Gratë në Kosovë vazhdojnë të kryejnë aborte për shkak të preferencave gjinore

Aktuale

Gratë në Kosovë vazhdojnë të kryejnë aborte për shkak të preferencave gjinore

Më: 11 tetor 2019 Në ora: 15:32
Foto nga ngjarja

Gratë në Kosovë vazhdojnë të kryejnë aborte për shkak të preferencave gjinore. Kështu është bërë e ditur në raportin e publikuar sot “Abortet në Kosovë” nga Qendra për Art dhe Komunitete Artpolis, raport i cili u publikua në Ditën Ndërkombëtare të fëmijës vajzë.

Në këtë raport ku është bërë një analizë e aborteve të nxitura dhe shëndetit riprodhues në Kosovë prej vitit 1999-2019, janë dhënë statistika të aborteve ndër vite, ndërsa, u potencua se është në rritje aborti nëpër klinika private, ku edhe u kërkua që këto klinika të inspektohen.

Hulumtuesja në KIPRED, Donjeta Morina, tha se në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta për ndërprerjet e induktuara të shtatzënisë.

Ajo bëri të ditur se në vitin 2017 në vend janë lindur 111 meshkuj për 100 femra, e që sipas saj, ku dallim është problematik pasi nuk mund të jetë zgjedhje natyrale.

Morina: Në vitin 2017 janë lindur 111 meshkuj për 100 femra

“Kanë lindur 110 meshkuj për 100 femra, ky dallim është rritur në familje pas lindjes së femrës së tretë. Në vitin 2017 janë lindur 111 meshkuj për 100 femra. Pse është problem, ky është problem shumë i madh dhe besojmë që nuk është zgjedhje natyrale sepse sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ky dallim në botë është 105 meshkuj për 100 femra. Do të thotë dallimi në Kosovë është shumë më i madh dhe është në rritje sipas statistikave”, tha ajo.

Morina ka bërë të ditur të dhënat e marra nga QKUK për vitet 2005, 2006 dhe 2007, ku sipas saj, gjatë kësaj periudhe janë kryer 1 mijë e 79 aborte të nxitura.

Ndërsa, në vitet 2012-2017, tha se janë kryer 726 aborte, por këtu ajo shprehi brengën për statistika të ndryshme të institucioneve kosovare.

Morina: 2005, 2006, 2007, përgjatë gjithë këtyre viteve thuhet që janë bërë 1 mijë e 79 aborte

“Këto janë disa statistika prej QKUK për vitin 2005, 2006, 2007, përgjatë gjithë këtyre viteve thuhet që janë bërë 1 mijë e 79 aborte, me dallime prej vitit në vit. Shumica e këtyre grave kanë qenë mes moshës 20-35 vjeçe dhe për 50.1 përqind ky ka qenë aborti i parë. Tash sipas këtij studimi shkalla e aborteve në këtë periudhë ka ra në krahasim me periudhën 2000-2004 dhe vlerësimi ka qenë që ndoshta është rrit ndërgjegjësimi për metoda kontraceptive. Mirëpo, ekziston edhe një si teori tjetër që thotë se këtë kohë janë rritur abortet e paregjistruara në klinika private. Gjatë intervistës me Divizionin e Shëndetit të Nënës dhe Fëmijës e  ka marrë një informatë se nuk ka numra të saktë mbi abortet në Kosovë, sepse shumica kryhen nëpër klinika private. Të dhënat që ka arritur, këto janë të dhënat nga QKUK prej viti 2012-2017 thotë që ka ndodhur 726 aborte, mirëpo të dhënat nga Instituti për Shëndetësi Publike thotë që në vitin 2017 kanë ndodhur 1 mijë e 919 aborte”, bëri të ditur ajo.

Ajo ka bërë të ditura edhe statistikat për abortet për vitet 1999, 2009 dhe për vitin 2016.

Morina: Në vitin 1999, aborti ka qenë 4.8 abortet për 1 mijë lindje të gjalla

“Çka thonë statistikat për vitin 1999, sipas një hulumtimi të kryer atë vit  thotë që shkalla e abortit ka qenë 4.8 aborte për 1 mijë lindje të gjalla. Gjithashtu brenda atij hulumtimi është pranuar që nuk janë raportuar mjaftueshëm se sa aborte janë zhvilluar gjatë kësaj kohe. Hulumtimi i fundit në shkallë të madhe në gjithë Kosovën është zhvilluar në vitin 2009, përqindja e grave që kanë pasur abort në këtë periudhë ka qenë 7.9. Kjo përqindje ka shkuar duke u rritur në moshë, sa më e vjetër gruaja sa më e madhe kjo përqindje...Raporti i fundit prej OJQ-ve që është bërë mbi këtë çështje në vitin 2016 nga Rrjeti i Grave të Kosovës, këtu thotë se 7.4 përqind e grave mes moshës 16-49 kanë pasur abort”, tha ajo.

Në raport bëhet e ditur se një numër i madh i aborteve kryhet nëpër klinika private, e që sipas raportit, spitalet private nga gratë e martuara preferohen për të kryer aborte për shkak se trajtimi është më i mirë, ndërsa, raporti thotë se gratë e pamartuara zgjedhin spitalet private për të kryer abortin për shkak të privatësisë.

Ndërkaq, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka kërkuar që të ketë inspektim më të madh të spitaleve private, aty që sipas raportit po ndodhin abortet më së shumti.

Berisha: Është duke u rrezikuar jeta e vajzave ende pa ardhur në jetë

“Diskrepanca në mes lindjeve të foshnjave të gjinisë femërore dhe të gjinisë mashkullore tregojnë që diçka është duke ndodhur, nëse botërisht ky dallim është shumë më i vogël ndërsa në Kosovë është më 10 deri në 11 dallimi në lindje të foshnjave. Atëherë kjo tregon se më të vërtetë është duke u rrezikuar vajzat hala pa ardhë po cenohet e drejta e tyre për me jetua”, tha ajo.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, u shpreh se statistikat e prezantuara në këtë raport sa i përket përzgjedhjes së gjinisë nuk janë të vërteta.

Syla: Bazuar në statistikat tona të QKUK-së nuk është 111 meshkuj

“Bazuar në statistikat tona të QKUK-së nuk është 111, të paktën jo këto vitet e fundit, krahasimi dhe nuk janë statistika të cilat ti mundesh me thënë kështu po na dalin neve këtu, se shqiptarët po i bënë 111 meshkuj e këndej femrat. Kjo nuk është e vërtetë, ka pasur raste. Po bazohem se komplikimet vijnë tek ne, se këto bëhen pas javës së 16, gjinia përcaktohet në javën e 16, po flas me libra. Megjithatë, janë statistika të cilat nuk duhet neve me na dekurajua dhe me thënë që tek populli jonë kemi shkelje drastike të të drejtës së jetës së femrës”, tha ai.

Publikimi i raportit është realizuar me përkrahjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat