë sikur të kishte 80 deputetë

“Kjo qeveri është më e fuqishme që në start, por do të ishte edhe më e sigurt dhe më e fuqishme politikisht nëse do të kishte 80 e më shumë vota, 2/3. Për arsye se kur Kushtetuta ka barriera, ka bllokadë në Kushtetutën e Kosovës, që pa i pasur 2/3 nuk mund të miratohen diku 8 ligje me interes vital, dhe nuk mund të ndryshohet Kushtetuta. Më së miri do të ishte në fakt që kjo qeveri t’i ketë më shumë se 80 deputetë”, shprehet ai.

Meqenëse shkarkimi i presidentit Hashim Thaçi ishte një nga hapat që edhe Kurti por edhe Osmani kishin thënë se do të ndërmerrnin pasi të vinin në postin e kryeministrit, Baraliu thotë se këtë mund ta bëjnë vetëm nëse ka ndonjë bazë kushtetuese.

Baraliu: Nuk ka mbetur kohë për inicimin e shkarkimit të presidentit Thaçi

“Nëse ai do të bënte apo do të ketë bërë shkelje të rëndë kushtetuese dhe kjo duhet të verifikohet nga Gjykata Kushtetuese me një parashtresë që dërgohet nga dikush që është kompetent për ta dërguar. Pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese mund të iniciohet procedura në Kuvend për shkarkimin e Kuvendit. Mirëpo, për procedura të tilla që zgjasin shumë do të duhej kohë, dhe kohë nuk ka sepse presidenti edhe 1 vit e sa e ka mandatin e tij dhe rasti i dytë kur mund të shkarkohet presidenti është për ndonjë sëmundje të rëndë kur nuk mund ta ushtrojë detyrën e tij”, thotë Baraliu. 

Profesori universitar komenton edhe deklaratën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kur kishte thënë se si kryeministër do të shoh mundësinë që në qeverinë e tij të ketë përfaqësues serbë që nuk janë nga Lista Serbe.

Ai sqaron për KosovaPress se kjo çështje është e rregulluar me faktin që komunitetet pakicë duhet ta pranojnë atë kandidat. Sipas tij, askush nuk mund ta akuzojë qeverinë e ardhshme që dikush që nuk do të shfrytëzojë një të drejtë të pafajësohet.

Baraliu: Kushtetuta nuk e obligon mandatarin që të bëjë koalicion me dikë apo me minoritetin pakicë

“Është e shkruar në Kushtetutë që një ministër nëse qeveria ka deri në 12 ministri, një ministër i takon minoritetit pakicë dhe një tjetër minoriteteve të tjera pakicë. Por, kjo nuk do të thotë që me çdo kusht të bësh koalicion. Askund në Kushtetutë nuk shkruan që kabineti pretendues ose mandatari qeverisës është i detyruar që të bëjë koalicion me dikë. Është i detyruar që ta pranojë një, por ai mund të jetë nga Lista Serbe, ose nga qytetarët serbë që nuk është në LS, por që LS do të duhej t pranonte sepse është njeri i tyre dhe ka interes nëse ka interes t’i mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës dhe jo të Beogradit, atëherë do të duhej ta pranojë një serb që caktohet qoftë nga Lista Serbe, qoftë jashtë saj”, thekson ai.

Sa i përket numrit të votave që një kandidat duhet të marrë për të arritur të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, Baraliu thotë se kjo varet nga konstalacioni dhe nga formula përkatëse që zbatohet. Megjithatë, një mesatare thotë të jetë 7-8 mijë vota.

Kujtojmë se liderët e dy subjekteve fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, ai i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pajtuar për bashkëqeverisje, ndërsa për hollësitë e marrëveshjes do të vendoset në takimet e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat